E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha i lidhur me klanin e Zemunit

 

Opozita ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se ka mbyllur hetimet për ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 veta

Opozita nuk pajtohet me vlerësimet dhe arritjet e punës së qeverisë të bëra publike nga kryeministri Sali Berisha, gjatë analizës së 7 mujorit të parë të vitit 2008. Pothuajse në bllok, të gjitha partitë e majta kanë denoncuar si cinike dhe të pavërteta deklaratat e bëra nga Kryeministri gjatë kësaj analize, duke e akuzuar atë se ka keqinformuar në mënyrë të qëllimshme shqiptarët. Duke iu referuar pikërisht qëndrimit të kreut të qeverisë në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, numri dy i grupit socialist, Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp ka qenë shumë i ashpër me të, duke deklaruar se hetimet për ngjarje jo vetëm janë penguar, por edhe janë bllokuar nga Kryeministri dhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas Braçes, Kryeministri e ka mbyllur hetimin për këtë tragjedi që në momentin kur në vendimet e qeverisë së tij, e cilësoi atë si një aksident teknologjik, pavarësisht se organet e specializuara të hetimit nuk kanë dhënë ende një vlerësim të specializuar për atë që ndodhi në 15 Mars të vitit të shkuar. “Kryeministri tha dje se nuk ka penguar hetimet, por në fakt duhet të thoshte se i ka mbyllur hetimet. Se e ka klasifikuar ngjarjen dhe për këtë shkak, ka mbrojtur edhe autorët, ku e ka cilësuar ngjarjen me vendim qeverie, si “aksident të thjeshtë teknologjik”,- tha nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Mes të tjerash deputeti socialist, gjatë deklaratës së vet, tha se Kryeministri nëpërmjet Kryetares së Kuvendit ka imponuar rrjedhën e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, që mori 26 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme të shumta materiale. Sipas tij, kryeparlamentarja Topalli, me letrën e saj dërguar disa muaj më parë kryeprokurores Ina Rama, ka shkelur ligjet dhe kompetencat që i jep Kushtetuta duke i imponuar organit të akuzës, pistat se ku duhet të përqendrohej hetimin. “Kryeministri duhet t’u thoshte shqiptarëve se zëvendësja e tij në parti, apo numri dy i shtetit, Kryetarja e Kuvendit i mori kohë Prokurorisë dhe i dha më pas kohë keqbërësve me letrën e saj skandaloze që dhunonte rëndë pavarësinë e hetimeve, ku urdhëronte me firmën e vulën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë se duhej hetuar ai apo ai tjetri. Madje, me letrën e saj, ajo impononte dhe rrjedhën e hetimeve”,- tha Braçe. Madje në deklaratën e vet nënkryetari i grupit socialist ka shkuar edhe më tej, kur ka lëshuar akuzua direkte ndaj Kryeministrit, si një njeri i lidhur me klanin e “Zemunit” në Serbi, klan i cili ka marrë përsipër vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinçiç disa vite më parë. “Kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim administrativ, jo më ndonjë reformë institucionale dhe ligjore si reflektim së rënies së shtetit në krim dhe kapjes së qeverisë nga krimi, lidhjes së krimit me familjen biologjike dhe politike, madje, nuk ka marrë asnjë veprim që të japë garanci që një krim si ai i Gërdecit nuk do të ndodhe më. Ky njeri është i lidhur me qarqet kriminale që kanë të bëjnë me vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinçiç dhe me klanin e “Zemunit”. Gjithashtu, ai ka lidhje me trafikantët e armëve”,- pohoi Braçe. Nisur pikërisht nga gama e madhe e dyshimeve që rëndojnë mbi kreun e qeverisë për ngjarjen e Gërdecit, socialistët i kërkojnë atij që, së paku, “të distancohet nga fenomeni korruptiv i kapjes së shtetit që u evidentua në këtë rast”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›