Leskaj: Data e zgjedhjeve jo kompetencë e kryeministrit
PS shprehet se është herët për të folur për datën e zgjedhjeve, përsa kohë nuk janë plotëesuar standardet
Partia Socialiste e konsideron të nxituar përcaktimin e datës së përafërt të zgjedhjeve nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Një ditë pasi kryeministri shpalli se zgjedhjet do të mbahen në qershorin e ardhshëm, socialistët kanë reaguar duke vlerësuar se në radhë të parë shpallja e datës së zgjedhjeve nuk është kompetencë e kreut të ekzekutivit dhe së dyti një gjë e tillë nuk mund të bëhet përsa kohë nuk ka asnjë garanci për krijimin e infrastrukturës së duhur zgjedhore, sicc janë listat e zgjedhësve dhe paisja e qytetarëve me karta të identiteti. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Valentina Leskaj, duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit, është shprehur dje nga Elbasani ku ka marrë pjesë në një takim në zonën e saj zgjedhore, seështë ende herët për të folur për datën e zgjedhjeve. “Kryeministri nuk ka kompetencat të vendosë muajin dhe datën kur do të zhvillohen zgjedhjet në vitin e ardhshëm”, - tha Leskaj. Sipas saj nuk mund të flitet për një datë të saktë zgjedhjesh kur ende nuk ka përfunduar së paku reforma zgjedhore dhe për të mos folur më tej për realizimin e infrastukturës, përfshi kartat dhe listat. “Shpresojmë që në fund të shtatorit të përfundojnë të gjithë detajet për kodin zgjedhor. Ne si grup parlamentar jemi të gatshëm dhe kemi vendosur të gjithë asistencën e nevojshme që zgjedhjet e ardhshme të jenë me një kod të ri zgjedhor dhe me karta identiteti”, - tha Leskaj. Megjithatë ende nuk dihet nëse PS do të pranoj që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen pikërisht në muajin qershor, pasi ajo ka përcaktuar më herë se më e rëndësishme për të është cilësia e procesit. Jo pa qëllim socialistët kanë përcaktuar si bazë të konceptit të tyre për reformën zgjedhore 5 jo-të, midis të cilave dhe “jo zgjedhje pa karta identiteti”. Prandaj përsa kohë nuk ka garanci nëse një gjë e tillë do të realizohet para qershorit, socialistët mendojnë se është e parakohshme të flitet për datën e zgjedhjeve.