E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Reformat të nisin menjëherë pas Samitit

Socialistët kërkojnë autorësi në prag të ftesës që Shqipëria pritet të marrë nga Samiti i Bukureshtit për anëtarësim në NATO. Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, deklaroi dje publikisht se nuk duhet të privatizohet kjo ftesë. Sipas tij, është e padrejtë të flitet për një forcë që dëshiron integrimin dhe një tjetër që është kundër saj. Gjithashtu, në këndvështrimin e Islamit, me marrjen e ftesës vendit u dalin përpara shumë detyrime të reja. "Detyrime që kanë të bëjnë më intensifikimin e luftës ndaj korrupsionit dhe me forcimin e shtetit ligjor përmes reformës në sistemin e drejtësisë", theksoi Islami. Ai shprehu angazhimin e Partisë Socialiste për të kontribuar bashkërisht me faktorët dhe aktorët e tjerë në realizimin e të gjitha reformave që kërkohet nga ndërkombëtarët. "Shqipëria ka realizuar një pjesë të detyrimeve që kishte në kuadër të anëtarësimit, por ka mjaft të tjera që duhet të përmbushen", u shpreh Islami. Ai insistoi në faktin se Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet një forcë euroatlantiste dhe nuk mund të mohohet roli i saj. Islami i mëshoi fort idesë së realizimit me konsensus të procesit të reformave edhe pas Samitit të Bukureshtit, por vuri një kusht për largimin e qeverisë "Berisha". Një qëndrim të tillë, në mbështetje të rolit të saj në qeverisje, Partia Socialiste e ka mbajtur edhe sa i takon firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (MSA). PS-ja pretendoi se me reformat e kryera prej saj në tetë vite pushtet kishte bërë të mundur përgatitjen e vendit dhe çuarjen në prag të firmosje së MSA-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›