E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasuritë, institucionet qendrore neglizhojnë deklarimin

Subjektet që mbartin detyrimin ligjor për deklarimin vjetor të pasurisë duket se e kanë neglizhuar këtë moment delikat. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive prezantoi dje shifrat e para të dorëzimit të deklaratave të pasurisë. Zyrtarisht deklarohet se data 31 mars 2008 ishte afati i fundit për dorëzimin individual të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private periodike/vjetore për pasuri të krijuara deri më 31 dhjetor 2007. "Në një kohë kur ka edhe 15 ditë afat që autoritetet përgjegjëse të dorëzojnë të gjithë deklaratat, deri më tani janë dorëzuar rreth 70 për qind e tyre", sqaron ILDKP-ja. Inspektorja e përgjithshme, Fatmira Laska, në një komunikim mediatik sqaroi se deri ditën e fundit të afatit për zyrtarët, pra deri më 31 mars, në Inspektoratin e Lartë ishin të dorëzuara vetëm 50 për qind e deklaratave. Po më 31 mars, institucioni paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor për vitin 2007, ku u theksua edhe problematika e vonesave në deklarim. Fakt ky që për Laskajn ndoshta ka ndikuar që vetëm një ditë më pas, numri i deklaratave të dorëzuara në ILDKP të arrijë në 72 për qind. Inspektorati i Lartë shpreh rezervat e tij edhe për këtë rezultat dhe e quan të pajustifikueshme mosdorëzimin e plotë të deklaratave nga institucionet qendrore. "Autoritetet përgjegjëse të institucioneve qendrore të shtetit (struktura bashkëpunuese mes Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e institucioneve publike) janë trajnuar prej nesh, kemi pasur kontakte të vazhdueshme me ta dhe për këtë arsye nuk kanë asnjë justifikim për vonesa në dorëzimin e deklaratave të zyrtarëve, që mbartin detyrim për deklarim në institucionet e tyre", theksoi Laska. Në vlerësimin e saj, afati 15-ditor i përcaktuar nga ligjvënësi është vendosur për autoritetet përgjegjëse të institucioneve që janë larg kryeqytetit, ose që kanë shumë punonjës dhe me një shpërndarje në të gjithë vendin. "Prandaj, ne kërkojmë strukturat e administratës, sidomos të nivelit qendror, të ngarkuara për dorëzimin e dokumentit ‘deklaratë e interesave private‘ pranë ILDKP-së, ta plotësojnë sa më shpejt detyrimin e tyre ligjor", nënvizoi Laska. Ndërsa vlerësoi edhe bashkëpunimin e medias për përcjelljen e kujtesave të herëpashershme që ka bërë ILDKP-ja për zyrtarët që të përmbushin në afat detyrimin ligjor, Laska theksoi se "në rast vonesash të pajustifikuara, do të vendoset masa administrative ‘gjobë‘ për zyrtarët, por edhe për autoritetet përgjegjëse, nëse do të verifikohet nga kontrollet që do të kryejë shumë shpejt stafi i ILDKP-së në institucionet publike". Pak ditë më parë, ky institucion ngriti shqetësim për neglizhencën e subjekteve të deklarimit në plotësimin e këtij detyrimi ligjor. Në këtë deklarim binte në sy fakti se institucionet qendrore kishin depozituar një numër shumë të vogël deklaratash. Për ironi të fatit, godinat e këtyre institucioneve janë shumë afër me atë të inspektoratit dhe dijenia e tyre për një detyrim të tillë është e padiskutueshme. Vetëm pas datës 15 prill do të mund të krijohet një panoramë e numrit përfundimtar të subjekteve që kanë zbatuar ligjin. Pjesa tjetër, siç edhe u paralajmërua nga inspektorja e përgjithshme, do t‘u nënshtrohet hapësira ndëshkuese që përcakton legjislacioni shqiptar për raste të tilla. Sakaq, ILDKP-ja u kujton të gjithë zyrtarëve që emërohen për herë të parë në funksione që mbartin detyrim për deklarim të interesave private, se duhet të plotësojnë këtë detyrim brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës. Po ashtu, zyrtarët, subjekte të ligjit "Për deklarimin e pasurive…" që largohen nga detyra, duhet të përmbushin detyrimin e tyre ligjor brenda 15 ditëve nga dorëzimin i funksionit. Në rast shkeljeje të këtyre afateve, edhe këta zyrtarë do të gjobiten.

Ndëshkimi

Laska paralajmëron gjobat

Inspektorati i Lartë u rikujton zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private se, "për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë", bazuar në nenin 44, pika 1/b e ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike". Gjatë vitit 2007, Inspektorati i Lartë vendosi për vonesa në deklarimin periodik/vjetor, masën administrative "gjobë" për 100 subjekte, si edhe dorëzoi kallëzim penal në prokurori për 12 zyrtarë që refuzuan ta deklaronin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›