Braçe: Berisha mashtroi Pentagonin, të hetohet për fishekët
Vajtja e Kryeministrit Sali Berisha në Samitin e Bukureshtit u cilësua dje nga nënkryetari i grupit parlamentar socialist si një turp. Erion Braçe e cilësoi të papranueshme përplasjen mes dy figurave kryesore të shtetit në lidhje me prezantimin e Shqipërisë në këtë delegacion. Në vlerësimin e Braçes ishte tërësisht e panevojshme që të udhëtonte kreu i qeverisë për në samit. Socialistët mendojnë se kreu i shtetit duhet të mjaftonte dhe në këtë formë drejtuesit e shtetit shqiptar nuk do shfaqeshin qesharakë përpara faktorit ndërkombëtar. Duke iu referuar Kryeministrit, Braçe kujtoi se opozita pret prej tij që të raportojë me shkrim për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Numri dy i deputetëve socialistë kujtoi se është depozituar në Kuvend kërkesa për këtë seancë llogaridhënie me shkrim dhe zyrtarisht kreu i qeverisë duhet të përgjigjet. "Normalisht seanca e radhës është ajo e ditës së mërkurë, por duket se Berisha ka preferuar të shkojë në Samitin e Bukureshtit", sqaroi Braçe. Sipas tij, prokuroria duhet të hetojë Kryeministrin sa i takon mashtrimit që i është bërë Pentagonit për çështjen e fishekëve. "Do të presim përsëri të enjten, do të presim po përsëri të hënën dhe prapë në rast se nuk vjen, do të presim po përsëri të mërkurën dhe po përsëri të enjten tjetër, që do të thotë, se ne do të jemi në Parlament për këtë axhendë", u shpreh Braçe. Ai këmbënguli se qenia e Kryeministrit në Kuvend është e domosdoshme, pasi në këto 15 ditë larg nga ngjarja, Kryeministri ka gënjyer disa herë, ka servirur të pavërteta disa herë. "Të pavërteta që e implikojnë edhe më në këto krime të rënda. Hetimi i nisur nga FBI-ja, Pentagoni dhe në mes të muajit edhe nga Kongresi Amerikan tashmë ka rrëzuar edhe alibinë e fundit të Kryeministrit, mbështetjen e tij tek kompania AEY, letrat e presidentit të kësaj kompanie, 22-vjeçarit Diverol", shtoi Braçe. PS-ja inkurajon prokurorinë në gjurmimin dhe sekuestrimin e transaksioneve financiare të kryera në 7 muajt e fundit nga Qipro në bankat shqiptare të nivelit të dytë. Një tjetër objektiv, që për socialistët duhet të ndalet prokuroria, është vdekja e 25 punëtorëve. Ngjarje kjo që për selinë rozë duhet të zbardhet duke vënë drejtësinë në vend. "Inkurajojmë prokurorinë në hetimin e të gjitha veprimeve financiare, që kanë qenë në themel të të dy krimeve e që kanë sjellë përfitime marramendëse financiare të të gjithë personave të përfshirë në të dyja krimet e rënda, pjesa më e madhe zyrtarë të qeverisë së Kryeministrit Berisha", këmbënguli Braçe. Organi i akuzës, sipas tij, duhet të hetojë deri në fund trafikun e influencës, përmes të cilit është miratuar me procedurë të përshpejtuar në Parlament. "Ligjin me 3 amendime të posaçme që kanë ligjëruar eksportin dhe rieksportin e municioneve shqiptare përmes kompanisë qipriote dhe kompanisë tjetër të vënë nën hetim AEY", theksoi Braçe.