Islami: Shqipërisë i duhet një sistem i thjeshtë zgjedhor
Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, në një prononcim për mediat tha se kjo parti është për një sistem zgjedhor sipas standardeve evropiane. Ai shpjegoi arsyet pse preferohen listat e mbyllura. “Ka dy lloje listash, kur bëhet fjalë për sistemet proporcionale apo sistemet e përziera që kanë një pjesë të proporcionalit. Ose lista është e mbyllur dhe kjo vendoset nga partia në bazë të rregullave dhe mekanizmave apo statutit të partisë, ose varianti i dytë është ai që quhet votë preferenciale.
Votë preferenciale do të thotë që lista ka emrat e kandidatëve dhe është votuesi ai që përzgjedh. Pra, me preferencë emrin apo emrat e kandidatëve, që votuesi dëshiron apo është votuesi që bën renditjen e tyre në listë.
E para, lista që kërkohet në Shqipëri është jashtë standardeve, sepse lista që është aplikuar në Shqipëri është një listë, ku kryetari i partisë vendos emrin e tij i pari dhe është e mbyllur për kryetarin, si dhe është e hapur për të tjerët. Për më tepër, votuesi nuk është ai që vendos kryqin apo renditjen, por ka një formulë që votuesi nuk e shikon dhe kjo vendoset mbas zgjedhjeve.
Kjo konsiderohet mashtrim.
Jemi të hapur për cilindo model. Përse preferohet lista e mbyllur? Sepse vota preferenciale ka dy defekte të tjera. Shqipëria ende nuk ka realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i sugjerohet një sistem sa më i thjeshtë. Sistem sa më i thjeshtë është lista e mbyllur”, - tha Islami.
LSI: Edhe listat e mbyllura mund të jenë alla- shqiptarçe
LSI del kundër deklaratës së kryetarit të PS, Edi Rama, për listat e hapura zgjedhore. Në një konferencë për shtyp, një zyrtar i lartë i kësaj partie, Edmond Haxhinasto, tha se edhe listat e mbyllura mund të jenë alla- shqiptare. “Ne vlerësojmë se reforma zgjedhore është një domosdoshmëri, jo vetëm për detyrimet e afërta që vendi ka për anëtarësimin e tij në NATO, por për vetë shëndetin e sistemit tonë demokratik. Në gjykimin tonë, reforma zgjedhore duhet të bëhet në mënyrë institucionale brenda komisionit parlamentar përkatës dhe jo nga tribuna mediatike. Për LSI është e domosdoshme që reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Ajo nuk mund të realizohet as me ultimatume apo kushte dhe as me konceptin “parti e madhe apo parti e vogël”, - tha Haxhinasto. “Kushti i vetëm që pranojmë për këto zgjedhje është që sistemi të mos ketë hapësira për fenomenin e Dushkut dhe procesi të bëhet me gjithë infrastrukturën përkatëse, me karta identiteti dhe lista zgjedhësish. Gjithçka tjetër, çështja e sistemit, ajo e pragut elektoral, çështja e listave të hapura a të mbyllura, janë çështje që duhen diskutuar dhe vendosur në mënyrë konsensuale në komisionin përkatës”, - vijoi më tej ai.
Duke iu përgjigjur kryetarit të PS, Haxhinasto tha: “Unë pak a shumë u shpreha dhe më lart, por ashtu sikurse mund të jenë listat e hapura alla-shqiptare, ashtu mund të jenë edhe listat e mbyllura të aplikuara në mënyrë të tillë alla-shqiptare. Por, për të mos pasur lista të tilla alla-shqiptare, duhet që ta bëjmë reformën zgjedhore alla-evropiane. Pastaj, çështja e listave të hapura është një praktikë ndërkombëtare, që në fund të fundit është një çështje demokratike dhe aty ku është aplikuar sipas këtyre parimeve, ka treguar që ka pasur sukses.”