Konfindustria: Çmimi i bukës, me ndërhyrjen e qeverisë mund të shkojë në 75 lekë
Drejtori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, shpjegon se situata me rritjen e çmimeve të bukës është shkak i një përzirjeje mes çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe një frike të prodhuesve, por nuk mund të thuhet qartë se ka spekulime, pasi tregu i prodhuesve të bukës është tregu më i formalizuar dhe më i rregulluar në vend. Qeveria duhet të ndërhyjë, sipas drejtorit të Konfindustrisë, me heqjen e TVSH-së dhe me vënien në punë me kapacitete të mëdha të fabrikës shtetërore të bukës, e cila mund të ndikojë në çmimet në treg.
Si e shpjegon Konfindustria rritjen e pandalur të çmimit të bukës në tregun shqiptar?
Konfindustria ka kohë që e ka ndjekur me kujdes lëvizjen ngritëse të çmimit të drithërave në tregjet botërore. Bazuar në të dhënat e vazhdueshme të anëtarëve të saj, që janë industrialistët më të rëndësishëm vendas të përpunimit të grurit, miellit dhe nënprodhimeve të tij, ishte bërë e qartë në afro 2 vjet se çmimet do të ishin në ngritje. Pasqyrimi i tyre në tregun shqiptar do të ishte i drejtpërdrejtë, sepse mbi 60 % e nevojave të vendit mbulohen nga importet. Tashmë, mund të thuhet që çmimi i grurit në tregjet botërore është rritur me mbi 2.5 herë nga 2 vite më parë dhe prirja deri në periudhën e korrjeve të reja është në vazhdimësi për rritje. Mjafton të përmendim se për herë të parë pas 70 vitesh rezervat botërore të grurit kanë rënë poshtë 100 milionë tonëve dhe vetë SHBA-të sot kanë historikisht rezervën më të ulët të saj, për të treguar sesa e rëndë është gjendja. Nisur nga këto fakte, përpunuesit shqiptarë kishin siguruar me kohë rezerva të konsiderueshme gruri, që u provua se ishte shumë efektive, sepse në rast të kundërt sot, parë gjendjen e tregjeve ndërkombëtare, çmimet do të ishin edhe më të larta në tregun shqiptar për miellin dhe bukën. Këtu duhet të shtojmë edhe faktin se importuesit shqiptarë të grurit janë blerës të dorës së dytë dhe të tretë, pra importojnë me çmime më të larta se të bursës, kjo për shkak të mundësive të kufizuara financiare të ngarkesave që porosisin.
Vlerësoni se ka probleme organizimi të tregut të miellit dhe të bukës në Shqipëri, me shfaqje spekulative të fenomeneve monopol ose oligopol?
Këtu duhet të jemi të qartë. Tregjet i miellit dhe bukës janë tregjet më të rregulluara dhe më liberale në vend. Është e thjeshtë të kuptohet kjo, nëse kemi parasysh se sot kemi mbi 100 fabrika të mëdha e të vogla të përpunimit të grurit dhe mijëra e mijëra prodhues buke në të gjithë Shqipërinë. Shkurt, kemi tregun mbase të vetëm të rregulluar dhe funksional në Shqipëri. Në asnjë rast tjetër nuk shfaqet një rast i dytë, kjo mbase edhe për shkak të ndjeshmërisë dhe peshës që ende buka ka te shqiptarët.
Po atëherë, si e shpjegon Konfindustria rritjen e shpejtë e të vazhdueshme të çmimit të bukës në vend? Mos vallë tregu është çrregulluar? Nëse po, cilat janë shkaqet?
Duhet ta kemi të qartë se edhe tregjet më të rregulluara në vendet më të zhvilluara të botës, në çaste të caktuara dalin jashtë pikës së ekuilibrit. Arsyet për sa më sipër mund të jenë të shumta, duke filluar nga faktorë objektivë, sikurse mund të jetë rritja natyrore e çmimeve, ashtu edhe faktorë subjektivë, ku përfshihen spekulimet e mundshme në segmente të caktuar të tregjeve, ashtu edhe faktorë psikologjike. Në rastin tonë, mendoj se çrregullimi është i përzier ndërmjet rritjes së çmimit botëror të shfaqur detyrimisht edhe në Shqipëri, ashtu edhe frikës së përhapur në prodhuesit e bukës. Shfaqje të spekulimit të pastër nuk i shoh të pranishme.
Si mund të veprohet në një rast të tillë? Si mund të shpjegoni propozimet e Konfindustrisë, paraqitur qeverisë shqiptare dhe opinionit publik para disa ditësh?
Ne nuk duhet të mbytemi në një pikë ujë, as të krijojmë alarme false, as edhe të biem në gabime për arsye shpejtësie, sikurse ishte veprimi i fundit i kufizimit të vendeve të tregtimit të bukës nga shteti, në vend që të ndodhte e kundërta, pra liberalizimi i tij brenda sigurisë ushqimore natyrisht. Konfindustria mendon se është plotësisht e mundur të veprohet dhe duhet të veprohet bashkarisht nga shteti dhe operatorët në treg për të shmangur pikërisht elementin subjektiv të çrregullimit të tregut të bukës dhe të miellit në vend. Pika më e fortë e skemës që Konfindustria i këshillon qeverisë shqiptare bazohet pikërisht në besimin e saj të bazuar se tregu i bukës dhe i miellit është mjaft mirë i organizuar dhe është funksionues mbase si asnjë treg tjetër në ekonominë shqiptare. Çrregullimi është vetëm i përkohshëm dhe mund të shmanget lehtë, kuptohet, për të shmangur pasojat subjektive dhe duke lënë të paprekur përpjekjen donkishoteske për të kërkuar të mënjanojmë edhe ngritjen e tij objektive. Kjo është e mundur të bëhet aq më shumë se, sipas të gjitha gjasave, këtë vit, si pasojë e mbjelljeve të shumta dhe kohës së përshtashme, vendet eksportuese të drithrave do të kenë prodhim të bollshëm. Shtetit i mbetet vetëm të ndërhyjë për të përshpejtuar dhe drejtuar mekanizmat vetërregullues të këtij tregu funksional që zotërojmë. Konkretisht, Konfindustria, bazuar në shpjegimin e mësipërm dhe bazuar në përvojen e vendeve të tjera, i ka sugjeruar vendimmarrjes politike veprimet e thejshta në vijim:
1- Ulje e TVSH-së për grurin dhe miellin në 5 % ose heqje e plotë e saj për një periudhë deri në verën e këtij viti. Konfindustria garanton në emër të industrive kryesore të vendit anëtare të saj, që 100 % e pasojës financiare të mësipërme të pasqyrohet në çmimin e shitjes, që do të jetë si rrjedhim mjaft më i ulët se sot.
2- Vënien në punë me kapacitet të plotë të fabrikës së prodhimit të bukës me kapital shtetëror në Tiranë për të hedhur në treg bukë me çmimin real. Këtu është edhe shpjegimi i veprimit të gabuar të kufizimit të vendeve të tregtimit të bukës.
3- Njohje e plotë e qytetarëve dhe opinionit publik me efektshmërinë e masave të mësipërme.
Gërshetimi i masave të mësipërme, shumë shpejt do të sillte përballjen e prodhuesve të bukës me alternativën e uljes së çmimit drejt nivelit të arsyeshëm, sepse do të ishin përballë rrezikut të falimentimit të shpejtë nga ulja e pashmangshme e shitjeve të tyre. Shpjegimi është i thjeshtë: nga një anë, fabrika shtetërore e bukës që ka mbulesë të plotë në Tiranë, në rast se vihet në funksionim të plotë do të ofronte çmim të arsyeshëm dhe nga ana tjetër, qytetarët do të nxiteshin ta prodhonin vetë bukën e ofruar me çmim të lartë nga prodhuesit, ose do ta zëvendësonin me prodhime me bazë mielli. Tregu do të merrte shkëndijën e parë të fortë të vetërregullimit, në mënyrë të shpejtë dhe brenda llogaritjeve të Konfindustrisë, çmimi do të mbahej në kontroll nën nivelin 75 lekë/kg edhe me keqësimin e mëtejshëm të çmimit botëror deri në korrjet e ardhshme. Kjo është mënyra më e mirë në të cilën ne shpresojmë që qeveria shqiptare do të vijë shpejt. Në këtë mënyrë, nuk ka as edhe një rrezik për prodhimin vendas dhe nuk ka mbajtje artificiale çmimesh të larta me kompensime financiare, që jo vetëm janë joefektive, por shërbejnë edhe si shkak për rritje zinxhir çmimesh edhe të prodhimeve të tjera pa asnjë arsye, duke rritur inflacionin dhe goditur pa dashje mirëqenien e qytetarëve.