E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Biznesi të mos parapaguajë 15% të gjobës

• Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, prezantoi dje nismën ligjore për amendimin e ligjit të Gjobave ndaj biznesit.“LSI-ja do të ndërmarrë një nismë ligjore që synon heqjen e nenit që ligjëron parapagimin e 15 përqindëshit të gjobës nga bizneset”. Duke iu referuar ligjit 8560 “Për procedurat tatimore të Republikës së Shqipërisë”, Xhufi tërhoqi vëmendjen për një amendim që i është bërë këtij ligji, sipas së cilit, “subjektet private janë të detyruara të paguajnë në vend gjobën në masën prej 15 për qind, pa pritur apelimin dhe vendimin e gjykatës”.“LSI-ja e konsideron këtë si një shkelje të rëndë ligjore, për arsye se ai i paragjykon dhe konsideron arbitrarisht kundërvajtës këto subjekte private, pa pritur vendimet e organeve të gjyqësorit. Nga ana tjetër, përvoja 6-mujore e vënies në zbatim të këtij amendimi ka treguar se ky sistem nuk funksionon, për më tepër edhe sistemi i apelimit nuk është efikas, sepse çështjet zvarriten pafundësisht apo zgjidhen shpeshherë të paragjykuara nga gjykata”, deklaroi Xhufi. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, “ky ligj ka shqetësuar edhe Bashkimin Evropian, i cili këtë gjë e ka theksuar me mjaft forcë edhe në progres-raportin, ku e konsideronte këtë ligj kundër praktikave dhe standardeve evropiane”. “Nisur nga të gjitha këto arsye të lartpërmendura dhe duke pasur dëshirën për të evituar problemet sociale dhe konfliktet e panevojshme me BE-në në këtë fazë të rëndësishme të integrimit tonë në këtë strukturë, LSI-ja ka marrë një nismë ligjore që synon riamendimin e nenit 43 të ligjit ‘Për procedurat tatimore të Republikës së Shqipërisë’”, u shpreh Xhufi. Në këtë drejtim, ai informoi se “qëllimi i këtij amendimi ka të bëjë me heqjen e pikës 2 të këtij neni, i cili ligjëron këtë nismë mbi bizneset private për parapagimin e 5 përqindëshit të gjobës”. “Kjo iniciativë së shpejti do të kalojë në Parlament. Ne jemi në fazën e mbledhjes së firmave dhe duke gjetur konsensusin brenda grupeve parlamentare, kemi bindjen se do të bëjmë të mundur shfuqizimin e kësaj pike”, vijoi Xhufi. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së e justifikoi miratimin e këtij ligji nga ana e maxhorancës si nevojë e qeverisë për të fuqizuar financat e saj të dobëta. “Ky amendim kishte si qëllim kryesor forcimin e financave të qeverisë për të thithur mjete monetare shtesë, por imponimi i pagimit me forcë të gjobave në mënyrë të paragjykuar në masën prej 15% jo vetëm që ka ndikuar në rëndimin e bizneseve, por mjaft prej tyre sot pas 6 muajsh të aplikimit të këtij ligji janë të rrezikuara nga falimentimi”, shtoi Xhufi. Sipas tij, zbatimi i këtij ligji është shoqëruar edhe me efekte sociale që kanë ardhur nga falimentimi i shumë bizneseve, të cilat janë shoqëruar me mbetjen pa punë të shumë shqiptarëve.  a.l.  Ligji i Gjobave për biznesetNeni 43 Si është aktualisht:1. Tatimpaguesit duhet të paguajnë të gjitha detyrimet tatimore, përfshirë këtu edhe dënimet administrative e interesat, ose të paraqesin garancitë e nevojshme përpara se të paraqiten për apelim. Në rastin e garancisë, për periudhën e apelimit llogariten të gjithë interesat.2. Subjektet përpara se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, detyrohen të paguajnë 15% të çdo gjobe dhe interesi duke detyruar sistemin gjyqësor që këto çështje të gjykohen me procedurë të përshpejtuar.Si kërkohet:1. Para se të paraqiten për apelim, tatimpaguesit janë të detyruar të parapaguajnë vetëm detyrimin tatimor, pa përfshirë interesat dhe gjobat e mundshme, ose të paraqesin garancitë e nevojshme. Në rastin e garancisë, për periudhën e apelimit, llogariten të gjithë interesat. 2. Pika 2 të shfuqizohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›