Vizat, BE kritika Italisë e Greqisë
• Komisioni Evropian kritikon për herë të parë zyrtarisht vendet e BE-së, të cilat nuk zbatojnë marrëveshjen e lehtësimit të regjimit të vizave me Shqipërinë.Adi ShkëmbiMarrëveshja, e cila ka hyrë në fuqi nga data 1 janar, ka hasur probleme me disa ambasada, kryesisht me ato të cilat kanë edhe fluksin më të madh të punës, siç është ajo italiane, greke dhe belge. Zv.presidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini, tha dje pas takimit me tre ministrat shqiptarë, Bregu, Nishani e Alibeaj, se sapo të marrë informimin zyrtar nga ambasadori ynë në Bruksel, do të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur këtë çështje. “Me sinqeritet, ajo që unë s’mund ta pranoj janë mospërputhjet dhe përplasjet e marrëveshjeve të bëra mes vendeve anëtare. Tani në lidhje me atë specifike të Italisë, Greqisë dhe Belgjikës, ambasadori shqiptar që është këtu do të informojë kabinetin tim për raste specifike dhe të jeni të sigurtë që unë do të ndërhyj”, theksoi dje zv.presidenti i Komisionit Evropian. Më tej zyrtari i lartë evropian bëri të ditur se ka shpërndarë për të gjitha vendet anëtare një udhëzim, i cili do t’u vihet në dispozicion konsullatave për zbatimin e marrëveshjes së lehtësimit të regjimit të vizave. “Unë sapo publikova udhëzimet e përbashkëta dhe nuk mund të pranoj për shembull që vetë Italia të mos i respektojë këto udhëzime të përbashkëta”, u shpreh më tej Fratini. TakimiGjatë ditës së dytë të vizitës në Bruksel, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani kanë raportuar para zv.presidentit të KE-së, lidhur me reformat që do të ndërmarrë qeveria shqiptare. Ndërkohë, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së lehtësimit të regjimit të vizave, zv.presidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini bëri të ditur se do të vijë në mars në Shqipëri për të nisur negociatat zyrtare për marrëveshjen e cila do të liberalizojë plotësisht regjimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Në këtë takim ministri Nishani paraqiti arritjet në luftën kundër kriminalitetit, ecurinë e procesit për dokumentet e reja të identitetit, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, e ndërkohe vlerësoi bashkëpunimin me Interpolin dhe Europolin. “Falë bashkëpunimit me Interpolin janë arrestuar 250 persona dhe 180 prej tyre janë ekstraduar”, theksoi ministri Nishani gjatë këtij takimi. Tre ministrat shqiptarë takuan në Bruksel dhe autoritete të tjera ndërkombëtare ku folën rreth përpjekjeve për ecurinë e reformës zgjedhore pjesë e së cilës janë regjistri i Gjendjes Civile, sistemi i adresave dhe pajisja me kartat e identitetit. Marrëveshja, në fuqi nga 1 janariPas rreth 8 muajsh negociata mes palës shqiptare dhe Bashkimit Evropian, nga një janari i këtij viti ka hyrë në fuqi marrëveshja e lehtësimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Marrëveshja parashikon që nga ky regjim i lehtësuar vizash të përfitojnë disa kategori qytetarësh, si biznesmenët, gazetarët, kërkuesit shkencorë, profesorët, të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, të cilët mund të shkojnë në vendet e BE-së me më pak dokumente dhe mund të pajisen me vizë brenda një periudhe të shkurtër. Rasti i BelgjikësPor ndërsa procedurat burokratike po pengojnë që ambasada italiane dhe ajo greke në Tiranë të zbatojnë marrëveshjen e lehtësimit të vizave, Belgjika duket se ka një problem tjetër. Nga data 1 janar kur kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi, Belgjika, e cila nuk ka ambasadë në Shqipëri, detyron qytetarët e thjeshtë shqiptarë që të shkojnë në Sofje të Bullgarisë, për shkak të mosmarrëveshjeve me ambasadën holandeze, e cila nuk pranon të lëshojë më viza për Belgjikën, përveç rasteve kur ato viza i merr një zyrtar i lartë i administratës.