E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami çregjistrohet nga grupi parlamentar i PS-së

21/12/2011  Lidershipi socialist dikton vendimin për të gjithë deputetët e kësaj force parlamentare

Lidershipi socialist rreshtoi dje grupin kuvendor të Partisë Socialiste që përmes një vote anonime të çregjistrojë nga ky grup deputetin Kastriot Islami. Përmes një procedure që nuk zgjati as gjysmë ore, deputetët e PS-së përjashtuan nga radhët e tyre kolegun që për më shumë 20 vjet ishte përfaqësues i kësaj partie në legjislativin shqiptar.

Mbledhja

Të thirrur në mbledhjen e radhës, deputetët e grupit socialist u mblodhën dje në orën 1:00 në pritje të “ekzekutimit” të kolegut të tyre. Deputeti Kastriot Islami përpara nisjes së kësaj mbledhjeje kërkoi që i gjithë diskutimi për përjashtimin e tij të zhvillohej në prani të medies, por një kërkesë e tillë u vendos që të diskutohej e më pas të jepej përgjigje. Për këtë arsye Islami preferoi të qëndronte jashtë sallës ku zhvillohej takimi. Më pas ishte deputeti Tauland Balla, njëkohësisht sekretar grupi, ai që thirri ish-kolegun e tij për t’u futur në mbledhje. Por duke qenë se grupi kishte vendosur që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, deputeti Islami zgjodhi të bojkotojë takimin, duke pritur vendimin për përjashtimin e tij larg ambienteve të partisë së cilës ai i shërbeu për një kohë të gjatë.

Vendimi

Në rendin e ditës të mbledhjes së djeshme ishte pikërisht diskutimi mbi mospjesëmarrjen e Islamit në votimin për zgjedhjen e kreut të ri të KLSH-së, veprim për të cilin kryesia e PS-së në mbledhjen e saj të ditës së premte propozoi përjashtimin e tij. Por mësohet se përkundrejt një propozimi të tillë erdhën dhe reagimet e disa prej deputetëve socialistë, të cilët kërkuan që të mos ndërmerrej një hap i tillë. Kështu, deputetët Arben Malaj e Marko Bello, janë shprehur kundër përjashtimit të Islamit nga grupi i PS-së. Nga ana e tij kreu socialist Edi Rama ka argumentuar propozimin për përjashtimin e Islamit si një zgjedhje e bërë nga vetë ky i fundit për shkak të thyerjes së vendimit politik. Në këtë mënyrë, Rama synoi që ta bëjë sa më të thjeshtë për grupin votën pro përjashtimit të Islamit. Gjithashtu dhe deputeti Besnik Baraj është shprehur pro përjashtimit. Ndërkohë pas përfundimit të kësaj mbledhjeje sekretari i grupit parlamentar të PS-së, Tauland Balla, zbardhi vendimin e këtij grupi si dhe arsyen pse erdhi një vendim i tillë. “Vetëm me katër vota kundër dhe dy abstenime grupi parlamentar socialist miratoi zbatimin e normës statutore të Partisë Socialiste për çregjistrimin nga grupi të deputetit Kastriot Islami për thyerje të vendimit politik të grupit lidhur me votimin kundër kandidaturës së kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në seancën e kaluar të Kuvendit të Shqipërisë”, - u shpreh Balla gjatë fjalës së tij.

Sqarimi

Deputeti i PS-së Tauland Balla, duke folur në pozicionin e sekretarit të grupit kuvendor socialist, sqaroi: “Kryesia e grupit socialist sqaron se zbatimi normës statutore, i vendimit politik të grupit lidhur me votimin kundër kandidaturës së kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në seancën e kaluar të Kuvendit të Shqipërisë është vendosur në kolegjialitet të plotë nga grupi socialist përpara seancës dhe çdo deputet e ka pasur të qartë paraprakisht detyrimin statutor për zbatimin e vendimit politik. Kjo do të thotë se qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e grupit socialist. Ashtu sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik.”

Mungesa

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste u vu re mungesa e dy deputetëve bashkëpunëtorë të Islamit: Ben Blushit e Andis Harasanit. Më herët Blushi ishte një nga anëtarët e lëvizjes për mendimin ndryshe në PS dhe një nga kritikët më të ashpër të lidershipit socialist. Pas afrimit të tij me po të njëjtin lidership, të cilin deri dje e shigjetonte ashpër, sërish marrëdhënia mes tij dhe Islamit vijoi të kishte të njëjtat konture. Po kështu dhe deputeti Harasani, i cili u duk sikur krijoi një marrëdhënie të zbutur me lidershipin socialist, kjo ndodhi për një periudhë shumë të shkurtër. Pas zhgënjimit që pësoi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku u zgjodhën anëtarët e kryesisë dhe Sekretariati Ekzekutiv, Harasani iu rikthye së njëjtës linjë kritikuese për lidershipin socialist. Madje, në këtë kuadër ai dha dorëheqjen dhe nga posti i ofruar nga Rama për drejtimin e grupit të punës për energjinë. Ndërkohë dje ai mungoi në “gjyqin” e Islamit.

Bojkoti i Islamit

Deputeti Kastriot Islami zgjodhi që të mos ishte pjesë e diskutimeve në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së lidhur me përjashtimin e tij. Në fakt, në sallën e mbledhjes Islami u shfaq dy herë radhazi, ku në të parën parashtroi kërkesën e tij për praninë e medies në diskutime dhe në të dytën u informua se kërkesa e tij nuk u mor parasysh. Për këtë arsye Islami u largua nga ambientet e PS-së, për të pritur në distancë vendimin për përjashtimin e tij. Ndërkohë pas shpalljes së këtij vendimi deputeti Islami nga zyra e konferencave të Kryesisë së Kuvendit bëri publik pozicionin e tij mbi këtë vendim dhe mbi pretendimet që sollën një precedent të tillë. Në vlerësimin e tij, ky ishte një vendim personal i Ramës. Sipas tij, kjo ndodhte vetëm në regjimin autoritar.

Votat kundër

Kanë qenë vetëm katër deputetë që nuk iu bindën urdhrit të kryetarit të Partisë Socialist për përjashtimin e deputetit Kastriot Islami. Konkretisht ishin deputetët Marko Bello, Azir Gashi, Tomë Doshi dhe Arben Malaj, të cilët votuan kundër propozimit të kryesisë për përjashtimin e Islamit. Gjatë diskutimeve në këtë mbledhje u bë e ditur se kundër këtij vendimi ishte dhe deputeti Marko Bello, por kundërshtimi i tyre ishte në miniaturë përballë atyre pro përjahstimit. Ndërsa deputeti Malaj është shprehur: “Kjo që po bëjmë nuk është zgjidhja më e mirë, s’e kuptoj pse duhet të përjashtohet pikërisht tani. Ndërkohë që besoj se ka penalitete më të buta, siç mund të jetë paralajmërimi apo masa të tjera. Nuk kemi pse të shkojmë deri te përjashtimi, se nuk i shërben askujt, aq më pak PS-së.”

Votat “abstenim”

Në votimin e djeshëm në mbledhjen e grupit kuvendor socialist deputetët Pandeli Majko dhe Ethem Ruka kanë abstenuar vendimin për çregjistrimin e deputetit Islami nga ky grupim. Duke mos u rreshtuar as në grupin e atyre që në unison votuan pro përjashtimit, por as dhe në krah të atyre pak votave që ishin kundër, këta dy deputetë zgjodhën të abstenonin. Në fakt, deputeti Majko i shpëtoi një penalizimi të tillë, siç i ndodhi Islamit, për justifikimin e fortë që iu bë mungesës së tij në seancën e fundit parlamentare. “Kryesia e grupit socialist mirëkuptoi plotësisht pamundësinë objektive të deputetit Majko për të qenë i pranishëm në seancë dhe në emër të të gjithë deputetëve socialistë uron suksesin e plotë të kandidaturës së tij për postin e lartë në OKB”, - sqaroi Balla mbi këtë mungesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›