E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami në gjunjë të Berishës dhe qeveria e korruptuar

Islami në gjunjë të Berishës  

Nga SEJDO HARKA

sejdo_harkaAskush nuk mund ta besonte, se do vinte një ditë që Kastriot Islami, një nga ish-kundërshtarët më të egër të Sali Berishës, do të binte në gjunjët e tij. E kemi parë Islamin në krye të Parlamentit të parë pluralist, të përzgjedhur nga mazhoranca socialiste, ku kacafytej dhëmb për dhëmb me Berishën, duke akuzuar njëri-tjetrin si komunistë të pandreqshëm, ndërsa sot, si për çudi, i sheh përkrah njëri-tjetrit, herë si dy shemra të pajtuara, herë si vëllezërit siamezë, që, me dy gishtat lart, ngjitin e ulin shkallët e podiumeve elektorale të aleancës së djathtë, për të bindur njerëzit, që Saliu dhe manekinët e tij, duhet të vazhdojnë të sundojnë edhe për 4 vjet të tjerë. E kemi parë në poste kryesore ministrore të qeverive të majta, si Ministër i Jashtëm, Ministër Finance, bile dhe si President të përkohshëm disa ditor, kur bëri dorëheqjen Ramiz Alia. Ndërsa sot bëhet furkë, për të mbajtur në këmbë qeverinë e dështuar të Berishës, në çastin, kur ajo ishte gati të binte nga fiku. Ai që, në vitin 1996, bashkë e kolegët e tij socialistë përndiqej dhe survejohej nga SHIK-sit e Saliut, sot përqafohet e brohoret bashkë me të dhe mitingashët e shfrenuar të tij, për ti shtuar ymrin një qeverie të kalbur e të korruptuar deri në palcë. Për K. Islamin, dje Berisha ishte vrasës dhe hajdut, fatkeqësia e kombit dhe version komunist. Ndërsa sot, si për çudi, na qenkësh tjetërsuar në idhull i demokracisë, promotor i ndryshimit, pëlumbar i shpëtimit të kombit dhe ekonomisë. Në analizat për ngjarjet e 97-ës, ai atë e quan arkitekt të piramidave dhe të shkatërrimit të shtetit, inkurajues të luftës civile midis Veriut dhe Jugut. Kjo bëri që të hapen depot e armatimit dhe njerëzit të rrëmbenin armët, me të cilat rrugët u mbushën me lapidarë të çuditshëm dhe vendi të binte erë baruti dhe mish njeriu. Në komentet për tragjedinë e Gërdecit, ai e quante vrasës të 26 të vdekurve dhe 300 të plagosurve, që, po hipi në pushtet, sdi ti zbresë kalit, apo të kërkojë falje për gabimet dhe mëkatet që ka bërë. Ndërsa në fushatat elektorale të viteve 2007 dhe 2009, votuesve u drejtohej me thirrjet: Mos votoni vrasësin e njerëzve të pafajshëm dhe hajdutin e votave tuaja! Po sot?! Sigurisht që bën të kundërtën. Kudo çirret, që të gjithë të votojnë Saliun për të ndryshuar Shqipërinë, mbasi e ka varfëruar dhe mbytur, mbasi e ka shkatërruar dhe zhytur, mbasi i ka vrarë e dhunuar, nëpërkëmbur dhe injoruar. Profesor K. Islami, si bashkautor i ndryshimeve të fundit kushtetuese dhe të kodit zgjedhor, të cilat i dhanë Berishës mundësinë të bëhet Mbret pa mbretëri, vazhdon akoma ti shesë ato, si ndryshimet më të mira të ligjshmërisë shqiptare. Ai që për mbi 20 vjet rresht nuk u lodh së kërkuari largimin e Berishës nga politika, sot, nga pozicioni i deputetit të tjetërsuar, flirton me të dhe shqyhet për të argumentuar të kundërtën. Ai që dikur bënte thirrje të hapur për rrëzimin e qeverisë Berisha, pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, në emër të mendimit ndryshe, sla media të shkruar dhe vizive pa shigjetuar dhe kundërshtuar mendimet dhe vendimet kolegjiale të PS-së dhe të grupit të saj parlamentar. Sla sofizma pa përdorur për të argumentuar se gjoja zgjedhjet nuk i kishte vjedhur Saliu, por i kishte humbur E. Rama dhe PS-ja. Ndërsa dje argumentonte se shkaku i humbjes së të majtës ishte ndarja dhe përçarja e saj, sot argumenton të kundërtën, se bashkimi i saj është amoral, prandaj ajo do ti humbasë zgjedhjet përsëri. Është e vërtetë se vlerat e mendimit ndryshe brenda një partie, janë shenjë emancipimi dhe demokratizimi për jetën e brendshme të saj. Dhe këto mund të ndodhin vetëm në parti të hapura e me jetë të brendshme të konsoliduar. Në grupin e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe brenda PS-së, nuk mungoi shembulli i intelektualit largpamës, si ai i B. Blushit, i cili, pasi shpalosi me guxim platformën e mendimit të tij ndryshe, nuk abstenoi apo nuk votoi, në parlament, asnjë herë, kundër vendimeve kolegjiale të forumeve të larta të partisë, apo të grupeve të saj parlamentare, duke u ngritur mbi zënkat që vinin nga paniku i humbjes së papritur dhe mbi idetë e mendimet e tij ndryshe, për hir të moscopëzimit të mëtejshëm të PS-së, gjë që do ti krijonte Berishës një mundësi tjetër, për ta vazhduar qeverisjen e tij të prapë. Shumë nga mendimet e tij ndryshe, me durim e mençuri, i bëri pjesë të pandarë të filozofisë dhe programit të partisë së tij, për ta çuar të majtën në fitore. Të kundërtën bëri K. Islami, i cili, si inatçor dhe me ego të sëmurë, abstenoi dhe kundërshtoi disa vendime kolegjiale të partisë së tij, për të çuar ujë në mullirin e Saliut. Ka arritur deri atje sa, të keqen e Shqipërisë ta shohë jo tek qeveria e Saliut, por tek opozita e E. Ramës. Diversioni i Berishës Përça e sundo kishte dhënë frutin e vetë të hidhur. Islami, me qëndrimet e tij vetëpërjashtuese, përfundimisht, kishte rënë në gjunjë të Berishës. Duke marrë bekimin dhe mbështetjen e tij, do ti thoshte Ramës dhe kolegëve të tij: Përjashtomëni po ua mbajti! Unë e kam gjetur kalin që do të më ngrejë. Ai është Berisha, i cili edhe me mbështetjen time, do vazhdojë tu lërë në opozitë. Aq shumë është joshur Kaci nga Saliu, sa arrin ta quajë të ligjshëm edhe KQZ-ë me 4 anëtarë, nga 7 anëtarë që duhet të ketë në të vërtetë. Metamorfoza e Islamit, është aq e madhe, sa që arrin të argumentojë, se fatkeqësia e këtij vendi nuk janë vjedhësit dhe vrasësit, por ata që u vranë, duke protestuar me duar në xhepa. Nga tribunat elektorale të PD-së, si kameleoni që merr ngjyrën e livadhit ku kullot, mburret, se bindjet e tij demokratike na paskan qenë të hershme, por erërat aksidentalisht e paskëshin përplasur në honet e së majtës.
Prej këtej lid pyetja: Kush është K. Islami i vërtetë, ai i djeshmi, apo ai i sotshmi?! Çfarëdo që të thotë ai sot, askënd nuk mund të bindë, se ka ndërruar bindjet. Në të vërtet, ka ndërruar jo bindjet, por grazhdin. Për një grazhd të ri më të majmë, më tepër se kolegët e votuesit e tij, ai ka tradhtuar vetveten, emrin dhe moralin e tij. Ai, që dje, para Berishës hiqej si gjel kokoroz, sot është tjetërsuar në një pulë, që pasi kakarisnëpër podiumet elektorale të ish-kundërshtarëve të tij më të ashpër, si shenjë pendese, rend me vrap për të lëshuar vezët e tij, në furrikët e tyre të prishur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›