E diela, ora shqiptare e së vërtetës historike
Shqiptarët kanë orën e bekuar të votës së lirë për t’u treguar si vetes ashtu edhe mbarë botës se diktatura e importuar nuk ishte e merituar, madje progresi apo regresi do të përcaktohet përfundimisht me vendimin absolut të sovranit në zgjedhjet e 23 Qershorit.
Rotacioni është kryefjala e së majtës kohët e fundit, a thua nuk voton dhe vendos populli i lirë, por ata paskan një kontratë ilegale të nënshkruar mes kampeve politike dhe e rikujtojnë atë si “këmbanë të zezë që bie orar pa orar”.
Nga Brukseli vjen një tjetër thirrje për liderët politikë shqiptarë për ta bëre Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tërësisht operacional. Shefja e diplomacisë Europiane, Catherine Ashton, si edhe Komisioneri për zgjerimin, Stefan Füle, kërkojnë që liderët politikë në Shqipëri, të gjejnë rrugën e pranueshme për të gjithë e për ta bërë KQZ-në tërësisht operacionale dhe funksionale.
Edhe pse koha tanimë është kundër të gjithëve, ata shprehen qartë se është një përgjegjësi e përbashkët e liderëve politikë që të forcojnë besimin tek qytetarët shqiptarë për procesin e pastër elektoral dhe të krijojnë të gjitha kushtet që këto zgjedhje të jenë të pranueshme nga të gjithë.
Pra, nuk mundet të perceptohet në logjikën e Perëndimit rotacioni i barabartë kohor një herë në tetë vjet, Ju, e përsëri Ne?! Madje theksohet në deklaratën e tyre se, zgjedhjet në Shqipëri përbëjnë një test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike dhe progresin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Ambasadori Etore Sequi, në një takim me Kryetaren e KQZ-së, Lefterie Lleshi, u shpreh se, është një shqetësim për ne sepse KQZ-ja duhet të ketë 7 anëtarë, madje ka disa vendimi që duhet të merren me një mazhorancë prej 5 votash.
Kështu që ajo që presin Ne, është që liderët politikë ta bëjnë KQZ-në operacionalisht funksionale dhe ta plotësojnë atë.
Nuk është asnjëherë tepër vonë për të siguruar që KQZ-ja është plotësisht e formuar.
Dhe sinkron me BE, ka vazhduar ditë më parë edhe Ambasadori Amerikan, Z.t. A. Arvizu, i cili rithekson se vota e popullit vendos nëse ka rrotacion dhe jo politika.
Pra nuk jemi në një kontratë mes partive politike për fatet e kombit, por është populli që mes programit partiak dhe votës së lirë do të shprehet në kutitë e votimit.
Dilema jonë si komb pas vitit 90-të ishte se cilit kamp ne i përkisnim, lindjes apo perëndimit dhe kjo do të vuloset dhe hipotekohet pa kthim të dielën historike. Majtas me trashëgimtarët në “retorzicion” me një pjesë që duan të “Rilindin” të majtën e dështuar me taksën progresive, apo e djathta që i mbijetoi krizës botërore me taksën e sheshtë..?!
Madje edhe ish-sekretari i mbrojtjes së SHBA-ve, Donald Ramsfeld ditë më parë vlerësoi maksimalisht taksën e sheshtë dhe liderin Sali Berisha.
Një mesazh i qartë se reformat dhanë rezultatet decizive për t’ju shmangur krizës dhe se kthimi pas na dënon të gjithëve ne, përveç pakicës në pushtetin e ardhshëm, nëse ata votohen?!
Procesi që drejtohet nga KQZ-ja është cunguar nga e majta si qëllim që do t’ju justifikojë atyre humbjen, ose do t’u rrisë moralin e së majtës se, edhe me “dhunën” e Berishës, ata triumfuan… Sot, me statusin e kushtëzuar dhe tre ligjet e votuara pa shpjeguar arsyen e vonesës nga e majta pasi ishte mbyllur sesioni parlamentar, shqiptarët e kanë mëse të qartë menunë e forcave politike dhe vetëm në 23-Qershor do të kemi orën e së vërtetës se cilit kamp i përket ky komb realisht.
Jetojmë nën ligjet e perëndimit dhe flasim vetëm për integrimin politikisht dhe ekonomikisht në BE, por një e majtë që premton rishikim të koncesioneve dhe kontratave, apo me rritjen progresive të taksave, vetëm sa ka frikësuar investitorët. Duket se, Rama kërkon një Francë të vogël të eksperimentojë apo të instalojë përfundimisht dështimin e pamerituar…
ILDKP-ja, raporton se parlamentarët e majtë dhe çuditërisht fituesit e tenderave të Bashkisë së Tiranës gjatë drejtimit të Edi Ramës, janë miliarderët shqiptarë. A thua vetë këta duan të paguajnë më shumë taksa, apo “monopolet e viteve 98-05, rifreskojnë kujtimet e kohëve të arta dhe të bekuara financiare”, ku të gjithë startuam nga zeroja në vitet 90-të, por ja që një kastë e majtistëve dolën më shumë se milionerë nën ligjet e kapitalit të lire? Justifikimet se si komb ose do të vdesim përfundimisht me të kaluarën, ose do të hipotekohemi përjetësisht si vlerë morale kombëtare europiane, mbeten për t’u parë vetëm pas votës së 23 Qershorit.
Ekonomia si faktori kryesor i një qeverisje të suksesshme apo të dështuar, shënoi një tjetër sukses me raportin e Bankës Botërore, se, kemi ulje të papunësisë në 12.8% nga 13.9% dhe rritje ekonomike me 1.8%. Ndërkohë që edhe Zv/ Ndihmës Sekretari i SHBA-ve, Ambasadori Philip Reeker, u shpreh se zgjedhjet në Shqipëri duhet të demonstrojnë një pjekuri demokratike, por edhe ripërsëriti mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.
Gjithashtu, ai përsëriti nevojën e një procesi të drejtë zgjedhor si edhe pranimin e rezultatit nga palët e përfshira në proces, por edhe KQZ-ja e braktisur nga opozita duhet të plotësohet me vonesë në rrugët që lejon kushtetuta. Votuesit duhet të tregojnë pjekuri, respekt dhe mirënjohje për stabilitetin ndaj progresit dhe arritjeve ku Shqipëria e ata vetë nuk i kanë pasur kurrë më parë si nivel politiko-ekonomik, pse jo edhe stabilitet me partneritet më seriozë ndërkombëtarë. Shqipëria në NATO, ofron investitorë strategjikë të cilët kanë filluar investimet e tyre me STATKRAFT-in, apo TAP-in në pritje.
Por jo vetëm, mbi 1 miliardë Dollarë investime të huaja direkte në kohë krize tregojnë epërsinë e taksës së sheshtë dhe stabilitetin politik me reformat e maxhorancës. Ritmi i investimeve si nga brenda dhe jashtë, apo rritja e eksporteve tregon performancën e një shteti, por direkt ata që përfitojnë janë qytetarët që punësohen dhe sigurohen me kontrata pune duke rritur kështu nivelin e jetesës personale si edhe të së ardhmes.
Stadi ekonomik, ku investimet miliardëshe pritet të firmosen katër vitet e ardhshme janë vendimtare që maxhoranca në pushtet e ka si kredo politike në vazhdimësi, por edhe pret rezultatet e punës së saj.
Ose beneficet dhe punën e saj më pas do t’i korrë e majta që me vrullin e dhunës në sheshe, rrugë e parlament, na ka bindur se kjo do të jetë gjuha e komunikimit zyrtar gjatë 4-viteve. Ky është thelbi i kësaj fushate ku e djathta në vazhdimësi pret të korrat, ose e majta në dështim total pas 23-Qershorit me luftën brenda llojit do të sakrifikojë liderët dhe strukturat drejtuese.