Fantazmat enden natën në ndërtesën e komitetit të partisë
Edhe pse kanë kaluar njëzetë e dy vjet, në korridorët e ndërtesës së Ish-Komitetit të Parisë Punës për Tiranën, natën shfaqen e zhduken fantazma të murrme. Nëpër muzg vihen re lëvizje hijesh që hyjnë e dalin në heshtje. Dritat herë ndizen, herë fikën. Ngjyra rozë e mureve ka ndryshuar në mavi. Para ndërtesës qëndron një autobus i gjatë si hipopotam me të njëjtën ngjyrë. Në fasadë duket emri Rilindje! Ç’bëhet në atë ndërtesë të vetmuar? Kush është ringjallur? Kush ka lindur apo rilindur? Çudi! Herë pas here nëpër portën që hapet e mbyllet vetë, kalojnë bijë e nipa të anëtarëve të Byrosë Politike e Komiteteve të Partisë e rinisë në rrethe, veteranë e aktivistë me kasketat leniniste e barsolina në kokë, artistë të dështuar, burra kokëmëdhenj, apo kokëthatë, bullafiqë të parruar me syze dielli, të shkurtër e të gjatë, të hollë e të trashë, barkpetë e barkmëdhenj, ish-presidenti gjatosh me frymë bukuroshësh, gra e vajza të përgjumura me çanta në sup. Mos vallë vrapojnë për të dëgjuar në Plenum fjalimet e anëtarëve të Byrosë Politike? Nga burime të sigurta flitet se byroja ka pësuar ndryshime të thella.
Nëpunës, dikur me pozitë, që ulen në klubin pranë, kujtojnë me dhimbje ditët e arta të rinisë, kur në zyrat qendrore me katër telefonë mbi tryezë e kasafortë, kalonin ditën me shkresa të kota e njoftime sekrete, pastaj zbrisnin në kafene për takime me shokët e vjetër me filxhanin e kafesë e Zërin e Popullit në duar me lajme të bujshme. Bisedonin shtruar “më the, të thashë”, për vigjilencë, çështje kuadri, kush tradhtoi, kush u dekorua, cili u përjashtua nga partia, sa vetë u arrestuan, ç’tha komandanti dje në Gjirokastër? Pse u prishëm me B. Sovjetik? Sa nëndetëse u larguan nga Baza e Vlorës? Po me Kinën si do t’i vejë halli? Pse oxhakët e kaldajave nuk hedhin më në qiell blozë e tym dhe fabrikat po mbyllen njëra pas tjetrës? A ndryshoi Byroja e Komiteti Qendror? Kush u internua, kush u vra e u pre?
Në ditët tona kuadrot e plakur mblidhen në klubin afër ndërtesës së Komitetit të PP (PS) prapa Bankës, me një shpresë të mjegulluar pleqërishte, pasi lexojnë në fasadën e saj emrin Rilindje! Lindje apo Rilindje? Sa herë mund të lindet një njeri? Njeri habitet e thotë, shih sa bukur e kanë gjetur qerratenjtë këtë emër me dy kuptime, ashtu si dikur komandanti ynë në kongrese, pasi lëvdonte Ismail Qemal Bej Vlorën, ngrinte lartë Leninin e thurte lavde për Stalinin nga të cilët mësonte për varjen në litar të bejlerëve dhe agallarëve. Hidhet njeri i gëzuar e thotë se dje në mbrëmje kishte parë tek hynte nëpër portë birin e Enverit, Ilirin i cili dikur ia bëri fora buzë Lanës me fortifikata, tunele e bunkerë. Si shok i vjetër tani është bashkuar me Edvinin, birin e Kristaqit e nipit të Kolekës në ndërtesën e trashguar nga i ati. Thonë se janë marrë vesh të bëjnë hatanë duke ngritur bustet e shtatoret e Enverit, të parin para Bankës e pranë Muzeut Historik me shatërvanë që hedhin ujin curril përpjetë, të dytin në Gjirokastër e kështu me radhë. Ky është një lajm i mirë, thirrën disa me një gojë. Tashti po kuptoj tha një plak me shkop midis gjunjëve pse prapa Bankës mbi kokat tona ndrin emri Rilindje. Ç’flet kështu në tym i tha një burrë me kasketë, mos kërkon t’u hapësh punë shkodranëve e studentëve që brenda ditës t’i shembin duke rrezikuar edhe klubin, ku kalojmë dy tri orë me muhabete?. Papritur një gazetar në pension tha, se lart është ngjitur nëpër shkallë i mbajtur nga krahët një burrë me mjekër të bardhë. Thotë se është nip nga Vlora, i cili nuk di se çfarë ndryshimesh kanë ndodhur në këto vite në Shqipëri. U prish dynjaja tha një burrë i thatë e i gjatë, mesa kuptoj Edvini u premton gjithçka atyre që jetojnë jashtë vetëm me një kusht, të marrin pjesë në fushatën elektorale e të lëvdojnë Enverin, të birin, nipin e Spiros dhe Koçon e Qeparoit ish-sekretari Rinisë për Fierin, mikun e ngushtë të kryetarit gjatë kohës së korupsionit bashkiak. Gazetari në pension foli edhe për një foto të paguar shtrenjë nga fukarenjtë Rama, Kokëdhima e Caci me paratë e grave, për fushatën elektorale në Shqipëri. Një skandal që ka tronditur shumë vetë. Thuhet poshtë e lartë se Caci pa nuhatur erën e arkës së kolltukut ministror ashtu si në kohën e Tosit, nisi të zgjasë duart me marifetet e tij tek paratë e karburanti. Në kësi rastesh turqit thonë: “xhan çikar, huq çikmas” (Shpirti del, zakoni nuk shqitet). Më i moshuari pyeti se cila është Byroja e re? Ta them unë tha ish-gazetari: I pari, kryetar Edvin Rama, i ngarkuar për sigurimin e ujit në kohë vape, sekretar Ilir Hoxha, për ribotimin e veprave të plota të Enver Hoxhës, anëtar Koço Kokëdhima për thesarin sekret, Ben Blushi për doktrinën ideologjike antikombëtare, Cac Angjeli për kasafortat e thesarit, Pandeli Majko, për ndërtimin e autostradave mbi det, Gramoz Ruçi për dyfek e punët e brendshme. Për sherbimin sekret agronom Bamir Top gënjeshtari. Këshilltar Artan Lame. Tek porta kryesore rrinë gatitu rojat Balla, Braçe e Tahiri. Autobuzin e drejton megafoni Lorenc Vangjeli. Ngrehuni, tha plaku me shkop midis gjunjëve, u bë vonë. Na pret sherri i grave në shtëpi. Kafeneja e partisë pak nga pak u zbraz. Dielli po anohej matanë pallateve e reve. Muzgu mbuloi ndërtesën me xhama dhe jashtë oborrit autobusin mavi. Dritat nisën sërish, ndiz e fik, së fundi pllakosi errësira dhe heshtja. Fantazmat fluturuan e nuk u panë më.
Qytetarët para TV në shtëpi dëgjojnë lajmet e reja dhe zërat e analistëve të politikës, si këto: Për hir të vendosmërisë së Qeverisë Demokratike me doktor Sali Berishën, sot Shqipëria, me gjithë vështirësitë e pengesat e hasura nga opozita socialiste ka ecur me sukses drejt Europës së Bashkuar. Në krahasim me vitet 2005 dhe 2009, zhvillimi i vendit është i dukshëm nga të gjithë në shumë drejtime, në ekonomi, infrastrukturë, elektrifikim, kulturë, arsim e shëndetësi. Banka Botërore njofton se Shqipëria gjatë muajve të këtij viti ka rritur eksportet e mallrave, ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të jetë më i lartë se vendet e rajonit, si Serbia, Maqedonia e Mali i Zi. Këta tregues shoqërohen me ulje më të madhe të papunësisë në krahasim me Serbinë e Maqedoninë. Tashmë asnjë shpifje e fabrikuar në zyrat e PS nuk pi më ujë. Në qytet jetohet më mirë. Fshatarësia shqiptare sot ka toka e bagëti, ka shtëpi të reja, është e punësuar në pronën e vet. Megjithatë mbetet për të bërë edhe më shumë në të ardhmen. Premtimet e Aleancës së Djathtë janë konkrete sepse mbështeten në realizime dhe në programin e Qeverisë sipas studimeve shkencore. Fitorja e Sali Berishës më 23 qershor 2013 do t’i bëjë mirë së ardhmes së Shqipërisë. Kjo fitore do të sjellë si pasojë mënjanimin e Edi Ramës nga kryesia e PS-së. Kjo parti do të shpëtojë nga ky kryetar i rastit e ambicioz, i cili për hir të mbajtjes së karrikes dëmtoi jo vetëm PS, por edhe interesat e qytetarëve në qytet e fshat, duke shkaktuar humbjen e ndihmave financiare nga BE me kundërshtimet arrogante për integrimin në Europë. Pa iu skuqur faqja. ky shpikës taksash shkatërrimtare, ky milioner mafioz tenderash të paligjshme, tallet me dëgjuesit në mitingje me numra estrade duke premtuar ujë për të pirë pranë burimeve të vendit tonë Pozon para maleve të blertë e flet për rrënim, humnerë, varfëri, shan gjithçka me fjalor rrugësh, duke u çirrur tok me komunistët për rilindjen e diktaturës së urryer nga të gjithë. Njerëzit e ndershëm e naivë që e ndjekin pas, u ngjajnë deleve të urta të cilat pa e ditur përse, i qepen prapa ujkut të pangopur, një dukuri e çuditshme kjo që e njohin më mirë barinjtë tanë. Majko ngazëllehet me numërin 29, i cili u kujton shqiptarëve nëntorin e zhgënjimit të madh për një Shqipëri Demokratike, kur gjaku i dëshmorëve të kombit u derdh për një grup vrastarësh, që e lane vendin tonë 45 vjet prapa shteteve perëndimore.
Ndërkaq në qiell shpërthejnë fishekzjarret. Ushton kudo thirrja: Votoni për të djathtën e Bashkuar! Votoni për Shqipërinë Demokratike, për punësimin, mirëqenien e integrimin në Europë! Përpara me doktor Sali Berishën në krye! Rroftë populli shqiptar!, Rroftë Shqipëria e bekuar nga Zoti!