E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami shpjegon formulën e përllogaritjes së votave sipas sistemit spanjoll

Metoda ‘D’Hondt’ do të jetë formula për ndarjen e votave në bazë të përqindejs që merr çdo parti politike në Kuvend. Bashkëkryetari socialist, Kastriot Islami, tha dje, se metoda ‘D’Hondt’ është formulë zgjedhore, e cila mbart emrin e matematicienit belg, Victor D’Hondt, e cila u bë e famshme, pasi u mor si metodë e përllogaritjes së përqindjeve zgjedhore nga shumë vende evropiane. “Ka disa formula, por mendohet të jetë ajo që quhet metoda e D’Hondt-it, që realizon një ndarje të shpejtë. Është një metodë që përcaktohet nga një numër i përcaktuar pjesëtuesish dhe njëkohësisht një metodë që konsiderohet e mesatares së përafruar, pra një metodë që i jep partive një vlerë sa më të afërt me përqindjet që kanë marrë”, - tha Islami. Gjatë komunikimit të djeshëm me mediat, Islami u shpreh se ndryshimet në Kushtetutë për sistemin e ri zgjedhor do të jene dhe plani i punës së Komisionit për Reformën. “Pas miratimit të sistemit të ri zgjedhor në Kushtetutë, ai do të kthehet në orientim për Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili do të duhet ta përkthejë atë në Kodin Zgjedhor në gjithë elementët më konkretë. Pastaj, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të vazhdojë me çështjet e tjera që jane në listën e çështjeve që duhet të merren në konsideratë, të diskutohen dhe të miratohen, për t’u sjellë në parlament në formën e paketës zgjedhore”, - tha Islami.

Metoda D’Hondt
“Kjo formulë zgjedhore mbart emrin e matematicienit belg, Victor D’Hondt, e cila u bë e famshme, pasi u mor si metodë e përllogaritjes së përqindjeve zgjedhore nga shumë vende evropiane. Përpos sistemit zgjedhor spanjoll, këtë formulë përdorin edhe vende të rajonit si Serbia, Maqedonia, Sllovenia, Turqia dhe shumë vende të tjera evropiane, përfshi dhe Italinë. Formula në dukje është e thjeshtë, por ka një efekt thelbësor; përafron numrin e deputetëve të dy partive kryesore dhe zhduk nga skena politike partitë që nuk arrijnë të grumbullojnë një numër të konsiderueshëm votash. Formula është kjo: V/ S+1, ku: V është numri total i votave që kanë marrë partitë politike, S është numri i vendeve në parlament që merr secila parti në progresion, ndërsa +1 është primi që fiton partia që renditet e para në zgjedhje. Më konkretisht: nëse Partia A ka marrë 100 mijë vota në një rajon, partia B ka 90 mijë vota dhe partia C ka 10 mijë vota, atëherë vendi i parë i takon partisë A, vendi i dytë partisë B, vendi i tretë sërish Partisë A, vendi i katërt Partisë B dhe vijon në mënyrë përpjestimore formula. Partia C, në bazë të kësaj formule, e ka të pamundur të marrë një vend në parlament. Përshtatur me situatën tonë politike, kjo formulë zhduk nga skena politike partitë e vogla dhe e bën sistemin politik bipartiak. E vetmja nga partitë e vogla që mund të shpresojë të marrë një numër shumë të vogël deputetësh, është LSI, por kurrë nuk do të mund të ketë numrin e deputetëve në përputhje me përqindjen. Nëse kjo formulë do të miratohet nga dy partitë e mëdha, atëherë vendi do të dalë përfundimisht nga “diktatura” e partive të vogla, të cilat, duke përdorur pakicën bllokuese, kanë mbajtur peng shpeshherë qeverisjen e vendit. Ky është thelbi i mërzisë së madhe të partive të vogla dhe kanë të drejtë të mërziten; skena politike e pas 2009 duket se do të jetë pa to”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›