E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria, draft arfticial për artin skenik

Pse Sindikata e Artistëve të Shqipërisë e ka kundërshtuar projektligjin e reformave që ministria ka shpërndarë për institucionet në varësi të saj? Sa i drejtë është reagimi i artistëve dhe sa pak rastësor duhet të jetë Drafti i Reformës, në rastin konkret plot me mangësi, i paraqitur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve më 5 mars 2008?!
Është vënë re se qeveria aktuale në dy vitet e para të saj ka aprovuar me konsensus të gjerë Ligjin mbi Artin Skenik. Në zanafillë të tij, ky ligj pati një konsensus po aq të gjerë në mjedisin artistik dhe u votua dhe u konsultua në grupe shumë të gjera interesi. Gjatë konsolidimit të një ligji të ri u panë në skenë vepra të reja, u shfaqën artistë të rinj, erdhën nga mërgata të tjerë artistë të talentuar shqiptarë, nga më të mirët edhe në botë, u dukën bashkëpunime me të gjitha vendet dhe institucionet e vendeve të tjera të botës me skenën dhe artin shqiptar, u shfaqën projekte të pabëra më parë në jetën artistike të vendit. Qe një lëvizje gjithëpërfshirëse, gjë që shënoi një rrjedhë të fuqishme, një nisje brilante në jetën artistike, një lëvizje të gjallë, të ndezur që edhe gabime do të kishte, por jo plogështi. U krijua modeli i punës në institucione që do të nxiste pikërisht kullimin e ligjit dhe jo turbullimin e tij. Ishte një inerci që ndikoi vrullshëm edhe në marrëdhëniet kulturore me Kosovën deri në pragun e Pavarësisë së saj. Ishte një lëvizje që u pasua me aktivitete në të gjitha institucionet artistike, përfshi edhe qendrën kulturore “Pjetër Arbnori”. Sigurisht, pas këtyre aktiviteteve ka pasur edhe zëra skeptikë pas kunitave, por ka rezultuar se zërat kanë qenë kryesisht të atyre personave që kanë ëndërruar për drejtorë ose nëndrejtorë institucionesh, ose kanë qenë direkt kandidatura e mundshme për këto poste drejtuese. Median konkretisht e kanë kontaktuar këta tipa për t’u shprehur kundër reformave.

* * *

Duke përjashtur këto raste, është parë se për dy-tre vjet institucionet kryesore të vendit patën arritje të mira, Teatri Kombëtar për herë të parë në historinë e tij reklamon posterat e shfaqjeve të reja e të vjetra dhe ka gjallëruar jo vetëm shfaqjet në Tiranë, por edhe turnetë në rrethe e jashtë kufijve... dhe ka vend akoma për ndryshime. Po niveli artistik...?! - thotë me të drejtë dikush.
Po si mundet të flasim ne për nivel shumë të lartë, nëse nuk konkurrojnë së paku mbi dhjetë premiera në vit? Duhet investuar, riskuar dhe hapur rrugë për projektet e këtyre premierave.
Shkurt, flasim ende për kohën, kur mbi dhjetë premierat në vit po merrnin rrugë, rrugë e natyrshme kjo. Pas ngjitjes në skenë të disa veprave dalin në shesh dobësitë, por edhe vlerat. Kështu nis t’i vihet fre natyrshëm mediokritetit.
Një institucion tjetër madhor, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, krijoi mjaft bashkëpunime, premiera të reja, spikati talente të reja, dërgoi në audienca ndërkombëtare, si pasojë e promovimit në skenat tona, talente të reja, një shkollë e re me drejtim bashkëkohor, pothuaj nisi në skenën e operas... Edhe këtu jemi në mes të rrugës, por në mesin e asaj rruge, ku u vunë piketa stabël nga qeveria e re.

* * *

Por ç’ndodh pastaj?! Ndërsa ata që e lanë rrugën e hapur të sukseseve zëvendësohen me drejtues të tjerë, fillon të lëkundet e gjithë ngrehina e bëmave të mira. Në emër të një ecurie akoma më të mirë, bëhen zëvendësime drastike në institucionet më të rëndësishme të kulturës, duke nisur që nga ministri i Turizmit dhe Kulturës. Pikërisht u vu re se me ardhjen e ministrit më të ri, Ylli Pango, në drejtim të institucionit u lanë jashtë ecurisë së tyre shumë projekte që gjallëronin të gjithë jetën artistike të vendit. Në postet drejtuese të institucioneve dhe në politikat e orientimit kulturor në MTKRS qëndruan njerëz më pak kompetentë. Pas kësaj, ka vetëm projekte sporadike, investime sporadike, vendimmarrje të ministrit me kokë të vet në çdo projekt (le të kujtojmë që ministria e tij konkretisht mbuloi projektin e librit të Musine Kokalarit, bërë nga një mësues letërsie që i kushtonte reportazhe dikur Enver Hoxhës dhe për më tepër i panjohur si studiues). Pra, duke afruar dhe përkrahur kudo krijuesit e pazëshëm, pati një venitje të të gjithë jetës artistike të vendit. Duke parë sot programet artistike të institucioneve, dallon se mbi 6 muaj, pra afër gjysmë viti që nga muajt prill-maj-qershor-korrik-gusht-shtator nuk i serviret publikut ndonjë aktivitet me rëndësi.

* * *

A do të ishte kjo rënie e menjëhershme e jetës artistike në institucione, shkas për të ndërmarrë shpejt e shpejt një draft të padetajuar që të bën të besosh se sipas kësaj letre nis të manipulohet Ligji mbi Teatrin, në emër të reformës. Papritur çelet një reformë që shumë pak mundet të jetë mbështetur në emër të praktikave të reja të Ligjit mbi Teatrin. Koha e shkurtër që u la për shqyrtim të draftit, vetëm pesë ditë, do të thotë se drafti ka rënë në duar të pasigurta, ka pasur referenca koduese pa kriter dhe pa formin të mirëfilltë ligjor. Pse kjo reformë e çuditshme, në draftin e së cilës pika të caktuara i kthejnë mbrapsht shumicën e arritjeve skenike, pika që bien në kundërshti me ligjin në themel të nisjes? Mjafton të prekim njërën nga pikat e projektligjit për artin skenik, një nga ato që nuk kanë rëndësi të vogël, por jetike për artin skenik, siç është përcaktimi i kodit premierë. Shkruhet: “Premierë është një vepër artistike që vihet për herë të parë në skenën e institucionit të artit skenik”. Deri tani skena është lëvruar nga premierat absolute, që nuk janë vënë kurrë, pra që vihen për herë të parë dhe premierat e rinovuara, ku të njëjtat opera apo drama ngjiten në skenë nga aktorë e regjisorë të ndryshëm, nga artistë modernë ose klasikë. Në këtë draft nuk ka asnjë përcaktim tjetër se çfarë do të quhet kjo vënie për herë të dytë e së njëjtës vepër me artistë që e kanë bërë për herë të parë modelimin e saj. Një fakt tjetër që lë vend për komente: Në draftin provizor nuk do të merret dot me mend sesi ministri i MTKRS bën “shpallje publike për kandidatët për titullarët e institucioneve publike, qendrore të artit skenik”, dhe të “zë frika” se kjo hapësirë ligjore e kësaj natyre në institucionet e nivelit të lartë akademik mundet të lejojë që të bëhen drejtorë, p.sh., mësues liceu, ose ndonjë nga ata masovikët që drejtonin në komunizëm vatrat e kulturës. E ka pasur një fat të këtillë dikur Teatri madhor i Operas me drejtoreshën Zana Çela, një ish-mësuese e zellshme dhe spikere më vonë, arriti të merrte në dorë Operan Kombëtare dhe e çoi deri atje ku të gjithë e dinë. Një tjetër pikë e draftit që lë hapësirë për komente: A mundet të drejtohet një institucion i niveleve të larta akademike si opera me një bord kolegjial sikur të jetë bordi kolegjial i një reviste (ku dihet se ky lloj bordi kolegjial është sa për kopertinë)? Si mundet që kryetari dhe anëtarët e bordit artistik “nuk mund të jenë punësuar në institucionin, pranë të cilit funksionon ky bord”, siç shkruhet më tej në këtë draft-mënyrë kontrolli nga jashtë kjo që të kujton sekretarët e Byrosë në komunizëm, që “nuhasnin” faktorë antikomunistë në art. Po këta të Bordit Kolegjial çfarë do “nuhasin” që nga jashtë dyerve të operas? Të paqarta janë edhe teoritë e menaxhimit, të cilat janë aprovuar me orientim të atillë që s’i përgjigjet dinamikës së zhvillimit aktual të ekonomisë së vendit dhe as staturave të menaxhimit në fusha të ndryshme të ekonomisë. Ligji për Teatrin kishte vend për përpunime, por jo manipulime, ku për fat të keq në draft gjen fraza të tilla si “teatër me kosto të ulët, e cilësi të lartë”. Në botën e artin modern sot çdo gjë me vlerë duhet të ketë kosto të lartë. Pra, të gjitha aferat funksionale të një institucioni skenik janë të pastudiuara që nga tërheqja e artistëve nga jashtë, të cilët deri më sot kanë ardhur miqësisht, sepse shteti ende s’e ka fuqinë të japë shuma të konsiderueshme për kontratën me një artist të huaj, siç bëhet në botë. Kontrata e punës, audicionet janë ende për t’u diskutuar. Por..., pas shtyrjes së Draftit nga 10 mars deri 15 mars, duket se Sindikata e Artistëve dhe krijuesit s’kanë më kohë të veprojnë për t’u ligjëruar një draft në dobi të tyre dhe artit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›