Subjektet private do të kontrollojnë bilancet dhe vlerat e faturave
Ministria e Financave ka deklaruar dje se administrimi i tatimeve do të vazhdojë të jetë një shërbim publik që do ta bëjë shteti. Pika e parashikuar në ligjin e ri të procedurave të tatimeve, sipas së cilës, Ministria e Financave ka të drejtë të kontraktojë subjekte të caktuara apo kompani private për të administruar tatimet apo çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me to, nuk zëvendëson administratën e tatimeve. Në këtë pikë parashikohet thjesht që disa çështje që kanë të bëjnë me vlerësimin e detajeve të caktuara që i duhen administratës së tatimeve mund të bëhen nga subjekte private që i kontrakton Ministria e Financave.
Kjo është një gjë që ka të bëjë thjesht me rritjen e transparencës dhe me rritjen e shkallës së ekspertizës. Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare e kanë paraparë kësisoj këtë gjë në ligjin për procedurat, pasi administrata e tatimeve do të ishte më pak e ngarkuar dhe po ashtu subjektet private që do të kontraktohen do të jenë të pajisura me ekspertizë më të mirë sesa administrata e tatimeve.
Në të vërtetë, grupime të caktuar të biznesit e kanë quajtur të parakohshëm administrimin fiskal nga subjekte private dhe e kanë kundërshtuar atë.
Konfindustria ishte e para që e bëri këtë gjë dhe tha se, më së pari duhet të shqyrtohen detaje të tjera e më pas të shkohet te dhënia e së drejtës Ministrisë së Financave për të kontraktuar subjekte private për këtë gjë. Zëvendësministri i Financave tha dje se nuk bëhet fjalë asesi për zëvendësim apo privatizim të shërbimit publik të administratës shtetërore të tatimeve, por thjesht për një përmirësim dhe rritje të efikasitetit të kësaj administrate. Në të vërtetë, qeveria shqiptare në programin e saj, disa kohë më parë kishte paraqitur si mundësi edhe privatizimin e administratës së tatimeve, ose më saktë të shërbimit të administrimit fiskal, megjithatë kjo ende nuk ka marrë një përgjigje dhe ende nuk ka një projekt. Ligji i ri i procedurave tatimore është një përpjekje drejt ofrimit privatëve të këtij shërbimi. Administrimi tatimor në Shqipëri ka njohur arritje të rëndësishme vitet e fundit edhe mbledhjen e të ardhurave. Gjithashtu, edhe beteja me formalizimin e ekonomisë po ashtu ka njohur përmirësime. Pavarësisht këtyre arritjeve, ende një pjesë shumë e madhe e ekonomisë vazhdon të ketë segmente të rëndësishme informale dhe duket se kjo do të jetë gjë shumë e vështirë, me gjithë ndryshimet e mëdha ligjore dhe me gjithë nismat për ta nxitur biznesin të paguajë taksat, duke e stimuluar atë me ulje të taksave.