Islamit & Co shpërfillje, jo faktorizim
Dy nga tre ish- deputetët socialistë që tashmë garojnë nën siglën e PD-së, po bëhen çdo ditë e më shumë protagonistë të medias me deklaratat e tyre. Veçanërisht, Kastriot Islami, dukshëm i ka shtuar tonet e akuzave kundrejt kampit opozitar dhe sidomos ndaj Edi Ramës. Jo për tu habitur, por në të njëjtën gjatësi vale si ato të Berishës.
Nga e majta ata konsiderohen si tradhtarë të kauzës dhe idealit të dikurshëm, kurse të (vet)përjashtuarit deklarojnë se nën udhëheqjen e Ramës nuk gjetën hapësirë demokratike për të folur dhe thënë lirshëm mendimin e tyre. Por, fakti se shkuan te lideri që mban rekordin kombëtar për trysnimin dhe mbytjen e zërit ndryshe, ua rrëzon këtë tezë. Këta rishtarë të kampit të djathtë, duke qenë se aty janë ende filiza, padyshim që do ndjejnë përkujdesje nga Berisha. Është herët që ata të shfaqin kundërshtitë e tyre përsa kohë që ende bluajnë përbrenda mllefin me ish- liderin Rama. Megjithatë, kemi mundësinë ta shohim rrugës se sa të gatshëm do të jenë për ta ngritur zërin dhe kundërshtuar liderin e ri Berisha, që tua besojmë se nuk e kanë tradhtuar atë për të cilën kanë luftuar, fjalën e lirë.
Ata kanë zënë vendet e deputetëve të PD që kanë kontribuar ndër vite për atë parti. Por, për ata, kjo spërbën problem përderisa interesi personal (listimi në vend të sigurtë) tejkalon padrejtësisë që u është bërë deputetëve me kontribute në PD. Pra, vendosja e Koços në vend të Malajt është e gabuar, por vendosja e Islamit a Dogjanit në vend të Markut, Alibeajt etj., për ata është mëse normale!!! Këta personazhe që thonë se u përpoqën të mbrojnë vlerat e demokracisë në kampin e majtë, si nuk arrijnë ta shohin se vetë po bëhen pjesëtarë të shkeljes së meritokracisë në kampin e djathtë? E ka në dorë Berisha dhe ai i bëri listat, do thonë. Pse atëherë pranojnë standard të dyfishtë? Sepse, këta individë shkuan në prehrin e Berishës për të zënë një karrige, e jo se duan të zhvillojnë nivelin e demokracisë dhe vlerësimit të personalitetit në një forcë tjetër nga ajo ku ishin që, sipas tyre, sua jepte këtë mundësi.
***
Siç theksova edhe më lart, tonaliteti i akuzave të ish-ëve të majtë kundrejt Ramës po/do rritet dita ditës. Këtë e shoh si shenjë e inferioritetit të tyre në atë parti që kanë shkuar. Dihet se më problem këtë e ka Islami, i cili gjatë gjithë jetën politike është i njohur si kërc i kuq. Dikur ka qenë ndër më të akuzuarit e Berishës, por edhe i anëtarësisë së thjeshtë, për shkak të qëndrimeve të ashpra që ka mbajtur karshi tyre. Dhe e kaluara jo fort e largët smund të fshihet kaq kollaj nga kujtesa e demokratëve. Duke qenë se për ta Islami është si një kockë e mbetur në fyt, këtij të fundit i duhet doemos të fitojë simpatinë e tyre. Dhe e vetmja mënyrë për tia arritur kësaj është që të shigjetojë e bombardojë me akuza kryetarin e opozitës, Rama, si kandidati potencial për të qeverisur vendin pas 23 qershorit.
Në këtë kuptim, do të shohim se dita ditës Islami & Co do bëjnë protagonistin në daljet publike në media me akuza ndaj Ramës. Por, ajo që duhet të bëjë opozita, është që të mos merret shumë me ata. Sepse, sa më shumë ti sulmojë si tradhtarë, aq më shumë u jep argumente për të kundërsulmuar. Dhe kjo është ajo që ata presin. Mos ndoshta do ish më mirë që ti linte në hije, ti shpërfillte e të mos i përmendte kund? Ata le të vijonin të lehin, sepse ua kanë borxh këtë gjë Berishës për vendosjen në listë, por ska përse opozita të vijojë të merret me këta individë që elektorati është mëse i sqaruar se cilët janë. Çdo përmendje e emrit, sidomos nga kryetari Rama, i faktorizon dhe i bën të pranueshëm në radhët e demokratëve, të cilët e shohin me zhgënjim pranim e tyre në PD. Përse duhet tua japim këtë mundësi? Le ti lëmë më mirë të shijojnë këto dy muaj mjalti në prehrin e Berishës, derisa ta njohin edhe për së brendshmi, ashtu siç e kanë njohur dikur për së jashtmi.
