Shpresa që vjen prej atyre që mallkojmë!
Ka një tension dhe pafuqi për të ndryshuar fatin e politikës në Shqipëri. Akuza se sistemi zgjedhor prodhon klientelizëm dhe mungesë personalitetesh është tashmë e provuar. Berisha fshiu gjithë personalitetet e PD-së dhe i zëvendësoi me të punësuar të djalit dhe vajzës, ndërsa Rama, në stilin e tij, ushtroi të njëjtin pushtet personal. Nuk mund të themi se pati reaksion apo betejë politike për këtë, përkundrazi pati dy ekstreme. Një palë deputetë në pakicë, që u revoltuan dhe u hodhën në kampin tjetër, dhe një palë që e shfrytëzuan këtë rast për ti shprehur besnikërinë partisë, që ngjan po ashtu diçka jo normale.
Për këtë shkak, në politikën shqiptare janë sot së paku 20 deputetë që u janë imponuar Berishës dhe Ramës, në njëfarë mënyre. Berisha është detyruar të fusë në listë së paku disa deputetë të majtë, nëse e nisim numërimin nga Lufter Xhuveli, Shpëtim Idrizi, 3 socialistët e fundit, Kadeli, Islami dhe Dogjani, dy kandidatë çamë për të fituar, Nard Ndokën, si dhe disa kritikë të tij joluajalë siç është Shehi. Në këtë listë mund të rreshtohen dhe kritikët e dikurshëm të Berishës, Pollo, Ruli, Shehu, që mezi presin të rrëshqasë këmba. Edhe nga koalicioni i majtë është një listë e ngjashme ku përfshihen njerëz të LSI dhe disa kandidatë të Ramës, të cilët kanë dhënë prova që nuk e pyesin shumë nëse ai nuk u plotëson kërkesat.
Debati që ka ekzistuar deri më sot është se kjo specie deputetësh i ka humbur kuptimin zgjedhjeve, demokracisë dhe rrotacionit politik, por në kushtet e tanishme, pikërisht këta po kthehen në vlerën e vetme politike në vend. Dhe i pari që ka filluar ti vlerësojë vetë prirjet komerciale të këtyre deputetëve është kandidati për kryeministër, Edi Rama. Në një deklaratë të tij një ditë më parë, ai ka lënë të kuptohet se shumë nga deputetët e Berishës do të kthehen me të pas 23 qershorit. Media e ka komentuar këtë si diversion dhe Berisha ka nxjerrë me vrap Islamin dhe Dogjanin ti shprehin besnikërinë atij. Në fakt as njëra dhe as tjetra ska vlerë. Kjo racë deputetësh është vërtet e vetmja forcë lëvizëse në politikën shqiptare, pasi falë kësaj race Berisha është sot në pushtet nga deputetët e Partisë Socialiste të vitit 2009, dhe Rama shpreson të arrijë një shumicë kushtetuese po me këta deputetë.
A ka vend këtu më për një debat moral? Mendoj se jo. Tani jo vetëm qytetarët, por dhe vetë drejtuesit e politikës, në rastin konkret Berisha dhe Rama, janë të fokusuar dhe flasin vetëm për këtë kategori politikanësh. Ata që janë korrektë, besnikë, luajalë dhe luftarakë nuk kanë më asnjë vlerë politike. Mbivlerësimi që po i bëhet kësaj kategorie politike, po na çon në epokën e pazareve politike dhe po i jep fuqi politike, jo statujave politike normale, por deformimeve të tyre. Të gjithë nuk shpresojnë më të përfaqësojnë në politikë votat që kanë marrë, por të qeverisin duke marrë mandate nga pala tjetër. Dhe meqë kjo tani është kthyer në filozofi, shpresoj se kjo kategori politike, pra kjo kushinetë mes Ramës dhe Berishës, të na sjellë progres, duke detyruar ose Ramën ose Berishën, pra kush të ketë fatin të fitojë dhe të marrë dhe pjesën tjetër, që të kapin një shumicë kushtetuese dhe të ndryshojnë rregullat e lojës, duke kthyer politikën shqiptare në normalitet, në një sistem zgjedhor ku vota të përfaqësojë qytetarin dhe jo pazarin.
Nuk kam shpresa se ky sukses do arrihet nga debati intelektual në vend, pasi siç shihet ai ka vdekur. Nuk do të arrihet dot nga shoqëria civile, pasi atë nuk e pyet më askush. Nuk ka për tu arritur nga media pasi ajo tashmë është në vdekje klinike.
E vetmja forcë e gjallë aktive dhe e besueshme është kategoria e deputetëve që i janë imponuar Ramës dhe Berishës të jenë deputetë dhe që kanë dhënë prova se dinë të bëjnë pazar me mandatin e tyre. Berisha dhe Rama po lavdërojnë përditë pikërisht këtë kategori dhe shpresoj se ata që ne mallkojmë çdo ditë, mund të bëhen shpëtimi ynë. Është një paradoks që vetë Berisha dhe Rama investohen për tu rritur vlerat, duke i joshur për tia blerë njëri- tjetrit, por me sa duket askush nuk i ik dot koshiencës së vet. Ka 24 orë që flitet për ta si për heronj dhe për të tjerët flitet si për numra. Nuk e prisja të na bëheshin kaq shpejt të nevojshëm, por ja që ndodhi. Ndaj mos u nxitoni ti shani, derisa kryetarët tanë po i joshin.
