Papa Françesku: “Kisha të jetë e përvuajtur, e guximshme e gjithnjë në përtëritje”
Më 13 maj, mbushen dy muaj që nga zgjedhja e Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit, në krye të Kishës Katolike. Një nga risitë e kësaj papnie janë edhe meshët, që Ati i Shenjtë i kremton çdo ditë në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, ku ka dashur të qëndrojë që në fillim, pa u transferuar akoma në apartamentet papnore të Pallatit Apostolik. Duke marrë shkas nga leximet e ditës, të cilat në këtë periudhë kanë përshkuar jetën e bashkësisë së parë të krishterë në Jeruzalem, Papa Bergolio po pikturon një afresk mbi Kishën, identitetin dhe misionin e saj. Një Kishë e përvuajtur dhe e guximshme, që e dëgjon zërin e Shpirtit Shenjt. Një Kishë, që del nga vetvetja për të shkuar në periferitë e botës. Një Kishë nënë, e jo dado, që ndërton ura e jo mure. Një Kishë me dyer të hapura, që është bashkësi dashurie e jo organizatë jo qeveritare.
Në këto dy muaj, Papa Françesku u ka dhënë besimtarëve mjaft për të menduar mbi domethënien e jetës në Kishë, të pjesëmarrjes në të. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë e të thjeshtë, por me një mesazh të thellë, Papa i kujton çdo të pagëzuari përgjegjësinë për kumtimin e Ungjillit të Krishtit. Të jesh i krishterë, thotë Ati i Shenjtë, nuk është njësoj si të bësh karrierë në një studio avokatësh. Të jesh i krishterë është dhuratë e Hyjit, që na bën të ecim përpara me forcën e Shpirtit Shenjt e të dëshmojmë Jezu Krishtin. Prandaj, i krishteri nuk ndalet kurrë: “Kur Kisha humbet guximin, në të hyn atmosfera e vaktësisë. Të vaktit, të krishterët e vakët, pa guxim… Kjo i bën shumë keq Kishës, sepse kështu fillojnë problemet mes nesh; nuk kemi më horizont, nuk kemi guxim, as guximin për t’iu lutur Qiellit e as guximin për ta kumtuar Ungjillin” (Mesha, 3 maj 2013).
Këtë guxim e gjejmë vetëm nëse dimë ta pranojmë Fjalën e Zotit me përvuajtëri, duke ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, pa i kundërshtuar. Vetëm atëherë Kisha bëhet një bashkësi, që jeton me Zotin, pasi mbështetet e rron në dashurinë e Krishtit:
“Ne, gratë e burrat e Kishës, jemi në mesin e një historie të dashurisë: secili prej nesh është një hallkë e këtij zinxhiri dashurie. E nëse nuk e kuptojmë këtë, nuk kuptojmë aspak ç’është Kisha” (Mesha, 3 maj 2013).
Papa i paralajmëron besimtarët për rrezikun që i pret, nëse largohen nga Krishti, nëse tundohen të jetojnë në një Kishë, të përshtatur sipas dëshirave të tyre. Udha e Jezusit, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk është ajo e ideologjive dhe e moralizmave, që e fallsifikojnë Ungjillin. “Mondaniteti”, materializmi, është rreziku më i madh për Kishën: “Kur Kisha bëhet e kësaj bote, kur e ka brenda shpirtin e botës, kur zotëron atë paqe, që nuk është e Zotit… Kisha është e dobët, një Kishë që do të mundet, sepse e paaftë të bartë mbi supe Ungjillin, mesazhin e Kryqit, shkandullin e Kryqit… Nuk mund ta bartë, nëse është e kësaj bote” (Mesha, 30 prill 2013).
Kur Kisha u kushton më tepër vëmendje gjërave materiale, nuk shkon përpara, por mbrapa. Papa argjentinas e fton Kishën Katolike të shqyrtojë hapat e bëra nga Koncili II i Vatikanit deri më sot. Pas 50 vjetësh, pyet Ati i Shenjtë, a kemi bërë gjithçka na tha Shpirti Shenjt në Koncil? “Jo. E festojmë këtë përvjetor, i bëjmë një monument, por të mos na bezdisë. Nuk duam të ndryshojmë. Edhe më tepër: ka zëra, që duan të kthehen mbrapsht. Kjo quhet kokëfortësi, kjo quhet dëshirë për ta zbutur Shpirtin Shenjt[sipas dëshirës], kjo quhet, të bëhesh i pamend e zemërngathët” (Mesha, 16 prill 2013).
Shpirti Shenjt, vazhdon ironinë Papa Bergolio, na bezdis, sepse na nxit të lëvizim, na bën të ecim, e shtyn Kishën përpara. Sigurisht, vëren Ati i Shenjtë, Kisha ecën gjithnjë ndërmjet Kryqit e Ringjalljes, ndërmjet persekutimit e ngushëllimit të Hyjit, por kjo është udha e kush ecën në të, nuk gabon. Kisha, përsërit disa herë Papa, është histori dashurie, jo organizatë burokratike. Në fund të fundit, Kisha është nënë: “Në këtë meshë ka shumë nëna. Si do ta ndjenit veten ju, nëse ndokush do t’ju thoshte: ‘Mos jeni organizatore e shtëpisë’? ‘Jo! Unë jam nëna!’ E Kisha është Nënë. Ne jemi në mesin e një historie dashurie, që shkon përpara me forcën e Shpirtit Shenjt e ne, të gjithë bashkë, jemi një familje në Kishën, që është Nëna jonë” (Mesha, 24 prill 2013).
Papa Patrikut kopto-ortodoks Tavadros II: “Dialogu na afron tek bashkimi i plotë”/“Lutja, dialogu e dëshira për të forcuar lidhjet, në dashuri të anasjelltë, do të krijojnë kushtet për të bërë hapa të rinj drejt bashkimit të plotë”. Është bindja e Papës Françesku, shprehur dje paradite, duke pritur në audiencë, në Vatikan, Patrikun e Kishës kopto-ortodokse. Audiencë historike, kjo, 40 vjet pas takimit të Palit VI me Shenudën III, që sanksionoi udhën teologjike, në të cilën nisën të ecin krahpërkrah të dyja Kishat. Mirëkuptimi e ballafaqimi teologjik e doktrinor janë bij të stinës paskonciliare, por rrënja shpirtërore, prej nga shpërthen sythi i afërsisë, është shumë më e lashtë, ka ngjyrën e gjakut të martirëve, që qenë dëshmitarë të parë të një trupi të vetëm të Kishës. Janë dy pikat, që Papa Françesku preku në takimin me Tavadrosin II, i cili njihet edhe me titullin ‘i 118-ti papë i Aleksandrisë dhe i Selisë së Shën Markut’, domethënë, i qytetit dhe i Ungjilltarit, me të cilët zë fill Kisha kopto-ortodokse. Kreut të saj, pritur sot në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa Françesku i shprehu menjëherë gëzimin, duke e quajtur takimin ‘çast i vërtetë hiri”: “Vizita e sotme forcon lidhjet e miqësisë e të vëllazërisë, që bashkojnë prej kohe Selinë e Pjetrit me Selinë e Markut, trashëgimtare të një aradheje tejet të çmueshme martirësh, teologësh, murgjërish të shenjtë e besimtarësh dishepuj të Krishtit, që brezni pas breznie e dëshmuan Ungjillin, shpesh në situata tejet të vështira”. Vij nga viset e Nilit, nga një Kishë me moshë 19 shekullore e nga një truall, atdhe i monakizmit, kujtoi Tavadros II, duke i drejtuar përshëndetjen e vet Papës. E me të, duke shprehur të njëjtin gëzim, që lexohej në fytyrën e Françeskut, duke e ftuar në vendin e tij e duke i bërë edhe propozimin: “Uroj që kjo vizitë të jetë e para e një serie të gjatë takimesh dashurie e vëllazërie ndërmjet dy Kishave të mëdha. Prandaj propozoj që 10 maji i çdo viti të kremtohet si festë e dashurisë vëllazërore ndërmjet Kishës katolike e asaj kopto-ortodokse”. Ideja e një feste të përbashkët është hap i ri në hullinë, që hapi 10 maji i vitit 1973, kur Pali VI dhe paraardhësi i Tavadros, Papa Shenuda III, nënshkruan “Deklaratën e përbashkët”, duke vendosur ‘gurin kilometrik’ të dialogut ekumenik dypalësh kopto-katolik. “Jemi të gëzuar, që konfirmojmë kështu, atë që Pararendësit tanë të ndritur deklaruan solemnisht; të gëzuar, që ndjehemi të bashkuar në një Pagëzim të vetëm, shprehje e të cilit është lutja jonë e përbashkët, e cila na kujton ditën kur, duke bërë vullnetin e Zotit, do të mund të kungohemi në një Kelk të vetëm! Jam i bindur se, të prirë nga Shpirti Shenjt, lutja jonë e përgjëruar, dialogu ynë dhe dëshira për të ndërtuar ditë për ditë bashkim, në dashuri të anasjelltë, do të na ndihmojnë të bëjmë hapa të rinj drejt bashkimit të plotë”.
Natyrisht, vijoi Papa Françesku, jemi edhe të vetëdijshëm se udha që duhet bërë, është ende e gjatë. E, megjithatë, në udhën, tashmë të kryer, nuk mungojnë çaste të ndritshme bashkimi, si Takimi i vitit 2000, kur Papa Gjon Pali II, shtegtar i Jubileut të Madh, takohej me Shenudën III, në Kairo, garanci e re kjo, theksoi Papa Françesku, për rrugën e bashkimit. Po bashkimi, vijoi të pohojë, nuk lind nga një çast feste. Lind nga ekumenizmi i vuajtjes: “Ashtu si gjaku i martirëve ishte farë e fryt për Kishën, kështu edhe ndarja e përbashkët e vuajtjeve të përditshme mund të bëhet mjet i frytshëm bashkimi, gjë që ka vlerë edhe për marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e jo të krishterëve: nga vuajtja e përbashkët, mund të mungullojë, me ndihmë të Zotit, falja e pajtimi”.
Në përfundim të takimit, Papa Françesku e Tavadros II u luten së bashku në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Pallatin Apostolik. Thanë bashkë Atynën e Lutjen e paqes.