E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islandezet Jo kthimit te borxhit Britanise se Madhe dhe Holandes

Rezultatet tregojnë se votuesit islandezë kanë hedhur poshtë marrëveshjen e miratuar nga qeveria dhe nga parlamenti për t’i kthyer rreth 5 miliardë dollarë Britanisë së Madhe dhe Holandës, për rimbursimin e qytetarëve të dy vendeve të  cilët kishin depozituar të holla në Icesave, bankën e falimentuar islandeze.

Në referendum, "Jo"  fitoi me më tepër se 57% të votave. "Eshtë pa dyshim një rezultat zhgënjyes”- komentoi kryeministrja, Johana Sigurdardotir. Edhe një vit më pare,  islandezët i kishin thënë jo kompensimit, por  autoritetet shpresonin një rezultat të ndryshëm pas miratimit të paketës nga parlamenti.

Çështja ka ndikuar në marrëdhëniet mes tre vendeve e sipas analistëve, ka vështirësuar rekuperimin nga kriza ekonomike e 2008-ës për  Islandën. Deri në momentin e fundit, dhjetëra votues kanë qenë të pavendosur tregojnë anketimet. Në 2008-ën, britanikët e holandezët kishin vendosur kursimet e tyre në bankën Icesave, me interesa të larta. Bëhej fjalë për një shumë totale mbi 5 miliardë dollarë.

Pas falimentimit të  bankës, autoritetet britanike e holandeze morën para hua për të kompensuar qyetarët e tyre e më pas kërkuan rimbursim të të hollave nga Islanda. Por kërkesa e tyre nuk u plotësua e të dyja vendet kërcënuan të bllokojnë aderimin e Rejkjavikut në BE. E ndërsa marrëveshja mungon ende, mbeten të bllokuara dhe këstet e një  huaje 4,6 miliardë dollarëshe të akorduar nga FMN-ja.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›