“Ismail Kadare”, “Azem Hajdari”, “Fan Noli” dhe “Nënë Tereza”, emrat e rrugëve të Shkupit

Debate të ashpra për shkak të emrave të përdorur
“Azem Hajdari”, “Ismail Kadare”, “Kumbara”, “Fan Stilijan Noli”, “Nënë Tereza” dhe “13 Gushti- Marrëveshja e Ohrit”, janë gjashtë emrat e figurave dhe ngjarjeve shqiptare të cilat do t’i mbajnë rrugët e Shkupit.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të qytetit të Shkupit.
Debati për ndryshimin e emrave u përcoll me incidente fizike, thyerje të dritareve të ndërtesës së Këshillit të qytetit dhe tentim për futje të dhunshme të disa anëtarëve të opozitës maqedonase në sallën e këshillit.
Mirëpo revolta nuk ishte për shkak të emrave shqip, por për shkak të propozimit të VMRO-DPMNE-së në pushtet për emërimin e një rruge me emrin Todor Aleksandrov, figurë të cilën opozita e vlerëson antimaqedonase, përkatësisht probullgare.
Edhe përkundër presionit të madh Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së miratuan ndryshimet e propozuara të emrave të 29 rrugëve.
Me këtë është rritur numri i rrugëve në kryeqytetin e Maqedonisë që bartin emra të figurave dhe ngjarjeve shqiptare, kurse emra të rinj paralajmërohen edhe në të ardhmen.