Poni, Whitmore: Shqipëria do përmbushë axhendën e saj të Presidencës së KiE

Zv/ministri i Brendshëm, z Ferdinand Poni priti sot në një takim Presidentin e Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale e Rajonale Z. Keith Whitmore, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e zhvillimit të mbledhjes së Byrosë së Kongresit në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Europës.
Zv.ministri Poni njohu gjerësisht Presidentin e Kongresit Whitmore me angazhimet që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të presidencës së Këshillit të Europës, posaçërisht për forcimin e demokracisë vendore, rritjen e bashkëpunimit mes të gjitha niveleve të qeverisjes, nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje etj.
“Modeli ynë i zhvillimit të qëndrueshëm tashmë është bërë mjaft atraktiv edhe për vendet fqinje me të cilat po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një bashkëpunim sa më të frytshëm në kuadër të shkëmbimit të përvojave për mirëqeverisjen vendore. Ne synojmë të shkëmbejmë dhe të vëmë në funksion të zhvillimit të përbashkët me fqinjët, përvojën tonë më të mirë, praktikat tona më të mira dhe sukseset tona”-u shpreh zv/ministri Poni.
Zv.ministri Poni theksoi në takim se Shqipëria është duke punuar me agresivitetin e nevojshëm pozitiv për të përmbushur përgjegjësitë dhe suksesin e nismave të parashikuara në axhendën e saj të Presidencës së Këshillit të Europës.
Presidenti i Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale e Rajonale Z. Keith Whitmore vlerësoi arritjet e Shqipërisë në kuadër të forcimit të demokracisë vendore si dhe shprehu bindjen se presidenca e Shqipërisë do të rezultojë shumë pozitive bazuar në programin e saj që i përmbahet axhendës së Kievit, dhe entuaziazmin me të cilin po punohet për realizimin e tij
Presidenti Whitmore shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me presidencën shqiptare për të realizuar me sukses të gjitha veprimtaritë e parashikuara gjatë saj, e posaçërisht aktivitetet që do të zhvillohen gjatë javës europiane të autonomisë vendore.