E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi për kreun e qarkut, 150 punonjës pa paga

Mungojnë avokatët, seanca lihet për në datën 18 nëntor

Fier- Shtyhet gjyqi në lidhje me zgjedhjen e kreut të Këshillit të Qarkut Fier, i planifikuar për ditën e mërkurë, ndërsa 150 punonjës janë ende pa paguar. Seanca gjyqësore ka mbledhur vetëm për disa minuta palët në Gjykatën Fier. Përballë njëra-tjetrës u vendosën institucioni i Prefektit të Qarkut, si palë paditëse përfaqësuar nga avokat Periant Teta, dhe Këshilli i Qarkut, që duhej të përfaqësohej nga avokatët Thimio Kondi e Mimoza Tato. Por këta të fundit kanë munguar, njëri për një proces në Gjykatën e Lartë dhe tjetri me punë jashtë kufijve. Në këto kushte, gjyqtarja e çështjes, Rilinda Selimi, vendosi shtyrjen e seancës për në datën 18 të këtij muaji. Objekti i kësaj çështjeje gjyqësore është kërkesa për pavlefshmëri të vendimeve që lidhen me zgjedhjen e kreut të këshillit të qarkut, Vangjel Ndreko, nënkryetarit dhe kryesisë së këshillit të qarkut. Nga ana tjetër po mbushen dy muaj që administrata e Këshillit të Qarkut Fier nuk është paguar. Rreth 55 specialistë e nëpunës të këshillit të qarkut, i dyti për nga madhësia në shkallë republike, nuk kanë përfituar rrogat e tyre mujore, për shkakun se është bllokuar me një vendim gjyqësor veprimtaria e kreut të qarkut, Vangjel Ndreko, nënkryetarit si dhe kryesisë së këtij qarku. Përballë faktit të bllokimit të firmës së kryetarit, Dega e Thesarit nuk legalizon kalimin e rrogave të administratës. Kreu Vangjel Ndreko ka pohuar se është Prefektura dhe prefekti Hasaj ai që bllokon këtë proces, bllokim i cili, sipas tij, është i paligjshëm, pasi gjykata mund të shprehet, por nuk mund të bllokojë, po sipas tij, procesin dhe veprimtarinë e Këshillit të Qarkut. Nga ana e tij prefekti Hasaj tha se në Thesar gjithçka është zhbllokuar. “Nuk pritet asnjë vendim për çështjen e thesarit. Në bazë të ligjit dhe sipas detyrimit ligjor, në të tilla raste funksionet e drejtuesit të Këshillit të Qarkut i merr prefekti“, - pohon Hasaj, duke sqaruar se ditën e sotme ngërçi i pagesave do të zgjidhej. Bashkë me specialistët dhe nëpunësit e Këshillit të Qarkut, nuk janë paguar për një muaj edhe rreth 100 punonjës të Mirëmbajtje Rruga, ndërmarrje e cila varet nga Këshilli i Qarkut. Shuma e të hollave të papaguara është rreth 7 milionë lekë të reja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›