E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismail Kadare: Të tre besimet kanë kontribuar në themelimin e frymëzimit perëndimor të shqiptarëve

Në daljen e parë të gjatë publike, pas marrjes së çmimit “Princi i Asturias”, shkrimtari i madh flet në një intervistë për emisionin “Opinion” lidhur me identitetin e shqiptarëve, karakterin perëndimor të tyre, pavarësisht nga përkatësia fetare, përballjen dinjitoze të tyre me racizmin, por edhe për nivelin e lartë të letërsisë sonë si dhe pritshmërinë që ai ka për marrjen e çmimit “Nobel”

...Çmimi Princi i Asturias më shumë se te vlera e tij, apo tek prestigji, është edhe një portë shumë e rëndësishme për të hyrë në letërsinë ose për t’u përkthyer në botën ispanike. Sa prezent jeni ju në këtë botë?

Unë jam shumë i botuar në botë, prej gati 40 vitesh, që në fillim, pas Francës, kanë qenë disa shtete evropiane që kanë botuar veprën time. Spanja ka qenë një ndër të parat dhe më tej, ka botuar Gjermania, Anglia, SHBA, Spanja etj.

Si ka qenë reagimi i kritikës dhe i publikut në Spanjë?

Të them të drejtën nuk e kam ndjekur në mënyrë të detajuar, ka qenë përgjithësisht si kudo në Evropë...

Shumë e çuditshme, meqenëse ju më përmendët vendet të cilët botuan të parët, Franca, Gjermania, Anglisht, SHBA, Spanja, të gjitha vende që në fund të viteve ’60, kur ju keni botuar në perëndim, ishin vendet më armiqësore me Shqipërinë komuniste të asaj kohe...

Po, absolutisht po.

Nuk përbënte një problem kjo për ju?

Problem që ende s’kuptohet nga një gjë unikale që një shkrimtar nga vendi më i ashpër stalinist, komunist, deri në Evropë si të thuash, reaksionare, tipike për mendimin tonë, për mendësinë tonë. Në Evropë qe një përzgjedhje, Shqipëria ishte armike, s’kishte as marrëdhënie diplomatike, veç Francës...

Si është përkthyer fillimisht dhe është botuar në Francë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?

Është botuar në Tiranë dhe jo në Francë. Është botuar falë nismës së Jusuf Vironit, i cili kishte dalë nga burgu, ishte pa punë dhe për qejf të tij, si të thuash, për nevojë të tij, i pëlqeu ky libër, erdhi tek unë, e kam njohur për herë të parë. Më tha zoti Kadare, do të doja që ta botoja. Po si, i thashë unë.

Ju nuk e njihnit?

Fare, nuk e njihja. E ka filluar ta përkthejë që në 1963-1964. Që në fillim. Kanë kaluar shumë vite dhe pastaj rastësisht u botua nga shtëpia botuese “8 Nëntori”, frëngjisht, në kolonën e letërsisë që botoi tek ne, gjithmonë thuhet që iu bë një privilegj Kadaresë. S’është e vërtetë, të gjithë shkrimtarët shqiptarë, pak a shumë të njohur, kishin libra të përkthyer anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht.

Por nuk dilnin në tregun perëndimor...

Sigurisht që nuk dilnin, por shpërndaheshin me anë të ambasadave, me anë të shoqatave.

Ishte pjesë e propagandës komuniste të kohës...

Absolutisht, pjesë e propagandës për botën e jashtme... Në radhë të parë ishin veprat politike sigurisht, të Enver Hoxhës, pastaj ishin vepra letrare, ishin pothuajse të gjitha vepra të përkthyera.

Dhe u botua në Shqipëri, në gjuhën frënge “Gjenerali ushtrisë së vdekur”...

Në 1967-1968.

Më pas...?!

Rastësisht i ka rënë në dorë një kryeredaktori të revistës “Evropa”, në Francë, Pier Parath, mik i vjetër i Shqipërisë, mik që nga koha e Zogut, jo mik për arsye të komunistëve. E ka marrë për ta lexuar, dikush ia dha në Tiranë, është habitur nga romani dhe është habitur edhe nga përkthimi. Më ka marrë leje, duke më telefonuar në ambasadë, nëse mund ta botonte gjëkundi. Ajo ishte vepër publike, e ka çuar dhe e ka botuar te shtëpia botuese parisiene, është botuar menjëherë.

Menjëherë?

Po, sapo e ka çuar ai. Dy vite pasi ka dalë në Tiranë.

Cila ishte buja që shoqëroi romanin?

Menjëherë është pritur që në javën e parë me një tufë artikujsh.

Ndërkohë ju e ndiqnit këtë bujë në Shqipëri?

Jo shumë.

Por e dinit që libri ishte botuar në Francë?

E mora vesh, nuk e kisha parë që ishte botuar, pas një farë kohe e kam parë botimin, pasi nuk kishte asnjë mekanizëm për të bërë lidhjen.

Kur kontaktuat për herë të parë me botuesin tuaj? Ishin ata që ju kërkuan pas botimit të parë?

Është një histori shumë e gjatë, nuk besoj se ka shumë kohë për ta treguar. Është një histori krejtësisht paradoksale. Në të gjithë Shqipërinë u hap fjala që unë jam ftuar nga botuesi francez, sikur nuk lejoheshin shkrimtarët shqiptarë që të venin në perëndim. Ka vazhduar thashetheme dhjetë muaj, një vit, ishin thashetheme, nuk ishte e vërtetë...

Drejtuesi i “Hachette”-it tha se i blenë menjëherë. Kam përshtypje që i blej ishte shumë vrastare për veshët tuaj në atë kohë...

Unë s’merrja as honorar, isha krejt shpërfillës për anën financiare. Prandaj kur shkoi i pari dëm...

Ku shkonin honoraret tuaja?

Vinin në Tiranë.

Për 20 vjet rresht?

Po.

Dërgoheshin në rregull?

Nuk besoj se dërgoheshin në rregull, se ata e kuptuan që unë s’kisha asnjë interes, ose autori s’merrte vesh nga llogaritë, as nuk konsultohesha, me siguri, nuk jam i sigurt...

Por paratë vinin në Tiranë për 20 vite rresht...

Po, në fillim kalonin tek shteti. Pastaj u bë një si ligj, që autorët nga botimet e huaja përfitojnë një përqindje të vogël, e cila llogaritej në mënyrë raciste, në kuptimin e dollarit amerikan, në një vlerë shumë të vogël, dhjetë herë më pak, vetë përqindja ishte e vogël, vetë vlera ulej, na katandisej në një gjë... Unë kur bëja udhëtime jashtë, që kisha ftesa herë pas here, që përgjigjesha pozitivisht, shkoja me këto honorare. Nuk i menaxhoja unë, i kishte shteti.

A e keni idenë se sa ishte kjo shumë për 20 vjet?

Jo, nuk e kam idenë. Mund të kem një ide të turbullt, duke ditur sa janë honorarët që kam marrë në këto 20 vite që kam marrë në Francë.

Sa mund të ishte kjo shumë?

Pak a shumë, rreth 2 milionë dollarë, por s’besoj se kanë arritur të gjitha në Shqipëri.

Ju nuk i kërkuat më këto para nga shteti shqiptar?

Jo, s’më është dukur, nuk e di. S’më është dukur e arsyeshme t’i kërkoj, është shtet i varfër sidoqoftë, nuk më vjen mirë t’i kërkoj.

Të rikthehem edhe një herë në një pikë shumë interesante. Do të doja të kthehesha tek Princi i Asturias, por po e kaloj në kohë. Meqenëse folëm për mënyrën se si ju erdhët dhe u botuat fillimisht në Francë, dhe më pas se si filloi një karrierë e juaja në perëndim, pasi nisi nga Franca. Sot jemi pothuajse katër-pesë ditë, nga 19 vjetori i largimit tuaj nga Shqipëria dhe vendosjes në Paris. Një veprim i cili radikalizoi krejtësisht lëvizjet në Shqipëri dhe dërgoi pastaj në lëvizjet e dhjetorit, dhe ndryshimin e sistemit në Shqipëri. Si e morët vendimin për të qëndruar në Francë, në tetor të vitit 1990?

Nuk ka qenë i menjëhershëm. Ishte më i gjati i shtrirë në kohë. Vendimi ishte marrë në fillim të vitit 1990. Unë kam pasur një korrespondencë me Ramiz Alinë, e cila është botuar. Atje duket krejt qartë...

Kishit shpresë tek Ramiz Alia në fillim fare?

Po, sepse siç kishte njerëz në Shqipëri që besonin, megjithëse siç kishte shumë njerëz që thoshin se nuk ka çfarë bën...

Ju e njihni dhe personalisht mirë, në mos gaboj...

E njihja, e kam takuar shumë herë, të gjithë shkrimtarët e kishin takuar, ai kishte marrëdhënie, ishte i lehtë shumë në marrëdhënie...

Nuk e ruante staturën e ashpër të drejtuesit...

Absolutisht, ishte i afrueshëm shumë. Me të mund të flisje, mund të flisje edhe me guxim dhe gjëra që nuk thuheshin zakonisht mund të shpëtonin, mund të bëje shaka të rënda. Të gjithë ne e njihnim, ishte i afrueshëm. Por në këtë rast, korrespondenca me të për mua ishte fatale, ishte një zhgënjim absolut.

Ky ishte zhgënjimi i parë i juaji me Ramiz Alinë, apo kishit pësuar edhe një zhgënjim të mëparshëm?

Herë pas here të justifikueshme ishin zhgënjimet, ky njeri s’ka çfarë bën, është sekretar i partisë. Ka dy gjëra, ka bindje të tilla dhe s’ka çfarë bën. Disa anonin nga njëri shpjegim, disa nga tjetri. Letërkëmbimin me të mund ta lexojë kushdo, është botuar disa herë. Ishte vërtetë skandaloz nga ana e tij, një njeri që s’e njeh më, sikur të del përpara një njeri i shfytyruar, unë kuptova të gjitha dyshimet që kisha përpara...

Që ishin...?

Këtu është një gjë e keqe që nuk shpjegohet se çfarë po ndodh me Shqipërinë. Këtë e kam shpjeguar edhe më parë, kur kam kaluar nga Gjermania, kur ambasadori ynë në Bon gati po ikte nga mendja nga kjo tronditje, përse Shqipëria nuk do...

Nga zhgënjimi që pësuat nga Ramiz Alia, ishte një zhgënjim që e pësuat nga ai vetë, apo mendoni që as Ramiz Alia nuk ishte i lirë për të marrë vendime?

Një kompleks. Ky vend thashë unë, këtu nuk ndreqet më, tani për tani. Këtu ka diçka, unë s’e dija këtë të puçistëve. Ndonjëherë gazetarët kur unë kam pyetur, e kanë rrumbullakosur sikur unë e dija këtë. Unë s’mund ta dija në atë kohë, dija vetëm që ka një bllokim misterioz të afrimit me perëndimin, me pretekste absurde, jo na kërkon të hapen kisha, xhami, jo na kërkuan këtë apo atë, jo na kërkojnë shumë, jo na ndërhyjnë, ato ishin të gjitha gënjeshtra...

Ju kishit qenë në një eveniment të rëndësishëm në Paris, një vit më parë në korrik të vitit 1989, me rastin e 200 vjetorit të Revolucionit Francez. Në këtë ceremoni ju jeni takuar edhe me presidentin Bush, plakun. Përse nuk vendosët të qëndronit që atëherë në Francë, por vetëm një vit më pas?

Nuk isha përgatitur ende për një gjë të tillë, nuk e kisha menduar. Pas një muaj e gjysmë i bëra një letër presidentit Bush, e cila është e dokumentuar. Kjo letër është shkruar në bashkëpunim me botuesin tim për të qenë me një frëngjishte të përkryer dhe i është çuar në dorë në dorë presidentit nga Viser, novelist dhe një miku ynë. Ajo letër ende në atë kohë të kushtonte kokën dhe ishte tepër e rëndësishme, për këtë arsye miku im, më ndihmoi t’ia dorëzonte personalisht presidentit amerikan.

Nuk pati asnjë reagim ndaj kësaj letre?

Në fund të letrës shkruaja që nuk doja asnjë përgjigje. Letra ishte treçerek faqeje, unë vetë nuk kam mbajtur një kopje. Letra mbështetej në dy motive, e para i kërkoja ndjesë për qëndrimin antiamerikan të qeverisë shqiptare, ku i thosha që populli shqiptar mendon ndryshe dhe këtë do ta tregoj koha. Kombi shqiptar vuan nën dy diktatura komuniste, një shqiptare dhe një serbe në Kosovë. Të dyja këto kanë shpresë nga ndihma juaj. I thoja të mos besonte asgjë nga ato që dëgjonte, se të dyja pjesët e kombit të ndarë, kishin një tjetër vizion për Amerikën.

Rikthehemi në evenimentin më të fundit. Pse zgjodhët të flisnit shqip në ceremoninë e marrjes së çmimit Princi i Asturias?

Doja të flisja në shqip dhe pse ky ishte eveniment i parë i kësaj rëndësie, ku unë përdorja gjuhën shqipe. Unë, në pyetjen se në ç’gjuhë doja të flisja dhe zgjodha shqipen, sepse në këtë gjuhë është krijuar vepra ime që ka fituar çmim. M’u duk e arsyeshme të flisja në atë gjuhë, me të cilën kam krijuar veprën time.

Dhe si u prit?

Kjo gjë u prit shumë mirë. Në fjalën që mbajti Princi më pas, unë për herë të parë dëgjova elozhe për gjuhën shqipe.

Çdo me thënë hera e parë?

Gjuha shqipe nuk para mburret. Ajo flitet nga 10 ose 12 milion njerëz, që në Evropë është një popullsi mesatare, nuk është e madhe, po as e vogël. Gjuha suedishte flitet nga më pak, danishtja, sllovenishtja etj. Nuk ka popull në Ballkan që të ketë më shumë njerëz.

Ju po thoni se në njëfarë mënyre ka një lloj racizmi kundrejt shqipes?

Absolutisht që ka. Racizmi është si mortaja që bie në dy forma, në formën kulturore dhe racizmi i mirëfilltë është i vështirë për t’u shprehur, se është edhe i dënueshëm. Por forma kulturore është edhe forma legale e tij. Shqipëria, unë e them me vetëdije të plotë, që ndodhet nën projektorët e racizmit. Kjo vjen nga një kombinim rrethanash dhe nga një seri faktorësh. Unë kam shprehur mendimin se shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, kombi shqiptar duhet t’i bien kambanës, për mbrojtje ndaj racizmit. Sepse Shqipëria është populli kandidat në Evropë, për të zënë vendin e hebrenjve. Asnjë popull në Ballkan nuk ka pësuar kaq shumë shpërngulje se shqiptarët, dhe shumica e popullit është e shpërngulur. Ato genocide dhe spastrime etnike për të cilat tani bëhet bujë, ne kemi vite që jemi mësuar me to.

A ka paragjykim të fortë ndaj Shqipërisë dhe a ndikon ky edhe në proceset integruese?

Po ka dhe ndikojnë në gjithçka. Racizmi antishqiptar, pa e vënë vendin tim në pozitën e viktimës, sepse nuk e pranoj këtë vizion dhe nuk është i denjë. Por shqiptarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm, që janë kombi më i shpërngulur dhe para 150 vjetësh, po ecte drejt shuarjes. Rilindja Shqiptare e shpëtoi kombin, dhe i ra asaj kambane për të cilën unë po flas. Por edhe ky aksion i madh i rilindjes, tani shfrytëzohet për keq dhe tani quhet si nacionalizmi shqiptare dhe sikur ne jemi një komb artificial që s’kemi qenë.

Nga se vjen racizmi ndaj shqiptarëve, cili është shkaku i tij?

Shkaku është se vetë shpresa që ne i kemi dhënë njerëzve në Ballkan, që ne mund të ikim nga ky gadishull, që jemi të ardhur vonë rastësisht dhe po kështu mund të ikim. Fakti që shumë kanë ikur dhe janë shpërngulur në Azi, ka zgjuar oreksin e diplomacive dhe rretheve shoviniste. Në Shqipëri duhen botuar urgjentisht veprat e Josiçit, të përkthyera nga Mustafa Kruja, për të parë shqiptarët se ç’thonë serbët për ta. Ky racizëm projektohet edhe tek vendet më të mëdha, nga fqinjët tanë.

A jemi ne përgjegjës për këtë?

Ne jemi përgjegjës të drejtpërdrejtë, për racizmin antishqiptar. Ne jemi vetë racistë.

A ka një paragjykim për faktin, se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë myslimanë?

Ka sigurisht, sepse nuk e kemi shpjeguar asnjëherë se ç’janë myslimanët shqiptarë. Sepse ne jemi dalldisur pas urrejtjes, përçarjes, përfitimeve spekulative. Unë e kam shprehur mbi 10 herë mendimin tim, për myslimanët shqiptarë. Mendimi im është ky që, pa myslimanë shqiptarë nuk ka komb shqiptar, sepse ata janë korpus kryesor i shtetit shqiptar. Ata janë shqiptarë në radhë të parë si gjithë të tjerët, janë evropianë. Nuk ka asnjë ndryshim nga myslimani shqiptar dhe ai katolik, ortodoks, apo çdo fe tjetër në raport me Evropën. Këta janë shqiptarë të kontinentit evropian, pavarësisht nga feja që kanë. Shqipëria do të hyjë në Evropë me të gjitha besimet e saj, pa asnjë dallim. Askush nuk ka pse të mburret se është shumicë, tjetra të thuhet se ka thellësi vertikale, tjetra se ka merita të tjera gjatë rilindjes. Jo sepse ne jemi bashkë. Unë kam dhënë një shpjegim, sipas të cilit kam dashur të shqyrtoj arsyet e konvertimit. Këto nuk janë vetëm dhuna dhe interesat pragmatiste, as vetëm etja, por është edhe një arsye tjetër e rëndësishme, që është problemi i lirisë në mënyrë të tërthortë, në kuptimin, e drejta për të mbajtur armën. Administrata otomane është treguar e zgjuar dhe ka nxjerrë dekretin sipas të cilit të krishterët shqiptarë nuk mund të kenë armë, kurse po u bënë myslimanë, të mbajnë armë. Me dhjetëra mijëra shqiptarë nga ky fakt kanë qenë në një dilemë tragjike dhe kjo ka luajtur një rol të madh. Një shtëpi me armë në Mesjetë kishte një peshë tjetër, një shtëpi e armatosur nuk është kurrë e robëruar 100 për qind, sepse kjo është edhe diçka psikologjike që ndodh. Sipas formulës së vjetër mesjetare, ku është shpata aty është dhe feja.

Ka një tezë që islamizimi para komunizmit është i ndryshëm nga ai pas tij. Sipas kësaj teze, pas komunizmit, islamizmi është më radikal dhe më afër vendeve arabe sesa ai turk që kemi pasur ne më parë?

Ka mundësi, për mua është shumë i qartë islamizimi tradicional shqiptar, i cili është shumë i emancipuar, padyshim në Evropë dhe në botë. Ai është më i zhveshuri nga paragjykimet penguese, për këtë arsye duhet të jetë më i pakompleksuari nga të gjithë.

A duhet ta fshehim ne faktin e të qenit myslimanë, për shkak të procesit të integrimit?

Ne dhe të duam ta fshehim nuk e bëjmë dot. Por ne ndërkaq nuk na lejohet të mos e dimë historikisht, pse jemi myslimanë. Duhet të kuptojmë që legjitimiteti i besimeve në vend është i barabartë, ky nuk është slogan, të tre janë të gjitha legjitime. Nëse të krishterët do të thonë që ne jemi më të vjetrit, myslimanët kanë dalë nga ata, për këtë nuk ka meritë.

Ka një tezë, sipas të cilës Shqipëria po shënjon disa mite me identitet kristian, si Skënderbeu, Nënë Tereza, për t’u bërë më të pranueshëm për Evropën, kur këta nuk kanë pse të jenë mite në një vend me shumicë myslimane...

E para, ne nuk kanë pse të na tregojnë të tjerët mësime morali dhe historie. Kur duan të tregojnë ty çfarë je është një nga format më të holluara të racizmit. Skënderbeu, pikë së pari nuk e ka peshën për shkak të përkatësisë fetare, ai i ka kaluar tre besimet, ai nderohet për liri dhe asgjë tjetër.

A është Skënderbeu më shumë një figurë mit, sesa një figurë reale?

Nuk është kështu, ai është një nga figurat më të faktuara të historisë. Po kështu ai ka pasur edhe një rol të jashtëzakonshëm. Për këto dy aspekte ai është në krye të këtyre karakteristikave.

Po për Nënë Terezën ka një tezë, sipas të cilës ajo është produkt i një kulture të pastër kristiane dhe se Shqipëria në vend që ta respektojë këtë produkt për çfarë është, po e tejkalon dhe po e përdor për qëllime nacionaliste?

Më fal ku po e përdor Shqipëria, këtë figurë, a kemi marrë ndonjë krahinë në emër të saj? As hua ndërkombëtare, asnjë gjë tjetër s’kemi përfituar prej kësaj figure. Nënë Tereza si çdo njeri tjetër në këtë botë, ka dy shenja bazike, e para koha kur ka lindur dhe e dyta vendi nga është. Këto janë informacionet kryesore, ajo është e tërë njerëzimit, por nuk ka asnjë të keqe të thuash se është shqiptare. Ne nuk e kemi përdorur, përkundrazi kemi qenë të ftohtë kundrejt kësaj figure. Ajo është një krenari e ligjshme e jona, kur për shqiptarët thuhet se janë kriminelë dhe të pashpirt dhe se nuk e vlerësojnë jetën, ti thua prit se ky popull ka një model dhe ky model është jashtëzakonisht i fisshëm, kundër kapardisjes së vetë, kundër mendjemadhësisë mitike të shqiptarëve. Nëse ne kemi një model i cili na korrigjon këtë cen të tonin, nuk ka asgjë të keqe. Nënë Tereza ka kapërcyer modelin ballkanik, por edhe atë kristian, pra ka dalë në rolin e saj planetar, duke nisur nga fakti se ka shërbyer në Indi, ku ka pak të krishterë.

Një tezë tjetër që vjen nga pjesa islame në Shqipëri, thekson se emri i Nënë Terezës është përdorur në shumë për sheshe, aeroportin etj, ndërsa kjo gjë nuk është bërë me figurat myslimane?

Unë nuk njoh ndonjë figurë me përmasa të tilla nga ana myslimane. Figura të mëdha të rilindjes si vëllezërit Frashëri kanë qenë myslimanë, bektashinj, mbreti Zog ka qenë mysliman dhe nuk e di për kë tjetër e kanë fjalën. Por nuk jam dakord që Sami Frashërit t’i vendosim emrin Shemshedin, se kështu duan turqit.

A është një problem nacionalizmi shqiptar?

Nacionalizimi është terreni më spekulativ. Ai ekziston por varet se çfarë kuptimi i jepet. Në Francë Ministria e Arsimit, quhet Ministria e Edukimit Kombëtar Nacional, po të duam të kapemi nga fjalët, i japim një kuptim të keq. Nacionalizimi është burim të këqijash pa fund dhe po kështu është burim i patriotizmit, që është ndjenja më normale në botë...

Ju morët çmimin Princi i Asturias nga Spanja, në një vend që ka dëshmuar vitet e fundit një ndjenjë të fortë apo kundërshtim ndaj pro-amerikanizmit, si Franca. Përse në disa televizione ju akuzojnë për proamerikanizëm?

Mua nuk më bën asnjë përshtypje kjo. Nuk kam asnjë interes si shkrimtar për shembull më shumë për Amerikën sesa për Francën. Por ndërkaq, unë nuk kam asnjë kompleks, që ta tregoj hapur, që nuk jam dakord me propagandën antiamerikane.

Ekziston një propagandë antiamerikane e fortë këtu?

Po ekziston për një pjesë. Është një inerci e kohës së luftës së ftohtë. Unë kam thënë gjithnjë se ne jemi ngopur me këtë propagandë, se ka qenë baza e stalinizmit. Kot na kërkoni mendim për këtë, ne na ka ardhur në majë të hundës. Mua kjo nuk më krijon ndonjë problem. Një pjesë e Francës është dakord me këtë mendim, se nuk është e tërë Franca antiamerikane. Por nuk ka pse të bëjmë rolin e naivit, unë kam pjesën time të mirënjohjes në atë mirënjohje që ka kombi shqiptar për Evropën atlantike, e cila s’mund të konceptohet pa SHBA. Ndjeshmëria ime ndaj këtij shteti, është jo artificiale por e plotë dhe bazohet në një kujtim të vjetër kombëtar. Është vështirë që të thuhet se shqiptarët u bënë pro amerikanë tani, ka një traditë shqiptare. Mos harroni Ndre Mjeda, poet që ka shkruar një poemë, “Liria”, më 1895. Mendoni, në atë kohë Shqipëria ka qenë pjesë e perandorisë otomane dhe në një nga poemat më të shquara të letërsisë shqiptare, i bëhet një himn lirisë, duke marrë Amerikën si model. Në këngët e shumta popullore, baladat, në historinë e kurbetit shqiptar me Amerikën. Veç kësaj në propagandën e egër, të shfrenuar antiamerikane, regjimi komunist, sigurisht krijoi një nostalgji të veçantë për Amerikën. Pra nuk është e re kjo gjë se shumë herë na quajnë një vend konformist, gati-gati servil të Amerikës. Por mua s’më bën asnjë përshtypje një gjë e tillë. Amerika është një vend i madh, demokratik, që ka problemet e saj si çdo vend i madh dhe problemet i ka të mëdha.

Ju keni marrë pothuajse të gjitha çmimet e rëndësishme ndërkombëtare, por nuk keni marrë një çmim që njihet si më prestigjiozi, çmimi Nobel. Ju dhemb kjo gjë?

Po pse duhet ta marr. Ka shumë shkrimtarë të shquar, që nuk e kanë marrë këtë çmim. Është e çuditshme, se nga shumë shqiptarë kjo interpretohet sikur Kadareja, plasi të marrë çmimin Nobel.

Ju vjen keq që nuk e keni marrë?

Jam mësuar me këtë gjë të them të drejtën. Por nuk është ndonjë befasim i madh, ka shumë shkrimtarë që presin, nuk jam vetëm unë.

Si shpjegohet që Nobeli si çmim, shpesh herë shkon tek figura fare minore në raport me letërsinë botërore?

Nuk di si ta jap këtë shpjegim. Ndoshta kënaqësia për të bërë njëfarë befasimi. Ndoshta është një kënaqësi e fshehtë.

A ka ndonjë përzgjedhje politike në çmimin Nobel?

Kështu është thënë, por nuk e besoj. Dikur thuhej se e kanë në dorë amerikanët, doli që s’e paskan dhe aq shumë në dorë ata. Dikur thuhej se e kishin në dorë hebrejtë, por as ata nuk doli tas kishin. Pra çfarë nuk thuhet. Që ka pasur një prirje disa herë të majtë, ka pasur, por ka pasur edhe prirje të djathta.

Ka pasur një debat të imponuar nga Rexhep Qosja, sipas të cilit, letërsia shqiptare nuk është në nivelin e letërsisë evropiane. Është e vërtetë kjo tezë apo jo?

Po të them unë që letërsia shqiptare është evropiane, do të thonë se ky po mburr veten. Letërsia përbëhet nga individët. Letërsia, ashtu sikurse pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, mund të vijë edhe me një dallëndyshe, por mund të mos vijë edhe me 20 dallëndyshe. Letërsia mjafton një majë e saj të rritet, ai është niveli i saj. Letërsia nivelin e saj nuk e ka tek fundi, por e ka tek maja. Sipas një të thëne të vjetër, shpejtësia e një flote është shpejtësia e anijes më të ngadaltë. Kjo është e vërtetë, se një flotë lëviz bashkërisht. Në letërsi është e kundërta, shpejtësia e flotës është shpejtësia e një anijeje më të shpejtë. Është një absurditet pra ky, i pafund. Letërsia shqipe ka botime, që nuk di vend tjetër ballkanik që ta konkurrojë. Praktikisht është nga më të popullarizuarat, letërsia shqipe. Botimet e xhepit, që janë botime me miliona kopje, që nga botimet në shkolla, por dhe nga çmimet. Nëse letërsia shqipe merr dy çmimet kryesore, veç Nobelit në dy vite, çfarë i kërkoni më tepër kësaj letërsie. Unë habitem kur e thonë edhe studiuesit e huaj. Më duket një racizëm i tërthortë. Ne na është bërë zakon të hapim gojën, se çfarë do të thotë studiuesi huaj. Nuk është keq t’i dëgjojmë, por që të vijë studiuesi dhe me mendjemadhësi të thotë, këta shkrimtarë bëjnë, këta të tjerë jo, kur në vendin e vet është një mësues fshati, më pak i njohur se një mësues katundi, edhe ndihet zot në vendin tënd, ky është racizëm. Kjo ka ndodhur për fat të keq në Shqipëri...

Marrë me shkurtime nga TvKlan

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›