E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr garancitë e kancelares Merkel se kërkesa shqiptare do të jetë në krye të axhendës së parlamentit gjerman



Kancelarja gjermane Angela Merkel e siguroi Kryeministrin Berisha se do të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen më të shpejtë të mundshme të problemit teknik lidhur me konstituimin e Parlamentit gjerman



Kryeministri Berisha mori pjesë dje në punimet e Samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane (EPP), që u zhvillua në Bruksel. Gjatë punimeve të këtij Samiti, Kryeministri Berisha zhvilloi takime me shumë nga personalitetet e pranishme, ndër të cilët edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo e siguroi Kryeministrin Berisha se do të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen më të shpejtë të mundshme të problemit teknik lidhur me konstituimin e Parlamentit gjerman.


Pas takimit, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat:


“Ky ishte një Samit i mrekullueshëm, në të cilin u diskutua gjerësisht për Samitin e Kopenhagenit dhe për Traktatin e Lisbonës. Në këtë Samit, unë pata rastin të takohesha dhe të bisedoja me shumicën dërmuese të të pranishmëve. Interesi im më i madh ishte që të takohesha dhe të bisedoja me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila më premtoi se problemi teknik për konstituimin e Parlamentit gjerman do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur që duhet t’a konstituojë Parlamentin para çdo vendimi që ka të bëjë më Bashkimin Evropian. Kështu që, pasi e urova Kancelaren Merkel për fitoren e madhe dhe historike, për mbarë Evropën, në zgjedhjet e shtatorit, i bëra të ditur problemin se Shqipëria është në pritje të këtij momenti dhe se Presidenca suedeze pret që të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane, në mënyrë që të diskutojë në Këshill statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vendet e tjera nuk kanë ndonjë rezervë. Kancelarja Merkel më informoi se dje (të mërkurën) ishte mbledhur Parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim do të vazhdojë konstituimi. Ajo më siguroi se do të bëjnë çdo gjë për t’a realizuar këtë në kohën më të shkurtët të mundshme. Këto ishin fjalët me të cilat unë u ndava me Kancelaren e Gjermanisë znj. Angela Merkel, për të cilat duhet ta falënderoj me shumë mirënjohje.


Natyrisht, gjatë qëndrimit në Samitin e Partive Popullore Evropiane pata takime të shumta, por dua të theksoj një moment që u prit me duartrokitje të mëdha, fakti i fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse ky ishte Samiti i parë që unë merrja pjesë pas fitores. Unë mbajta një fjalim të shkurtër, ku pasi theksova se fryma e Samitit të PPE-ve në Varshavë ndriçoi mbarë Evropën dhe qendra e djathtë ulet sot në këtë sallë më e fuqishme se kurrë në pushtetin e saj, në vendet e Parlamentit dhe në Komisionin Evropian, i shpreha një mirënjohje të thellë Presidentit Wilfried Martens për fjalimet e tij inspiruese për zgjedhësit shqiptarë në Durrës dhe Tiranë, në ditën e fundit të fushatës elektorale, si dhe shpreha dëshirën time për të vazhduar së bashku për fitoren në zgjedhjet e vitit 2013-të, dëshirë e cila gjeti mirëkuptim të madh dhe mbështetje të fuqishme në sallë.


Zoti Kryeministër, pavarësisht se ekziston vullneti dhe duket se çdo gjë do të përmbyllet brenda këtij viti për sa i përket kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, mos ndoshta këtë mund ta zbehë pak bojkoti i opozitës?


Kryeministri Berisha: Bojkoti i opozitës është në një moment shumë të papërshtatshëm për vetë pamjen e vendit, por duke qenë një akt pa asnjë arsye ligjore nuk mund të bllokojë proceset që janë të një rëndësie kapitale për vendin. Natyrisht, shpresojmë që ftesat e përsëritura të mia ndaj opozitës të shqyrtohen seriozisht dhe ai të pranojë që partia e tij të vazhdojë bashkëpunimin në interesin më të mirë të forcave tona politike, por edhe në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë.


Zoti Kryeministër, a keni të njëjtin optimizëm edhe për liberalizimin e vizave?


Kryeministri Berisha: Po, plotësisht dhe pa asnjë diskutim. Vizat janë në një proces ecurie normale. Premtimi imi është për liberalizimin e tyre në vitin e parë të këtij mandati dhe ne po plotësojmë kërkesat. Unë nuk shoh asnjë lloj problemi përveç faktit që ne duhet të plotësojmë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë që shtrohen nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave.


Zoti Kryeministër, a ju shpjegoi Zonja Merkel se a kemi të bëjmë me çështje politike, a e konsideroi takimin në Bundestag, shqyrtimin e raport progresit apo nuk pati asnjë shqetësim të tillë?


Kryeministri Berisha: Absolutisht, në mënyrë kategorike, nuk pati asnjë lloj lidhje me Raport Progresin. Raport Progresi është raporti më i shkëlqyer që është lëshuar ndonjëherë për Shqipërinë. Në mënyrë të veçantë, Raport Progresi i bën nder çdo shqiptari, fatkeqësisht me vonesë, për çështjen e zgjedhjeve, sepse këto janë zgjedhjet e para që kanë vlerësimin më të mirë në këtë Raport Progres. Kur të bëhen Raport Progresi të tjera zgjedhjet do të jenë përmbledhur në një rresht, normal si për vende të tjera, por për ne, ngaqë kemi pasur probleme, ky Raport ndalet dhe bën vlerësimin më pozitiv të tyre. Për ata që e lexojnë me vëmendje, Raport Progresi ka një kapitull tjetër, jashtëzakonisht të rëndësishëm, që vlerëson në mënyrë shumë objektive përpjekjet dhe luftën e qeverisë time në luftën kundër korrupsionit. Unë mendoj se ministri i Jashtëm i Holandës, në mënyrën se si e shpjegoi e shpjegoi shumë qartë. Duhej Raport Progresi, në qoftë se bëhej fjalë për një problem politik, duhej detyrimisht raporti i zgjedhjeve, por në qoftë se bëhej fjalë për marrëdhënie që i përkasin qeverisë gjermane me parlamentin gjerman, ky është një problem kushtetues ligjor.


Është një rrjedhim i Traktatit të Lisbonës...


Kryeministri Berisha: Dakord, por jo të gjitha. Ligjvënësit gjermanë çuan Traktatin e Lisbonës në Gjykatën Kushtetuese gjermane, e cila e gjeti Traktatin të përputhshëm me ligjin kushtetues dhe Kushtetutën gjermane, por, theksoj, qeveria duhet t’i marrë vendimet duke pyetur Parlamentin.


Nga ana tjetër, Zoti Fratini thotë se ka zhvilluar me Ju një takim gjatë Samitit të EPP-së, për çështjen e kandidaturës...


Kryeministri Berisha: Unë bisedova me të gjithë për të gjitha problemet. Natyrisht, aty nuk ka vetëm fjalime, por ka edhe takime. Ai është një mjedis shumë si favorshëm për të trajtuar të gjitha problemet, por problemet më të mëdha që u trajtuan në Samit ishin Samiti i Kopenhagenit dhe ndryshimet klimaterike, një qëndrim i përbashkët i Evropës në këtë drejtim. Një tjetër problem që u diskutua ishte edhe Traktati i Lisbonës, natyrisht, u theksua që nuk do të diskutohet gjatë pasdites, kur është Samiti Evropian, për emra të veçantë për Presidentë të Bashkimit Evropian, pasi pritet firma e Presidentit cek dhe të finalizohet i gjithë raporti. Gjithsesi, ky ishte një Samit shumë i dobishëm për mua.


Mund të na thoni, me gjithë këto takime që keni pasur, nëntori apo dhjetori do të jetë sipas jush?


Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje e drejtë, por çdo gjë varet nga agjenda e konstituimit të Parlamentit gjerman. Për shembull, Kancelaria gjermane me tha se Parlamenti gjerman u mblodh dhe ka zgjedhur kryetarin, por pas kësaj janë komisionet, kryetarët e komisioneve, etj. Parlamenti ka procedurat e tij, por e rëndësishme ishte që tek Kancelaria gjeta gatishmërinë më të madhe për të ndikuar që kjo çështje të marrë përgjigje me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Por, a bëhet në nëntor para festave të pavarësisë, apo bëhet në dhjetor për festën e pluralizmit, vitit të ri apo Krishtlindjeve, këto janë lajme të gëzueshme dhe që në secilin muaj shqiptarët janë dakord t’i bëjnë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›