E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare, edhe një herë për çmimin ‘Nobel’

Akademia e Shkencave propozon shkrimtarin si kandidaturën shqiptare për çmimin më prestigjioz në letërsi

Është fakt i njohur tashmë që shkrimtari Ismail Kadare ka qenë disa herë në listën e shkurtër të kandidaturave për çmimin ‘Nobel’ në letërsi dhe, me sa duket, do të mbetet edhe për shumë kohë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka propozuar sërish shkrimtarin Ismail Kadare si kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi për vitin 2012. Në emër të kësaj Akademie, kryetari i saj, akademik Gudar Beqiraj i ka propozuar Komitetit për çmimin ‘Nobel’ pranë Akademisë Suedeze, shkrimtarin e shquar Ismail Kadare (njëkohësisht dhe anëtar i Akademisë së Shkencave), si kandidati shqiptar për çmimin Nobel me motivacionin: në njohje të veprave të tij, tashmë të përkthyera në shumë gjuhë të botës, si dhe të vlerave si përfaqësues i artit dhe kulturës. Propozimi i është bërë Komitetit të çmimit më prestigjioz në botë që jepet nga Akademia Suedeze, me kërkesën e saj për një kandidaturë nga pala shqiptare. Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin ‘Nobel’, por pa mundur ta fitojë atë. Shpeshherë, në prag të çmimeve ‘Nobel’ në letërsi, emri i tij lakohej shpesh si fituesi i mundshëm. Kuotimet për shkrimtarin shqiptar që tashmë është bërë ndër “më të vjetrit” kandidatë që synojnë këtë çmim, gjithmonë kanë qenë në nivele të larta. Por pavarësisht kësaj, Kadare në asnjë nga rastet e mëparshme nuk ka mundur ta fitojë këtë çmim, edhe pse ka qenë shumë pranë tij si pjesë e listës së ngushtë të pretendentëve. Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga vitit 1994, ai është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës me një grup personalitetesh të shquara si Vaslav Havel, Papa Bonifaci XVI, Mbreti Huan Karlos etj. Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009, ai u nderua dhe me Çmimin e Madh spanjoll në letërsi, “Princi i Asturias” një tjetër çmim prestigjioz letrar në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës, ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›