Besnik Mustafaj: Edi Rama s’ka gjë me letërsinë, Ben Blushi gjysmë-shkrimtar
Politikani-shkrimtar, Besnik Mustafaj komenton botimet e figurave politike, vëmendjen që ato morën në panair dhe kujtimet e Helena Kadaresë. “Edi Rama nuk ka asgjë me shkrimtarin. Ai është një njeri që i shkruan mirë tekstet që i duhen për karrierën e tij politike. Libri i Helena Kadaresë, i shkruar me stil të respektueshëm, por të jetë e ndershme në përshkrimet që bën”
Për një politikan-shkrimtar si Besnik Mustafaj, Edi Rama nuk ka asgjë me shkrimtarin, Ben Blushi është gjysmë-shkrimtar dhe përqendrimi i vëmendjes tek librat e tyre tregon në njëfarë mënyre politizimin e lartë në shoqërinë shqiptare. I ftuar në emisionin “Intervista” të Roland Qafokut në “Planet Tv”, Mustafaj ka folur gjatë për letërsinë, për jehonën mediatike të Panairit, por edhe për kujtimet e Helena Kadaresë, ku është vetë një ndër personazhet. “Mendoj se është një libër i shkruar me një stil absolutisht të respektueshëm, shumë të mirë. Është brenda natyrës së znj. Kadare, e cila është një njeri pozitiv nga natyra, por të jetë e ndershme në përshkrimet që bën”, - thotë ai. Në këtë intervistë, Mustafaj shton se “nuk e njeh” personin që mund të shkruajë kujtimet e PD-së, si dhe pohon se në axhendën e tij nuk parashikohet një rikthim i tanishëm në politikën aktive.
Ju dikur keni deklaruar se vetëm ish-shkrimtar nuk do të mund të jem, ndërsa gjithçka tjetër mund të jetë ish. Si ndiheni sot pas kaq shumë vitesh që keni pohuar diçka të tillë? Ndjehem i qetë, se do të thotë që unë e dija që atëherë që isha në funksione të rëndësishme, me privilegje të rëndësishme që ka pushteti dhe nën dritën e prozhektorëve që të sjell pushteti unë e kam ditur se cili është thelbi im i vërtetë. Më vjen mirë që pushteti nuk më ka turbulluar në momente që kam pasur rrezik të turbullohesha.
Megjithatë, kur u larguat si ministër i Jashtëm duke dhënë dorëheqjen, thatë që ndiheshit i lodhur. Ju ka çlodhur letërsia gjatë kësaj kohe që nuk jeni marrë me politikën aktive?
Letërsia nuk është lodhje, ajo është një aktivitet jashtëzakonisht serioz. Por unë ndihem i çlodhur, pasi ndihem i shkarkuar nga ajo lloj barre që të jep politika në ato nivele në të cilën e bëja unë. Por unë vazhdoj të jem anëtari i Partisë Demokratike, ndaj në kuptimin e politikës minimale vazhdoj ta bëj, por nuk kam atë barrë që kisha. Në këtë kuptim, jam i lehtësuar për t’iu kushtuar politikës.
10 vjet, 100 poezi. Ky është libri juaj më i ri. Përse duhet të sillnit poezitë, është kjo një nostalgji? Pasi ekziston perceptimi që në moshën tuaj nuk shkruhen poezi?
Ky është një perceptim i gabuar, pasi poezia nuk ka moshë. Shkrimtarë të mëdhenj kanë shkruar deri vonë poezi. Megjithatë, pyetja juaj meriton një vëmendje. Ky është një rikthim tek periudha e formimit tim si shkrimtar, tek periudha e formimit si intelektual edhe si qytetar, pasi kjo përkon me periudhën kur unë kam qenë rreth moshës 18-28 vjeç. Në këtë kuptim, kjo krijimtari është një lloj ditari ekzakt i dilemave të mia, i pasigurive dhe zbulimeve të mia, sepse siç janë ato tema të cilat kanë qenë brenda meje ndaj natyrës dhe mjedisit përreth, janë edhe zbulime të burrit që po rritej brenda meje, zbulohet femra, që unë po e zbuloja brenda meje, bukuria apo erotika, kjo e fundit për aq sa mund të shprehej brenda një kaosi të caktuar të asaj kohe. Zbulohet politika, ndikimi i saj mbi njeriun, gjithashtu zbulohen dhe disa zhgënjime të pakta dhe të ngadalshme, që janë produkte të zgjerimit të vështrimit tim dhe njohurive për vendin ku jetoja, por edhe për të tjerë. Në këtë kuptim, është i rëndësishëm ky botim, sepse unë këtu kam 100 poezi, por gjatë asaj periudhe unë kam shkruar rreth 500 poezi, ndaj ato janë pastruar nga i gjithë skarciteti që ka pasur krijimtaria ime si krijimtaria e çdokujt. Ka pasur skarcitete për arsye artistike, politike, censure, apo se aq ishte këndvështrimi im.
Kishit bërë ndonjë poezi për Partinë Komuniste?
Po kisha bërë, jo drejtpërdrejt, por që partia është prezente, apo që emri i Enver Hoxhës është prezent.
Këto poezi nuk i keni përfshirë në botim?
Jo, nuk i kam futur për të gjitha arsyet që thashë. Gjithashtu, nuk mendoj se ajo krijimtari është pjesa më cilësore e poezisë sime.
Kur ka qenë poezia e fundit që keni shkruar?
Poezi shkruaj herë pas here, e fundit mund të ketë qenë para disa muajsh. Një nga librat e mi të ardhshëm do të jetë me poezi.
Z. Mustafaj, a kemi një ndryshim të cilësisë së poezisë me prozën në Shqipëri?
Nuk jam një kritik letrar apo studiues i letërsisë, ndaj nuk do të doja të bëja përgjithësime. Por mund të them se cilësia është një problem individual i krijuesve. Mund t’ju them që cilësia e poezisë që ka shkruar Dritëro Agolli pas ’90-ës është më e mirë, më moderne dhe më fine se ajo e shkruar para ’90-ës. Ose proza që ka shkruar pas ’90-ës Fatos Kongoli, për mendimin tim është më e mirë, më e fortë dhe e thellë se ajo që ka shkruar para saj, ashtu si poezia që ka shkruar Lasgush Poradeci pas ’45-ës është shumë më e dobët sesa poezia që ka shkruar para viteve 1945. Në këtë kuptim, përshtatja e poetit me kontekstin e përgjithshëm që ai jeton është individuale dhe e vështirë ta gjykosh. Madje, mund të them me bindje se prozat e Mitrush Kutelit të shkruara nën komunizëm janë shumë më të mira sesa prozat e shkruara më përpara.
A ishte Panairi i Librit i pak kohëve më parë i politizuar, ashtu siç u artikulua në opinionin publik?
Unë vetëm një ditë munda të jem në panair, sepse isha në një konferencë në Berlin dhe nuk e ndoqa gjithë panairin, por ndoqa jehonën e tij në media. Fokusimi te 2-3 autorë, të cilët në gjykimin tim nuk janë shkrimtarë të mirëfilltë kur flasim për letërsi, qoftë Edi Rama që nuk ka asgjë me shkrimtarin. Ai është një njeri që i shkruan mirë tekstet që i duhen për karrierën e tij politike.
Por si publicist është i njohur…
Si publicist është relativisht i njohur, por nuk ke asnjë libër të Edi Ramës ku mund të bazohesh. Publicist i mirëfilltë është Blendi Fevziu, i cili ka bërë një vepër që mbetet në bibliotekë dhe jo vetëm në koleksionet e gazetave dhe të Bibliotekës Kombëtare. Ku mund ta njohin intelektualët e rinj publicistikën e tij në vitet ’93-’95? Rama ka shkruar artikuj të mbetur në koleksionet e gazetave. Por kjo nuk është e keqja e tij. Mbivlerësimi në një panair i libri, i rolit të një libri të tillë, i cili në vetvete është një instrument për një politikan, pasi shumë figura të mëdha të politikave kanë shkruar libra. Nuk flas për kujtime, por për libra që janë një instrument për të ardhur në pushtet, instrumente për të fituar publikun që i duhet si elektorat, si zgjedhës dhe jo si lexues. Mbivlerësimi i këtij libri për t’u kthyer në një ngjarje kulturore, ky në fakt është një manipulim i pandershëm në të cilin kanë rënë gazetarët. Kjo është diçka, e cila nuk tregon thelbin e vërtetë të një eventi të madh për editorinë, letërsinë, por edhe për industrinë botuese siç është panairi, i cili është takimi më i madh i lexuesve shqiptarë me librin. Ky lloj shpërpjesëtimi në mediatizimin e asaj çka ndodhi në Panairin e Librit është një politizim, çka tregon se në fund të fundit shoqëria jonë është ende shumë e politizuar.
Ju jeni nga ata shkrimtarë që u bëtë politikanë, por kur politikanët shkruajnë libra, çfarë vlere ka kjo z. Mustafaj?
Por nëse librat janë të mirë, nuk ka asgjë të keqe, sepse politika është një eksperiencë shumë interesante. Nëse do të ketë eksperiencë politike që të mund ta kthejë në letërsi, atëherë kjo është fantastike.
A vlen kjo për z. Ben Blushi?
Për z. Blushi vlen relativisht. Ai ka ardhur nga një formim letrar, mendoj se është ende një gjysmë-shkrimtar, që do të thotë se ka një frymë të mirë gjuha e tij, ka një ndjeshmëri të mirë, por që nuk është romancier. Të paktën me romanin “Të jetosh në ishull”, që unë ia kam lexuar, pasi dy të fundit nuk i kam lexuar, libri është një retorikë nga fillimi deri në fund ku mungon struktura e romanit, nuk është gjuha e romancierit, por është dashuria e një njeriu që do të bëjë një roman dhe për këtë bravo i qoftë!
Megjithatë, ai libër pati një shitje rekord...
Ju siguroj që tani po shitet libri i Edi Ramës më shumë sesa librat e Agollit dhe Kadaresë së bashku. Kjo do të thotë se shitjet nuk janë një tregues.
A është një konkurrencë midis z. Rama dhe z. Blushi?
Mendoj se këtë e banalizoi Berisha me qëllim për t’i bërë të dy paksa qesharakë, sepse nuk ka thelbin e një konkurrence kjo shfaqje në publik. Njëri është shfaqur me një roman, tjetri me publicistikë, duke pasur target të ndryshëm lexuesish. Raportet me kohën, me aq sa shoh unë janë të ndryshme, pasi Rama e ka raportin me zgjedhjet e ardhshme, kurse Blushi duke shkruar roman, mendon se e ka me përjetësinë.
Cili është mendimi juaj për një tjetër libër shumë të përfolur, siç është ai i Helena Kadaresë, duke qenë se edhe ju vetë jeni përmendur në atë libër?
Mendoj se është një libër i shkruar me një stil absolutisht të respektueshëm, shumë të mirë. Është brenda natyrës së znj. Kadare, e cila është një njeri pozitiv nga natyra dhe që përpiqet që të pozitivojë, por të jetë e ndershme në përshkrimet që bën. Këto lloj librash janë gjithmonë shumë të dobishëm, sepse askush nuk e njeh më mirë Ismail Kadarenë sesa Helena. Ai tashmë është në një moshë kur njerëzit kanë nevojë që ta njohin edhe njeriun, tashmë ai është një piedestal, ku shfaqja e njeriut është e nevojshme për adhuruesit e tij.
Si ka mundësi që një pjesë e njerëzve kanë filluar me kritikat ndaj figurës së Ismail Kadaresë? Çfarë duhet të marrim ne nga ky libër?
Së pari, ky është një libër i shkruar nga bashkëshortja e Ismail Kadaresë, pra që ka dozat e veta të subjektivitetit. Nuk ma merr mendja se Helena Kadare pretendon se kjo është e vërteta absolute, pasi ajo nuk është biografe e Ismail Kadaresë, ajo është bashkëshortja që tregon fragmente të ndryshme nga jeta e bashkëshortit të saj. Në të gjitha momentet, ky libër duhet parë si libri i bashkëshortes së Kadaresë, që ka dozat e veta të subjektivitetit të pashmangshëm. Pra mendoj se të gjithë ata që kërkojnë biografinë e Ismail Kadaresë në këtë libër gabojnë, pasi nuk është kjo pika nga e cila duhet gjykuar libri. Ky libër është i pagjykueshëm, pasi është i shkruar nga bashkëshortja e Ismail Kadaresë.
Përveç letërsisë së mirëfilltë, ata që po lulëzojnë janë edhe librat e kujtimeve. Çfarë vlere kanë librat e kujtimeve?
Kujtimet janë gjithmonë vështrimi subjektiv i atij që e shkruan. Pra, ato nuk janë fakte historike, askush nuk mund të përdorë kujtimet si fakte historike. Historianët mund të nxiten nga kujtimet kur shkruajnë për një periudhë të caktuar historike, por nuk mundet që analiza e tyre të mbështetet vetëm tek kujtimet. Pra në këtë kuptim, unë mendoj se ky është një fenomen shumë normal. Çështja është se kush po shkruan kujtime? Sot edhe njerëz të parëndësishëm po shkruajnë kujtime dhe problemi nuk është tek ata që shkruajnë, por tek ata botues dhe librarë që i mbushin raftet e librarive me kujtime njerëzish që nuk kanë rëndësi në historinë kombëtare. Pavarësisht se si mund t’i shkruajnë kujtimet e tyre, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano apo Nexhmije Hoxha, të gjithë këta janë personazhe që kanë luajtur një rol në historinë e vendit tonë, pavarësisht të mirë apo të keq. E drejta e tyre për të shkruar kujtime është brenda thelbit të lirisë së një shoqërie, pastaj kur shkruajnë kujtime gjithfarë njerëzish, atëherë duhet parë se çfarë vlere kanë për shoqërinë. Unë nuk mendoj pse duhet të shkruajnë kujtime njerëzit, ne duhet të shqetësohemi nëse shkrimi i kujtimeve zëvendëson punën e historianëve.
A është mangësi që z. Berisha ka deklaruar se nuk do të shkruajë kujtime. A krijon kjo një boshllëk për këto 20 vite?
Asnjë boshllëk nuk krijon, ata që do të shkruajnë historinë në këto 20 vjet, apo do të shkruajnë biografinë e Sali Berishës, do të shikojnë dokumentet. Do të ishte shumë interesante, por nuk është një mangësi. Nëse ai do t’i botonte, unë do t’i lexoja, por meqenëse ai nuk i ka shkruar, unë nuk ndjej ndonjë mangësi. Unë do ta quaja mangësi nëse Ismail Kadare nuk do të kishte shkruar “Pallatin e Ëndrrave”, apo Dritëro Agolli nuk do të botonte poezitë e tij, kështu edhe nëse Kasëm Trebeshina, duke qenë në një kontekst krejtësisht pa liri nuk do të kishte shkruar ato proza që ka shkruar, kjo do të ishte një mangësi.
Kush do ta shkruajë historinë e Partisë Demokratike, z. Mustafaj?
Unë nuk mendoj se e njoh atë njeri që duhet ta shkruajë.
Pra duhet ta shkruajë dikush historinë e kësaj partie?
Mendoj se është një parti, e cila ka pasur një rol të madh në ndryshimin e historisë dhe rrjedhën e kombit.
Si duhet të fillojë kjo?
Unë do ta dija si duhet të fillojë, nëse do ta kisha menduar se unë do ta kisha shkruar.
Ju keni ndërmend ta shkruani këtë histori?
Jo.
Po nëse do të jeni pjesë e një grupi për ta shkruar atë?
Nëse do të më vijë dikush për të më pyetur, unë do t’i them çka di, por unë nuk kam ndërmend të bëhem historian i PD-së.
Z. Mustafaj, kur do të riktheheni në politikë?
Nëse do të shtrohej si problem për tani, unë tani për tani nuk kthehem, pasi nuk kam asnjë objektiv politik në axhendën time.