Libri i Ngjelës, 3 mijë kopje të shitura, del seria e dytë e botimeve
“Përkulja dhe Rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”, gjysmë-kujtimet dhe refleksionet e Spartak Ngjelës kanë arritur tashmë shifrën e tre mijë kopjeve të shitura. Shtëpia botuese “UET Press” sapo ka nxjerrë botimin e dytë, në tre mijë kopje të tjera
Kanë kaluar vetëm pak ditë prej dy muajve kur Spartak Ngjela e promovoi në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, vëllimin e parë të veprës së tij “Përkulja dhe Rënia e tiranisë shqiptare”, - ku rrëfimet ndërpriten më 1975-ën, i ka shitur të 3000 kopjet që dolën nga botimi i parë. Që në ato ditët e para të botimit libri qe një sukses më vete; analiza për periudhën nga 1957-2010, e thellë dhe jo fort e lehtë në leximin e parë, botim voluminoz me 650 faqe dhe luksoz në çmimin prej 1500 lekësh. Kërkesat gjithnjë e në rritje jo vetëm të librashitësve, por edhe të vetë lexuesve, kanë bërë që ‘UET Press’ të nxjerrë një seri të dytë botimesh me 3000 kopje të tjera.
Rreth një muaj më pas, në Panairin e 14-të të Librit, ky libër që sjell të përziera me mjeshtëri nga autori kujtime autobiografike, histori dhe refleksione, ku ai si protagonist përfshihet aq sa duhet për t’i rrëfyer ngjarjet në vetë të parë dhe si analizues i ngjarjeve që kapërcejnë territorin shqiptar distancohet aq sa analiza e tij të jetë e saktë, e qartë dhe e pandikuar, do të konfirmonte edhe një herë suksesin fillestar. Megjithëse, jo ndoshta me bujën dhe publicitetin e dy librave që ndodhi të botoheshin në kohë të afërta me të Blushit dhe Fevziut, interesimi për këtë libër qe befasues. Shpesh autori Spartak Ngjela do të vizitonte stendën e ‘UET Press’, pasi lexuesit ishin në pritje të një kopjeje të autografuar prej Spartak Ngjelës.
“Një libër kaq i thellë dhe i vështirë për t’u lexuar, që arrin të shitet në këto shifra, është vërtet diçka shumë e rëndësishme. Por është pikërisht thellësia e analizës së tij që ka shkaktuar këtë efekt ortek tek elita e lexuesve”, - shprehet botuesi i shtëpisë botuese “UET Press”, Henri Çili.
Dhe ky është ende vetëm fillimi, pasi Spartak Ngjela ka në plan botimin edhe të pjesës së dytë të kujtimeve dhe refleksioneve që e marrin udhën aty ku janë ndërprerë në vëllimin e parë; në ngjarjet e vitit ’75, e që përmbyllen me vitin 2010.
E megjithëse ambiciet në zanafillë të autorit nuk ishin mirëfilli letrare të një shkrimtari profesionist, kritika e ka pritur më së miri.
“Unë mundohem që me kulturën time të bëj interpretimin e disa ngjarjeve historike. Librin e kam konceptuar edhe si formë letrare, edhe si formë kujtimesh, edhe si një analizë që u bëhet situatave të ndryshme në vend. Të gjitha këto të ndërthurura së bashku, kam idenë se kanë krijuar një risi me këtë formë të shkruari”, - do të shprehej Ngjela në Panairin e Librit.
Kjo stinë botimesh tregoi edhe njëherë urinë e lexuesve shqiptarë për të njohur njëherë e mirë historinë e vërtetë të periudhës më të egër; atë të diktaturës dhe tiranisë shqiptare. Por, me gjithë morinë e këtyre lloj botimesh mbi diktaturën,
atmosfera historike mu në zemër të diktaturës ku ai ishte vrojtues i vijës së parë, pasuria e pashoqe me dëshmi, personazhe dhe historia e sistemuar mirë mbi përpjekjet intelektuale në atë luftë të shpallur e të hapur anti-intelektualiste, siç e quan vetë Ngjela - tek përpiqet të mbushë atë segment bosh që ka gjetur në historinë e vendit tonë- por edhe stili i kultivuar i një soji shkrimtari dhe eseisti modern, siç e ka komentuar Preç Zogaj të shkruarin e avokatit, e bën këtë libër një zgjedhje të parë në stenda panairesh apo rafte librarish.