E Diel, 1 Nëntor 2026

Amadeus, një shfaqje me regji dhe aktrim në nivel sipëror

SHKRUAN: Dhimitër Gjoka 14-12-2011 12:19

Drama “Amadeus” e autorit Peter Schaffer, është sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar me një kolorit interpretimesh mjeshtërore të një trupe aktorësh të përzgjedhur nga regjisori Altin Basha

Në morinë e shfaqjeve të suksesshme dramaturgjike të vëna njëra pas tjetrës në skenën e Teatrit tonë Kombëtar vjen së fundmi edhe “Amadeus”, e autorit Peter Schaffer, me një kolorit interpretimesh mjeshtërore të një trupe aktorësh të përzgjedhur me zgjuarsi profesionale nga regjisori Altin Basha. Teksa dritat ulen dhe errësira pushton sallën, një ndriçim i zbehtë u jep pak jetë gati 30 siluetave të zeza që kishin mbushur hapësirën e skenës, ku herë pas here pëshpërisin si thashethemnajë: Salieri vrasës, Salieri vrasës! Në dëgjim të parë, ato dy fjalë të duken jo të qarta, por me një kreshendo të zbutur qartësojnë sallën dhe natyrshëm mes kësaj thashethemnaje ku një pjesë është me maska, gulçon si dhimbshëm por edhe me një krenari të perënduar zëri i Salierit plak, i vendosur skenikisht bukur mes tyre. Ai që e njeh sadopak jetën e Moxartit, në vështrimin e kësaj skene kupton qartë se siluetat e zeza që e kanë rrethuar s'janë gjë tjetër veçse simbolikisht shuma e intrigave të tij ndaj Volfgang Amadeus Moxart, dhe fill këtu gjetja regjisoriale merr rrugën për të zbërthyer më pas personazhet me karakteristika të individualizuara bukur me sens dhe logjikë të shkëlqyer profesionale.

Salieri i ulur mbi karrocën me rrota si një gërmuq, që edhe kockat s’e mbajnë më, fillon nga pak të tregojë bëmat e bëra. Na shfaqet një Salier në grahmat e fundit të jetës së tij, a thua i penduar për çka bëri ndaj kësaj krijese të brishtë, herë pas here fëminore, që për nga aftësia e krijimtarisë solli melodi që ngriti në këmbë çdo admirues të saj. Salieri vrasës i sjellë nga regjia jo me këmbë në tokë, në prologun e tij tregon qartë se sa i shkëputur nga jetësorja ishte ky bastard i paskrupullt. I ulur mbi atë karrige me rrota, i marrë fund edhe psikologjikisht, mundohet të zbrazë një rrëfenjë bërë lëmsh ndoshta në brendësi të ndërgjegjes së tij. Rrëfenjë që padyshim e ka munduar dhe stërmunduar jo për faktin se “vrau” një njeri të preferuar të zotit (që do të thotë Amadeus), por se pikërisht nga vitet e njohjes me të e më pas nuk do të mundte ta linte të bëhej një emër i fuqishëm prej krijuesi, siç iu shfaq aty në oborrin e pallatit të Jozefit të dytë në Vjenë, qysh në takimin e parë. I penduar vallë në këtë rrëfenjë? Apo i lartësuar për krimin e bërë në vijueshmëri në më shumë se një dekadë ? I bindur se pikërisht kjo e dyta, vrasësi, do të mund të bënte që emri i tij të ecte përkrah emrit të madh, që do t’i fliste kohës me notat e paimagjinueshme të hedhura në pentagram nga gjeniu Moxart. Aty në paraskenë, sytë e Salierit lëvizin frikshëm, portreti i tij përcjell bindshëm ligësi, si për të thënë në delir se kjo ishte vepra më e mirë që kish bërë në jetën e tij, nëntekst i lexueshëm qartë e mjeshtërisht në monologun e tij. Shumë shpejt ai personazh negativ do të fitonte admirimin e spektatorit për interpretimin virtuoz. Aktori Fatos Sela, nën lëkurën e këtij personazhi sjell gongun e parë për të thënë se kemi të bëjmë me një shfaqje kalibri të menduar, e zbërthyer shumë mirë artistikisht. Hyrja në skenë e Moxartit ashtu vrullshëm e gazmor, sikur sjell një pranverë me plot lule shumëngjyrëshe. Ai vjen e prezantohet para shikuesve me një sërë suksesesh të bujshme në skena të ndryshme të Europës si në Gjermani, Francë, Itali, Angli etj. Me këtë mbushje shpirtërore krijuese u shfaq para oborrtarëve që e pritën me mjaft kënaqësi, sa Salieri me urdhër të Jozefit të dytë, i kishte dedikuar edhe një pjesë të vogël muzikore për mirëseardhjen. Marin Orhanasi në rolin e Moxartit, e përcjell shkëlqyeshëm këtë emocion dhe dialogët në vijueshmëri i japin atij padyshim suksesin interpretues. Në pamje të parë, veprimi dramaturgjik duket se shkon mirë. Skena sjell çaste gazmore në prani edhe të Jozefit të dytë, luajtur plot delikatesë, saktë dhe besueshëm nga aktori Gjergj Mena, por edhe nga oborrtarë të tjerë që bukur kishin gjetur farën e rolit si Rozenbergu nga i mirënjohuri aktori Vangjel Toçe, apo Van Strak me gjestin e lëvizjes së këmbës gjate përshëndetjeve, i suksesshëm nga roli në rol aktori Mërkur Bozgo, për të akcentuar më tej me interpretimin e tij pikant Ahmet Pashën në rolin e Van Suitenit. Tipa oborrtarësh në shërbim të Perandorit, njerëz të paskrupullt, jargaxhinj të neveritur e bastardë përcillen tek spektatori me të folurën, heshtjen, të ulurën apo me qëndrimin në këmbë dhe pse jo, me ecjen e tyre, gjestikulacionet, meritë e suksesshme edhe kjo. Është skena kur intriga lind dhe merr rrugë për t’i prerë startin gazmor njeriut të preferuar të zotit (Amadeus-it). Dialogu i autorit, i zbërthyer mjeshtërisht nga regjia në komportimin mes Salierit dhe Moxarti, i sjellin spektatorit një lojë profesionalisht në nivel të lartë interpretimi. Askush në sallë nuk mbetet jashtë një përqendrimi maksimal për të ndjerë në vështrim, në gjykim dhe në vlerësim e për të arritur në një pikë të përbashkët mendimi se kemi të bëjmë me presën e thikës se nga do të anojë ngjarja, si do të ecë më tej veprimi dramaturgjik, ç’do të bëhet me këtë djaloshar kaq impulsiv, energjik, shpërthyes, buzagaz i çiltër dhe pa vese, që rrallë shihen role të zbërthyera kaq mjeshtërisht në skenat tona sikundër e sjell Orhanasi, Moxartin e madh. Është për t'u vlerësuar ky moment si çelësi i zbërthimit të karakteristikave të personazheve, se prej këtu nis rruga e gjatë, e mundimshme e tij për jetën, se jeta nuk është një hob, por e drejtë e pamohueshme e Zotit që të sjell për ta gëzuar atë si çdo frymor tjetër. Teksa luhej në klaviçembal pjesa e mirëseardhjes, Moxarti në dukje i papërqendruar rreth ekzekutimit të saj, ra në sy të Salierit që s’po kuptonte pse-në e indiferencës ndaj pjesës së krijuar enkas për të. Pasi akti pothuaj vjen në mbyllje të tij, Salieri i afrohet dhe e pyet Moxartin se pse u tregua kaq indiferent. Mjeshtërisht komportimi ishte i jashtëzakonshëm. Këtu forca profesionale e aktrimit shpërthen dhe nxjerr në dukje një plotëri talenti të të dy aktorëve të shkëlqyer. Salieri me cinizmin e një kryemuzikanti oborri kërkon me nëntekstin e batutës së tij të thotë se ti “bebush” nuk e pëlqeke muzikën time?... Marin Orhanasi (Moxart) do të ishte njëkohësisht i shtangur, ardhur kjo nga çudia e vërejtjes së bërë, por jo se e dha veten si i tillë. Aty mes atij salloni, në shpirtin e tij ndjehej i çliruar nga shumë rregulla. Me ndjenjën e një njeriu artist në shpirt të pafajshëm, të sinqertë dhe modest, Moxart bënë gjestin më të beftë për Salierin, ku rrufeshëm ulet në klaviçembal dhe në mënyrë të përsosur fillon t'i bjerë nga nota e parë deri tek e fundit pa parë në pentagram gjithçka që Salieri kishte kompozuar. Kjo për t’i thënë se vërtet ai s’kishte ngulur sytë mbi tastierat, por edhe pse në dukje i papërqendruar ai e kishte fiksuar shumë mirë në memorien e tij…Në këtë “eufori” rinore, nëse do ta quajmë kështu, sigurisht nga puna krijuese e suksesshme, shfaqet si domosdoshmëri për Moxartin, Konstanca, femra ideale për të, duke i mbushur më shumë jetën me lumturi. E zgjedhur nga regjia për këtë rol, aktorja Eni Jani dhuron një personazh në kulmin e karrierës së saj. Dashuria e tyre do të merrte një kuptim të ndërsjellë. Ata e donin shumë njëri-tjetrin, e shfaqur bukur kjo skenikisht në marrëzitë dalldisëse të tyre ku ritmi, zhdërvjelltësia, gjestikulacionet, mënyra e interpretimit në përgjithësi do ta mbërthenin spektatorin…Nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve këto skena më se të bukura e gazmore të çiftit do t’i shoqëronte si një hije ogurzezë, Salieri, i cili do të vendoste për fatin e Moxartit hap pas hapi. Nevojat e çiftit të ri për të jetuar ishin të mëdha. Ato pak koncerte që jepte nuk mundnin të plotësonin kërkesat jetike. Këmbëngulja e vazhdueshme e Moxartit për të filluar sa më parë punë do të venitej herë pas here, por nuk do të dorëzohej para krijimtarisë. Regjia këtu ndan bukur dy anët e dukshme të logjikës së ngjarjes. Sa më shumë që varfëria po trokiste, aq më shumë kompozimet preknin majat. Marin Orhanasi (Moxart) me një lojë admiruese diti ta sjellë tejet ndjeshëm këtë thyerje. Optimist në të përditshmen, krenar për Konstancën që i dhuroi një fëmijë, krijimtaria e tij tashmë po arrinte kulmin kur para oborrtarëve dhe Salierit ai paraqet operën e famshme, një nga kryeveprat e tij “Dasma e Figaros”. Nëse ajo do të shfaqej ,padyshim që do të korrte një sukses të jashtëzakonshëm. I mbledhur me oborrtarët bufon, Salieri (Fatos Sela) në mënyrën më perfekte nga mimika dhe lëvizjet në skenë do të na linte të kuptonim ngërçin që i ishte shfaqur brenda vetes për të gjetur një zgjidhje se si mund të prishej kjo e papritur që i kishte rënë në dorë…Zgjidhja vjen, intriga shfaqet si një gjetje shumë domethënëse, pasi opera kishte ballo dhe se me ligj të perandorit ishte e ndaluar të vallëzohej në raste të tilla. Ajo duhej dëmtuar dhe që të arrihej duhej patjetër të hiqej pjesa e vallëzimit, një nga perlat e saj. Kur kjo i komunikohet krijuesit, mbi të rëndon një dhimbje e fortë. Me fuqinë që të jep interpretimi kur roli është zbërthyer deri në detaje, aktori Orhanasi shpërthen si një vullkan duke fituar më shumë ndjesinë e spektatorit, mision të cilin ai e kapërcen suksesshëm akt pas akti. Kur Jozefi i dytë nga presioni i Moxartit dëgjon pjesën e hequr, çuditet për këtë dhe lejon interpretimin e saj, sepse shkëlqesia e tij edhe pse kishte ligj ndalimi për këtë nuk do t’i rezistonte dot magjisë së notave moxartiane. Me besimin e verbër ndaj Salierit për përkrahjen që i bënte nuk do të besonte kurrë se ai do të ishte intriguesi dhe shkatërruesi i tij. Tek spektatori, Salieri (F.Sela) sa vjen dhe lartëson rolin. Kjo do të ndodhë dialog pas dialogu edhe në monologët në komportimin me spektatorët. Aq thellë do të hyjë në shkatërrimin e Moxartit, sa edhe Konstancës së bukur, duke përfituar nga shtrirja e dorës për ndihmë do t’i kërkonte shtratin si një i pangopur me poshtërsitë e tij. Jo vetëm kaq, por do t’i kërkonte edhe kopjet e vetme të dorëshkrimeve për t’i parë në radhë të parë ç’të reja kishte nxjerrë pena e Moxartit dhe pse jo, t’i griste, t’i zhdukte fare. Edhe ky akt është një mbushje profesionalisht i arrirë, qoftë nga ana regjisoriale, por edhe nga aktrimi i mrekullueshëm i Fatos Selës dhe Eni Janit.

Pamundësia për të vazhduar më tej jetën bashkëshortore bën që Konstanca së bashku me të birin të largohen dhe të presin në mes bashkëjetesën në kulmin e mjerimit. Moxart, i braktisur tashmë edhe nga familja, i rënduar edhe nga borxhet, i munduar nga pasiguria e së nesërmes, sërish do të gjente forca të shkruante, vetëm të shkruante edhe pse uria po bënte të vetën. Në këtë gjendje e gjen edhe Salieri në vizitën e papritur që i bën në shtëpi. Tashmë krejt kurmi i Moxartit i shtrirë pothuaj në tokë nga pafuqia për t'u mbajtur në këmbë, do t’i lëvizte vetëm dorën mbi pentagram. Truri i tij ishte në punë. Fantazia e kishte rrokur të gjithin dhe i humbur në botën e vet të të krijuarit nuk do të ndiente ardhjen e frikshme të Salierit. Hyrja e tij ishte si një triumf ndaj presë së vet. Meritë regjisoriale për t’u theksuar është edhe zhvillimi i kësaj skene finale. Salieri duke parë tashmë forcat e lëna të Moxartit, orët e numëruara të jetës së tij, do t’i dilte hapur si për ta poshtëruar akoma më shumë. Me një të vetëndjerë prej të gjithëpushtetshmi i kënaqej vetes si Zot. E pabesueshme për Moxartin kjo shpërfaqje. I hipur mbi piano, Salieri godet me fjalë si të ishin bubullima dhe rrufe vrasëse që tronditnin thellë shpirtin moxartian. Salieri donte t’i vriste, edhe muzikën.

Në plotërimin e këtyre shënimeve nuk do të lija pa përmendur edhe dy aktorët e mrekullueshëm, Venticello 1 dhe Venticello 2, të interpretuar respektivisht nga të mirënjohurit Romir Zalla dhe Gazmend Paja. Rolet e arrira të të cilëve ndihmuan mjaft mirë Salierin (F.Selën) në bashkëveprimin dramaturgjik të pjesës. E gjithë çka përmenda më sipër nuk do të kishte kuptim pa vënë në dukje skenografinë dhe kostumet e realizuara nga Iliriana Basha, të cilat artistikisht mjaft besueshëm na futën në kohë. Amadeus është një tjetër arritje e madhe e teatrit tonë. Për vlerat e transmetuara nga mjeshtëria e lojës, ajo mbetet një shfaqje simbol i punës së mrekullueshme të regjisë. Altin Basha diti të zgjedhë një pjesë dhe një trupë aktrimi me nerv interpretimi sipëror.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›