E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare, në Jeruzalem për librin

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, do të shkojë në Jeruzalem.

Në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, i cili do të mbahet në Mishkenot Sha’ananim në Izrael, prej datës 11 deri më 15 maj, do të jetë i pranishëm edhe shkrimtari ynë. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta izraelite, “Haaretz”, ku shkruan se, Ismail Kadare është ftuar së bashku me shkrimtarë të tjerë të njohur, midis të cilëve ka edhe laureatë të çmimit “Nobel” për letërsi. Ky festival, organizohet për të parën herë në Izrael dhe do të sigurojë vendin për një takim të përbashkët për shkrimtarët izraelitë dhe kolegët e tyre të mirënjohur ndërkombëtarë. Festivali do të përmbajë diskutime në tryeza të rrumbullakëta dhe takime me lexuesit, në gjuhë të ndryshme, si dhe një numër të evenimenteve për fëmijë. Por nuk përjashtohet që veç të tjerash, të diskutohet edhe çështja e hebrenjve në Shqipëri nga shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Në mesin e shkrimtarëve të tjerë botërorë, që do të paraqiten në këtë festival, përpos Kadaresë, janë edhe romancierja fituese e çmimit “Nobel”, Nadine Gordimer nga Afrika e Jugut, amerikanët Rusell Banks dhe Anita Diamant, si dhe shkrimtarët amerikano-hebrenj Jonathan Safran Foer, Nicole Krauss dhe Nathan Englander, pastaj shkrimtarja portugeze Lidia Jorge, italiani Erri De Luca, Anna Enquist nga Holanda, shkrimtari francez Andrei Makine, Hans-Ulrich Treichel dhe Gila Lustiger nga Gjermania, Guillermo Martinez nga Argjentina, egjiptiani Hussein Serag dhe shkrimtari irlandez Niall Williams.  Yael Nahari, i cili ka shërbyer si drejtor i programit të Mishkenot Sha’ananim për katër vitet e fundit, është një nga ideatorët dhe drejtuesit e festivalit që do të nisë së shpejti.  “Ka qenë ëndrra jonë”, ka thënë Nahari për gazetën “Haaretz, duke shtuar se, festivali ka lindur si përgjigje ndaj dashurisë së librave dhe faktit se Izraeli është një prej kombeve udhëheqëse të botës në botimin dhe përkthimin e letërsisë së huaj. “Mishkenot Sha’ananim është një vend natyral dhe i përshtatshëm për një ngjarje si kjo. Gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë shtëpi për shkrimtarët izraelitë dhe për ata të huaj. Koncepti qendror është prezantimi i shkrimtarëve para një audience të gjerë dhe mbajtja e takimeve midis shkrimtarëve izraelitë dhe atyre mysafirë”, është shprehur më tej organizatori i këtij festivali, për gazetën izraelite. Mësohet se buxheti total i festivalit kaf shifrën rreth një milionë NIS (mbi 180 mijë euro), të cilat do të sigurohen nga Jeruzalem Foundation, Mifal Hapayis Culture and Arts Council, Ministria e Punëve të Jashtme dhe burime të tjera, përfshirë edhe një numër të ambasadave të huaja. Sesionet e titulluara “Karov-Rahok” do të paraqesin në çifte shkrimtarët kryesorë izraelitë bashkë me ata mysafirë: Amos Oz dhe Nadine Gordimer; Meir Shalev dhe Erri De Luca; David Grossman dhe Lidia Jorge; Savyon Librecht dhe Hans-Ulrich Treichel; artisti dhe romancieri Boris Zaidman dhe Andrei Makine; Etgar Keret dhe Russell Banks; Yehudit Katzir dhe Anna Enquist; Zeruya Shalev dhe Gila Lustiger; Aharon Appelfeld dhe Niall Williams; Eshkol Nevo dhe Guillermo Martinez; Sami Michael dhe Ingo Schulze. Ndërkohë në sesionet e tjera të festivalit do të paraqiten shkrimtarët e ftuar si dhe përkthyesit e tyre në hebraisht. Për shkrimtarin shqiptar nuk dihet ende në do të ketë ndonjë botim në hebraisht me rastin e këtij festivali, megjithatë një nga veprat e njohura të Kadaresë, ku flet për çifutët është vepra e botuar në vitin 1999 “Ra ky mort dhe u pamë”, në të cilën përfshihen akuzat e tij për çifutët. Shkrimtari shkruan për Holokaustin në këtë vepër: “Krimi antisemit përpara se të kryhej në atë trajtë që e dimë prej nazistëve, pati përkrahjen e një pjese të botës, e pjesës më të madhe të Evropës. Pra, ai e pati përkrahjen përpara dhe dënimin më pas. Pra siç shihet, të dy këto zezona, ashtu si kometat që kanë nevojë për bisht, kanë pasur nevojë për mbështetje, për bisht kohe”. Ndërkohë hera e parë që Kadare ka vizituar Izraelin ka qenë në vitin 2000 në një vizitë me bashkëshorten e tij Helena. Pak kohë më parë ajo është shprehur në media se, udhëtimi i bërë në Izrael së bashku me Ismailin në vitin 2000, është një nga udhëtimet më mbresëlënëse të jetës së saj. Në këtë vizitë çifti Kadare u ftua të ndiqte një seancë në Parlamentin izraelit.                          a.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›