E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: UNMIK në Kosovë deri në një vendim të dytë

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot, për të pritur raportin e tre mujorit të fundit në Kosovë, një takim ku merr pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun.

  Takimi do të ndiqet edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Boris Tadiç. Më pas, Ban Ki Mun do të japë vendimin e Këshillit të Sigurimit mbi hapat, që duhet të ndjekin përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Sipas raportimeve të fundit, pritet që UNMIK të vazhdojë mandatin e tij në respektim të rezolutës 1244. Në raportin e tij të mëparshëm Ban Ki Mun tha se, situata e sigurisë në Kosovë ishte e qëndrueshme, por e ndjeshme. Pritet që Ban Ki Mun të marrë vendimin e vazhdimit të qëndrimit të UNMIK në Kosovë, deri sa Këshilli i Sigurimit të vendosë një zgjidhje tjetër. Ndërkohë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm, tha se Ryker në Këshillin e Sigurimit do të ngrejë edhe çështjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, të cilat janë paralajmëruar të mbahen më 11 maj. Lindholm theksoi se, Ryker do të prezantojë të gjitha ngjarjet, të cilat janë përballur në Kosovë që nga mesi i dhjetorit 2007 deri në fillim të marsit të këtij viti, periudhë kjo që përfshin edhe shpalljen e pavarësisë në Kosovë. Edhe kryeministri Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurimit. Ai do t’u adresohet anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një fjalë, ku do të prezantojë zhvillimet aktuale politike në Kosovë, arritjet e institucioneve demokratike të Kosovës, të minoriteteve, si përkushtimin e vendosur të qeverisë së Kosovës për respektimin afirmativ dhe perspektivën perëndimore të shtetit të ri të Kosovës, bëhet e ditur në një njoftim të qeverisë së Kosovës. Ndërsa, presidenti serb niset për në Nju Jork me një mision të qartë. “Askush nuk ka të drejtë të parandalojë mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë, apo integrimin e saj në Evropë”, tha Tadiç, duke shprehur bindjen e tij të thellë se arritja e të dyjave këtyre synimeve ishte e mundur. Tadiç udhëton në Nju Jork vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare e lokale në Serbi. Presidenti pro evropian është nën presionin e nacionalistëve për këto zgjedhje, pasi influenca e tyre në serbi është rritur shumë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Madje, në një fjalim elektoral Tadiç tha se, nëse me domosdoshmëri do t’i duhej të zgjidhte mes integrimit evropian dhe Kosovës, ai do të zgjidhte Kosovën. Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit nuk pritet të paraqesë ndryshime, përveç atyre që tashmë priten nga paraqitja e raporteve të mëparshme të përfaqësuesve diplomatikë të Kombeve të Bashkuara.  

Thaçi: Mali i Zi do të na njohë shpejt
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pret që Mali i Zi, së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Mali i Zi nuk ngurron me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt”, ka cituar Thaçi për mediat malazeze. Ai ka shtuar se, më e rëndësishme është që Kosova ka vendosur marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe që si fqinjë të mirë, do të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm. “Mali i Zi gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një nga destinacionet për turistët kosovarë”, tha Thaçi.

Kosova dhe Serbia takohen për personat e pagjetur 
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Serbisë, pritet që të rifillojnë javën e ardhshme bisedimet për personat e pagjetur, që nga periudha e konfliktit të ashpër mes tyre. Grupi punues teknik i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur nga Kosova dhe ai nga Serbia, nën udhëheqjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, do të mbajnë takimin e radhës më 23 prill 2008, në Beograd. Grupi Punues i Kosovës kryesohet nga profesor doktor Pajazit Nushi. 

Sejdiu: Kosova në strukturat ndërkombëtare
“Njohja ndërkombëtare që po i bëhet shtetit të Kosovës nga bota demokratike, është një njohje e vlerave, identitetit, vizionit politik, që ka Kosova dhe njohje e rrugës që po ndjek Kosova”, tha presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu. Sipas kreut të Kosovës, Republika e re shumë shpejt do të integrohet në strukturat ndërkombëtare. “Falë mbështetjes që kemi nga fuqitë vendimmarrëse botërore, sidomos perëndimore”, pohoi presidenti i Kosovës, Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›