Ismail Qemali përkujtohet në 91 vjetorin e vdekjes
Në ditën e 166 vjetorit të lindjes dhe 91 vjetorit të vdekjes të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit dje në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua një takim me pjesëmarrjen e historianëve dhe studiuesve të ndryshëm. Në këtë takim kushtuar figurës së njohur Ismail Qemali, referuan: Prof. dr. Arben Puto, Prof.dr. Paskal Milo, Prof. dr. Jorgo Bulo, Prof. Bardhosh Gaçe, Prof. Ago Nezha. Në këtë takim studiuesit folën mbi aktivitetin e themeluesit
të shtetit shqiptar. Kjo është një tablo e plotë, impresionante, dekada të tëra gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX të karrierës së një shtetari në kopshtet më të larta, nga një kënd në tjetrin, në hapësirën e pamatë të perandorisë osmane. Një burrë shteti dhe diplomat, njohës i mirë i çështjes lindore, çështjes qendrore të diplomacisë së fuqive të mëdha në çerekun e fundit të shek. XIX, thotë historiani Arben Puto. Ndërsa vlerësohet kontributi i këtij patrioti dhe intelektuali në kujtimet e Ismail Qemalit historianët gjejnë edhe fragmente apo copëza historish, që autori i ka lënë pak në hije siç është parapërgatitja diplomatike për pavarësinë e Shqipërisë. Një shtetar dhe një kontribuues themelor i pavarësisë shqiptare duhet që në kujtimet e tij ti kushtonte një vëmendje shumë të madhe dhe një gjerësi në veprën e vet pavarësisë së Shqipërisë. Po të vini re në këtë libër kujtimesh ai i kushton një vend modest veprës së tij madhore, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, shprehet Paskal Milo. Ndërkohë që po dje u bë dhe promovimi i librit Kujtime i përkthyer nga anglishtja prej Abdurrahim Myftiut. Libri Kujtime i Ismail Qemalit u botuan në Londër më 1920, një vit pas vdekjes së tij. Është hera e parë që ky libër vjen në shqip i përkthyer nga origjinali. Duke vënë përpara Kujtimeve të Ismail Qemalit, si punë Hyrjeje, dy fjalë jo aq të domosdoshme, por, me shpresë timen, jo krejt të padobishme, nuk po bëj tjetër veçse po mbaj një premtim të dhënë gjatë atyre muajve, që i kaluam së bashku në Paris më 1917 dhe 1918. Pa dyshim, qe mjaft e natyrshme që Ismail Qemal Beu të jepte shkas njëfarësoj për një gjë të tillë. Libri i tij, sigurisht, nuk do të ishte shkruar pa këmbënguljen time të fuqishme. Përveç kësaj, edhe pse isha i zhytur tepër drejtpërdrejt e thellësisht në punët e lidhura me ecurinë e luftës për të qenë në gjendje ti ofroja mikut tim bashkëpunimin e pandërprerë, që më kërkonte e që, në të vërtetë, i duhej medoemos unë arrita tia jap ndihmën e domosdoshme, të cilën e kërkonte ky rast. Duhet thënë se këto Kujtime janë redaktuar prej z. Sommerville Story dhe lypset parë si detyrë ndaj Ismail Qemal Beut dhe zotit Story bashkë, që të mos lëmë fije dyshimi për kuptimin e redaktimit në fjalë. Hartimi i këtij libri qe punë me mund e lodhje të madhe. Gjatë kësaj pune Ismail Qemal Beun e trazuan si disa probleme vetjake të rënda, shpesh sfilitëse në shpirt, ashtu edhe preokupimet atdhetare e intrigat, që luheshin për të ardhmen e mëmëdheut të tij, Shqipërisë, shkruan për librin me Kujtime William Morton Fullerton.