Ujësjellësi i Fierit, kontrata të reja me qytetarët
Për këtë vit, të gjithë abonentët e ujit të pijshëm do të pajisen me kontrata të reja. Qëllimi i këtij procesi është legalizimi i gjithë abonentëve të ujit të pijshëm në këtë qytet, pasi 20% e tyre nuk kanë lidhur kontrata të reja me ndërmarrjen e ujësjellësit, duke shtuar këtu edhe rreth 1000 abonentë të tjerë të zonave informale. Sipas drejtuesit të kësaj ndërmarrjeje Agim Plepi, ky proces ka nisur dhe do të përfundojë brenda 3 mujorit të parë të këtij viti,
ndërsa kërkohet ndihma e pushtetit vendor për realizimin në kohë të shpejtë të këtij procesi me derdhjen e detyrimeve për çdo abonent. Që nga mbarimi i muajit dhjetor të vitit të kaluar e deri në vazhdim ne jemi duke shpërndarë kontrata të reja me abonentët për ujin e pijshëm. Këto kontrata i bëjnë të vetëdijshëm abonentët me detyrimet dhe të drejtat sipas ligjeve në fuqi, me ndërmarrjen e ujësjellësit. Abonentët tashmë janë me kontratë dhe ajo përcakton detyrimin dypalësh si nga abonenti ashtu edhe nga ana e ndërmarrjes së ujësjellësit, ka thënë Plepi. Ndërkohë, viti 2010 do të jetë edhe viti i investimeve prej 7.2 milionë euro për rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të qytetit të Fierit, duke siguruar furnizimin e pandërprerë me ujë të pijshëm për ta. O. Filka