E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismaili: Shkumbini, fitorja me Flamurtarin vlen 2 mijë Euro

Mikel Bizhyti
Fitorja e skudrës peqinase vlen 2 mijë euro neser në Vlorë. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga burime pranë stafit të klubit që vetëm sot do t'ua komunikojë futbollistëve një shumë të tillë financiare. Presidenti Ismaili është i gatshëm që edhe këtë herë të mbështesë fuqishëm skuadrën e tij, e cila synon një vend sa më të mirë në klasifikim si dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Shkumbini udhëtoi sot drejt Vlorës për ndeshjen me Flamurtarin. Situata në kampin peqinas është mjaft entuziaste për një rezultat pozitiv, nisur nga gjendja mjaft e mirë e skuadrës dhe objektivit të vënë në presidenca bardhekaltër. Ka qenë vetë presidenti Xhavit Ismaili ai që eksluzivisht për "Gazeta Sporti" ka deklaruar: "Nuk ka asnjë rrugë tjetër përvec fitores për skuadrën nësër në Vlorë. E dimë mirë që luajmë me një kundërshtar të fortë, por me gjendjen që zotëron skuadra dhe me kualitetet që ajo ka, mundësia për të marrë maksimumin është e madhe. I bëra të ditur djemve se dua vetëm fitoren nga ata", thekson bosi i klubit bardhekaltër, Ismaili. Bizhyti: I kam shënuar gjithmonë Flamurtarit Pesë sezone më parë Alban Bizhyti debutonte si lojtari më i ri i skuadrës lushnjare (17 vjec) dhe shënoi edhe golin e parë në karrierën e tij në Superligë. Atëherë Lushnja barazoi 1-1 në transfertën vlonjate me vendasit e Flamurtarit, duke marrë një pikë që në fund të sezonit i dhuroi mbijetesën. Tashmë 23 vjecari lushnjar prej dy sezonesh është kthyer në liderin e padiskutueshëm të Shkumbinit, madje ka shënuar gjithnjë në stadiumin "Flamurtari". "E mbaj mend golin tim të parë në Superligë dhe ai ka ardhur atëherë kur unë vija nga ekipi i të rinjve të Lushnjes për tek skuadra e parë. Ishte ndeshja në Vlorë dhe unë shënova golin e avantazhit, por që nuk na dha dot fitoren. Ai gol u barazua në fundin e ndeshjes, por gjithsesi na dhuroi një pikë të vlefshme që për ne në përfundimin e sezonit ishte shumë pozitive, pasi na dhuroi mbijetesën. Edhe herë të tjera kam shënuar në Vlorë ndaj Flamurtarit si me Lushnjen edhe me Shkumbinin. Edhe sot dua të njëtën gjë: të shënoj dhe t'i dhuroj tri pikët Shkumbinit", përfundon Bizhyti. "Gazeta Sporti"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›