Muriqi rikthehet fitimtar, nokaut ndaj Wilson

Elvir Muriqi i është rikthyer fitoreve, shtatë muaj pas humbjes me pikë të pësuar nga Antonio Tarver. "Kosova Kid" ka mposhtur të enjten në mbrëmje në "Utopia Paradise Theatre" në Bronks të Nju Jorkut, amerikanin Jameel Wilson. Shqiptari 28-vjecar është dashur që të përballej me Willis Lockett, por në castet e fundit për arsye të panjohura Lockett ka hequr dorë nga dueli me Muriqin, dhe në vend të tij është ngjitur në ring Wilson. Muriqi që dukej në superformë këtë mbrëmje e ka bërë që ky duel të duket më shumë si sparing me goditje të shpeshta dhe të sakta ndaj kundërshtarit, gjë që ka detyruar trajnerin e amerikanit që të hedhë peshqirin në ring në sekondat e fundit të rundit të katërt për të dorëzuar luftën. Ndërkohë pas përfundimit të duelit Elvir Muriqi nuk ka dashur që të flasë shumë për vetë duelin, sesa për kundërshtarin e radhës që dëshiron ta ketë në ring. Shqiptari ka bërë edhe një herë thirrje për ta vënë në ring me Roy Jones Jr. apo për një duel tjetër me Antonio Tarver. "Më futni në ring me Roy Jones Jr. Ai ka qenë idhulli im dhe akoma është, por koha e tij tani ka mbaruar dhe ani ka ardhur koha ime. Apo edhe me Antonio Tarver, por meqë arter ka planifikuar një duel, atëherë me Roy Jones. Është bërë një rreth i boksierëve që luftojnë mes vete, Roy Jones, Tarver, Chad Dawson, Bernard Hopkins. Duhet të futni njerëz të ri në këtë rreth", ka thënë Muriqi pas duelit.
Me fitoren e 31 janarit Muriqi ka përmirësuar bilancin e tij në ringun profesionist ku tani ka 35 fitore (22 me nokaut), dhe vetëm 4 humbje.