E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismaili i përgjigjet Kuçit për ngjyrosjen e NEWBORN

Autori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili, ka shprehur shqetësimin se zv/kryeministri Hajredin Kuçi do të dërgoi dikë të “zhgallavitë” flamujt e vizatuar javën e kaluar.

Kjo deklaratë e Ismailit vjen pas komenteve që bëri Kuçi lidhur me ngjyrosjen e simbolit të pavarësisë së Kosovës.

Numri dy i qeverisë kishte thënë se rreziku qëndron të shkruhet nga qytetarët mbi flamujt që janë ngjyrosur në simbolin me shkronja NEWBORN, e njohur si simbol i pavarësisë së Kosovës. Madje thotë se edhe është dashtë të mendohet për t’u lënë vend atyre shteteve që do ta njohin Kosovën në të ardhmen.

Më poshtë mund të lexoni përgjigjen e plotë të Fisnik Ismailit ndaj këtyre komenteve të zv/kryeministrit Hajredin Kuçi.

Z. Hajredin Kuçi, me mija njerëz e panë NEWBORN-in dje dhe nuk i shlyen flamujt, pos Auronës, e cila u bë e famshme për këtë. Kjo tregon se sa ke ti besim, z. Kuçi, në popullin tënd, që po "brengosesh" se kanë me e zhgallavitë, kur ky popull përkujdeset për vendin e tij ma shumë se ju që e udhëhiqni.

Me këtë deklaratë, ti vetë po tregon se në një të ardhme të afërt ke me e çue dikë me e zhgallavitë NEWBORN-in, veç me iu hakmarrë aksionit qytetar, i cili ia ktheu këtë monument popullit dhe nuk e la në duert e qeverisë tande, të cilës i kujtohet me e "mirëmbajtë" vetëm kur ka festa jubilare, sikur ky 5-vjetor.

Nëse dikush e vandalizon këtë monument, kanë me qenë të porositun prej bandës tande, vetëm me u mundue me e nënçmue këtë vepër, që ju doli duersh.

Edhe në fund, arsyetimi se "shtetet tjera që na pranojne s'kanë vend për u ngjyrosë" është shumë i kotë, për dy arsye:

1. Të gjithë flamujt paraqiten nga së paku 2 herë. Egjiptit iu gjet vendi. Por edhe nuk ngjyrosen njohjet e reja, ideja ka qenë me i vendosë veç shtetet që na kanë pranue deri me 17 shkurt 2013, me ta përkujtue se ke hala shumë shtete që nuk të kanë pranue.

2. Të këshilloj me u marrë me prurjen e njohjeve të reja, e jo me u brengosë se ku kanë me e pasë ato vendin në NEËBORN, meqë, qysh jeni duke punue, shansat janë me mbetë monumenti pa u ndryshue deri në vitin e ardhshëm.

Edhe, për fund, mos rrej se Qeveria e Kosovës ka kompenzue diçka për ngjyrosjen me flamuj. Qeveria e Kosovës e ka kompenzue ndërtimin e NEWBORN më 2008, dhe këtë e ka përdorë si shkas mos me e lejue mirëmbajtjen e monumentit për 5 vjet. Poashtu, Qeveria e Kosovës e ka kompenzue, sigurisht me tender një-burimor, një kompani të Skenderajt, me e ngjyrosë NEWBORN-in me një të verdhë të lodhët, duke i shkelë të drejtat e autorit edhe duke e mospërfillë idenë që NEWBORN të ngjyroset ndryshe çdo vit.

Është koha që kjo qeveri me kuptue se ky vend i përket qytetarëve, e jo bandës që po e udhëheqni ju, edhe se NEWBORN ka me qëndrue aty shumë vjet mbasi të kemi përfundue edhe ne në varr./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›