UP mbështetet nga Ambasada Amerikane

Në vitin akademik 2012-2013 Universiteti i Prishtinës ka përfituar pesë projekte nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, duke filluar nga Falulteti i Arteve, ai Ekonomik, Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Filologjisë dhe ai i Bujqësisë e Veterinarisë.
Njëri nga projektet që Universiteti i Prishtinës ka përfituar nga Ambasada Amerikane, është Themelimi i Qendrës eLearning në Fakultetin Ekonomik. Kjo Qendër do të ndihmojë në përmbushjen e njërit prej rekomandimeve më të rëndësishme të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, që kërkohet për përfshirjen e të mësuarit të përzier në Fakultetin Ekonomik.
Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës, Lindita Tahiri, tha për Radio Kosovën, se nga ambasada amerikane është ndihmuar shumë edhe me ekspertë të fushave të ndryshme.
“Kur ne kemi shprehur kërkesë që na duhen në fusha të caktuara ekspertë, ata kanë treguar gatishmëri që të na financojnë në Degën e gjuhës dhe letërsisë angleze ne Fakultetin Filologjik, ku është një lektore me financim të plotë të Ambasadës amerikane. Po kështu do të ndodhë sivjet edhe me Fakultetin e arkitekturës dhe atë të ekonomisë. Pra bashkëpunimet janë edhe me ekspertë të ndryshëm”, tha Tahiri.
Prorektorja Tahiri, tha se këto projekte në raste të caktuara shoqërohen edhe me literaturë profesionale.
”Mund të ketë rast kur si në një projekt me Ambasadën Amerikane projetin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ku është përfituar laboratorë, por ka raste si tek Fakulteti i Flologjisë dhe Edukimit kur është kërkuar literaturë, pra varet nga specifika e projektit”, theksoi Tahiri.
Gjithashtu Ambasada Amerikane ka sjellë në Prishtinë edhe vizitorë, si shkrimtarë të njohur, të cilët kanë organizuar tryeza me studentë të Degës së letërsisë.
Një projekt tjetër është edhe “Mbështetje për zhvillimet akademike përmes bashkëpunimit me universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, nga i cili do të përfitojë Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Filologjisë.
Ndërsa Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë përfiton mbështetje për zhvillimin e laboratorëve diagnostikues të Departamentit të Mjekësisë Veterinare./Indeksonline/