E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e liderëve për listat e mbyllura!

Javën ardhshme pritet që sërish të takohen liderët e partive politike për të arritur marrëveshje rreth disa çështjeve kontestuese, si listat e hapura apo të mbyllura, pragun zgjedhor, ulëset e rezervuara të komuniteteve dhe përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Megjithatë mbyllja e listave zgjedhore do të mbetet një sfidë për liderët politikë të cilët kohëve të fundit kanë nisur bisedimet ndërmjet vete, për pajtim në disa çështje të karakterit politik.

Sfida e parë e mbylljes së listave zgjedhore do të jetë Kuvendi i Kosovës, deputetët e të cilit kanë ardhur falë listave të hapura e që vështirë të besohet se do të votojnë për mbylljen e tyre.

Ndërkaq, sfida e dytë do të jetë Kushtetuta e Kosovës e cila duhet të ndryshohet, pasi që listat e hapura janë kategori kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese, ndërkaq janë bllokuar nga LDK-ja në shenjë revolte për mosdorëheqjen e presidentes, Atifete Jahjaga, e cila ka ardhur në këtë post falë marrëveshjes së tre liderëve politikë.

Kryetari i Komisionit për Reformë Zgjedhore nga radhët e LDK-së, Haki Demolli ka thënë se kjo parti është deklaruar për lista të hapura megjithatë mbetet të shihet se si do të merren vesh liderët e partive politike.

“Ne si subjekt politik jemi deklaruar për lista të hapura po ashtu kjo parashihet edhe në Kushtetutë, prandaj nëse liderët politikë vendosin që zgjedhjet e ardhshme të mbahen me lista të mbyllura, atëherë duhet të preket edhe Kushtetuta”, ka thënë Demolli.

Nga ana tjetër nënkryetari i këtij komisioni, nga PDK-ja, Halit Krasniqi, është i bindur se së shpejti ky komision pritet ta marrë mandatin e tretë për ta përfunduar reformën zgjedhore, shkruan zëri.

“Ne presim që në një nga seancat e ardhshme t’i zgjatet mandati Komisionit për Reformë Zgjedhore. Deri më tash janë 14 çështje të cilat i ka rregulluar komisioni ynë, vetëm një nga këto 14 çështje u ka mbetur liderëve, pra çështja e sistemit zgjedhor. Ne presim mendimin e tyre për këto çështje dhe më pas liderët janë të panevojshëm për reformë”, ka thënë Krasniqi.

Liderët polikë në dy takimet e shkuara janë marrë vesh për dy çështje, që Kosova të jetë një zonë zgjedhore dhe që fushata parazgjedhore të shkurtohet nga 30 në 15 ditë.

Driton Selmanaj nga KDI, thotë se liderët politikë nuk e kanë zhbllokuar reformën, por janë kthyer në fillim të procesit, sepse Rezoluta e Kuvendit për Reformë Zgjedhore e vitit 2011, rekomandon që Kosova duhet të ketë më shumë zona zgjedhore.Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›