E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Isuf Myzyri" triumfon në Shkodër

Elbasani vlerësohet me dy çmime të para, si grupi më i mirë dhe për këngëtarin më të mirë në Festivalin e 9-të të Këngës tipologjike Popullore Qytetare, i cili ka mbyllur siparin një natë më parë në Shkodër. Në festival morën pjesë dhjetëra ansamble të këngës popullore qytetare nga të gjitha trevat shqiptare, brenda dhe jashtë kufirit. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit Shkodra e ka "spostuar" këtë festival në pazarin e vjetër të qytetit dhe pikërisht në rrugën "Kol Indromeno", ku natën e parë kanë debutuar gjashtë grupe të ansambleve pjesëmarrëse, ndërsa në natën e dytë, për shkak të motit, në sallën e teatrit "Migjeni". Në përfundim të festivalit, juria ka vlerësuar me çmimin e tretë grupin e Beratit, me çmim të dytë, Shkodrën dhe trofeun e ka marrë ansambli "Isuf Myzyri" i qytetit të Elbasanit. Ndërsa Shkodra është vlerësuar me çmimin e parë për orkestrinën më të mirë, këngëtari i njohur elbasanas, Mustafa Mehja, është vlerësuar me çmimin e parë të festivalit, duke i dhënë të drejtën Elbasanit që vitin e ardhshëm të jetë organizatori dhe mikpritësi i festivalit të 10-të të këngës popullore qytetare. Në këtë mënyrë, festivali do të rikthehet aty ku u ideua dhe nisi 15 vjet më parë, në qytetin e Elbasanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›