E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, 25 të vdekur nga përmbytjet në Messina

Arrin në 25 numri i të vdekurve si pasojë e përmbytjeve masive që përfshinë rajonin e Messinas në Itali, ndërsa besohet se nuk ka gjasa të gjenden të tjerë trupa të gjallë nën rrënoja. Lajmi u bë i ditur nga njësia që menaxhon krizat që është vendosur në qytetin Mesina, në Siçili. Gjatë pasdites të së martës u gjetën edhe dy trupa të tjerë. Kreu i Mbrojtjes Civile, Guido Bertolaso, tha se bilanci i viktimave mund të arrijë në 35, duke qenë se për 10 personat të deklaruar të zhdukur, nuk ka shpresa të gjenden gjallë. Funerali për viktimat do të zhvilohet të shtunën në 10:30 në Katedralen e Messinas. Ceremonia funerale do të drejtohet nga peshkopi i zonës, ndërsa pritet të marrin pjesë shumë personalitete të tjera të larta, si fetarë por edhe politikanë e anëtarë të pushtetit lokal. Ndërkaq kanë nisur polemikat se përse nuk është shpallur zi kombëtare në këtë rajon për viktimat e përmbytjeve, dhe sipas kryebashkiakut të Messinas, duhet të ishte bërë një gjë e tillë. "Mos ndoshta ne sicilianët mos jemi bij të një zoti tjetër"?, ka thënë kryebashkiaku Giusepe Bucanza. Ndërkohë vështirësohen gjithnjë e më shumë operacionet e kërkim shëptimit, pasi zona është e mbushur me baltë, e prurje të ndryshme inertesh nga përmbytjet. Sasi të mëdha dheu kanë bllokuar hapësira toke dhe kushtet atmosferike nuk janë shumë të favorshme. Kryeministri Berlusconi ka premtuar se do të krijojë një fond prej miliarda dollarësh për t'u ardhur në ndihmë banorëve të Messinas.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›