Itali, 279 viktima nga tërmeti,20 fëmijë

"Gërmoni, vazhdoni të gërmoni pa pushim. Aty poshtë mund të ketë akoma njerëz që shpresojnë se do t'i gjejnë dhe që nuk duan të vdesin". Këto janë fjalët e Roberto Robustelit, që asnjë si ai nuk mund ta kuptojë më mirë ankthin, terrorin, shpresën e atyre që varrosen për së gjalli. Roberto është i fundit që ka dalë i gjallë nga ferri i tërmetit në Itali. Ai ka qëndruar nën gërmadha për plot 76 orë. "Gjëja më e tmerrshme, -tregon Roberto, është ta ndjesh se po vdes dalë-ngadalë, pa mundur të bësh asgjë. Unë kisha humbur sensin e kohës dhe hapësirës, por jo atë të trupit dhe shpirtit. Kisha shumë frikë se do vdisja, i varrosur për së gjalli, por asnjëherë nuk e humba shpresën se dikush do të vinte të më shpëtonte. Dhe për këtë arsye iu përgjërohem forcave të shpëtimit që të mos ndalojnë, derisa të kenë gjetur të gjithë trupat, por shpresoj që ndonjëri të jetë akoma gjallë". Roberto u shpëtua nga një grup zjarrfikësish në Akuila. E ndërkohë, tërmeti ka shkaktuar të paktën 279 të vdekur, 20 prej të cilëve fëmijë. Kështu ka deklaruar sipas një bilanci të përkohshëm, kreu i qeverisë italiane, Silvio Berluskoni. Berluskoni nuk dha shifra lidhur me të zhdukurit dhe të plagosurit nga kjo katastrofë. Sipas bilancit të fundit të karabinierisë në Akuila, rreth 20 persona konsiderohen ende të zhdukur dhe numri i të plagosurve është më shumë se 1 100, ku 179 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Ndërsa numri i të pastrehëve është 28 000 persona. Teksa zona e goditur nga tërmeti është vizituar edhe nga Presidenti i Italisë Xhorxho Napoletano. "Ndodhem këtu për shkak të detyrës, për dhembshuri dhe për t'iu falenderuar për gjithcka që po bëni". Kështu iu drejtua Presidenti italian ekipeve të shpëtimit.