Itali: Banorët kundra zbarkimeve të emigrantëve

Rreth 200 banorë të ishullit italian të Lampeduzës kanë protestuar në portin e ishullit, kundra zbarkimeve të emigrantëve nga Afrika e Veriut. Protestuesit shprehen të irrituar me ardhjen e nje numri gjithnjë e në rritje të emigrantëve, të cilët sipas tyre, po vështirësojnë jetën e ishullit të vogël. Ata kanë synuar që me protestën e tyre të bllokojnë zbarkimin e një anijeje të rojës bregdetare me 113 emigrantë, të cilët ishin shpëtuar në brigjet e Siçilisë.
“Le të shkojnë ku të duan, ne nuk i duam ata këtu”- kanë qenë disa nga fjalët e protestuesve. Ishulli i Lampeduzës është bërë kohët e fundit pikë-mbërritje e shumë emigrantëve të paligjshëm nga vendet e Afrikës së Veriut.