E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali :Emigrantët, lejet e qëndrimit, me sistem pikëzimi

Lejet e qëndrimit për emigrantët në Itali do të jenë me sistem pikëzimi. Ky është vendimi i ministrive të Brendshme dhe asaj të Punës, sipas të cilave, që një emigrant të pajiset me këtë dokument, do t'i duhet të firmosë një marrëveshje për integrimin, e cila nga ana tjetër është e shoqëruar nga një sërë detyrimesh që një emigrant duhet të kryejë për pasur 30 pikët e nevojshme të lejes së qëndrimit. Ky dokument do të jetë i vlefshëm për dy vjet. Emigrantit i kërkohet jo vetëm që të mësojë gjuhën dhe Kushtetutën, të ketë sigurime shëndetësore e të çojë fëmijët në shkollë. Nëse nuk i mbush të tridhjetë pikët e nevojshme, aplikanti do të ketë një vit për të përmbushur kërkesat dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë e pret dëbimi nga Italia.
Marrëveshja
Me marrëveshjen e re emigrantët duhet të arrijnë gjatë periudhës së vlefshmërisë së vetë lejes (dy vjet) një sërë objektivash, duke nisur që nga njohja e gjuhës, Kushtetutës, regjistrimit pranë shërbimit shëndetësor kombëtar dhe nënshkrimit të kontratës së rregullt për strehim. Të gjitha "provat" të mbledhura së bashku japin një numër të caktuar të krediteve dhe në rast se ato humbin, sjellin edhe revokimin e lejeve të qëndrimit duke sjellë dëbimin administrativ të të huajve. Pragu i nevojshëm për t’u arritur në dy vjet është 30 pikë. Në raste se emigranti nuk ka arritur të përmbushë 30 kreditet, i jepet edhe një tjetër vit kohë për të arritur kuotën e kërkuar, më pas - në rast se do të jetë sërish nën 30, do të dëbohet. “Në bazë të ligjit mbi sigurinë, - thotë Maroni, ministri i Brendshëm i Italisë, - specifikohen objektivat që duhen arritur në harkun kohor prej dy vitesh nga ana e specialistëve të zyrave të emigracionit. Në rast se kushtet janë përmbushur personit do t’i jepet leja e qëndrimit në të kundërt do të dëbohet”.
Sistemi
“Është një sistem, - thuhet, - që garanton integrimin. Pra shteti të sugjeron gjërat që duhen bërë për integrimin e komunitetit. Në rast se i përmbush kushtet, i jepet leja e qëndrimit; në rast se nuk i përmbush kushtet, do të thotë se emigranti nuk ka dëshirë të integrohet. Këto kushte do t’i aplikojmë me lejet e reja të qëndrimit”. Për sa u përket kurseve të gjuhës, ministri Maroni siguroi: “Nuk do t’u kërkojmë para emigrantëve, gjithçka do të administrohet nga shteti, do të bëjmë në mënyrë që të garantojmë standarde uniforme në të gjitha provincat e vendit”. Marrëveshja mes dy ministrive se shpejti do të transformohet në një dekret.
Kështu, emigrantët do të jenë si në një shkollë ku mungesat dhe notat e mira janë të vlefshme për të kaluar klasën. Sipas ministrit të Brendshëm, Roberto Maroni, ky sistem garanton integrimin e emigrantëve në komunitet. Por për Partinë Demokratike, në opozitë, ky sistem favorizon emigracionin e paligjshëm dhe është një lotari skandaloze sociale, ku juria mashtron që në fillim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›