E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet:Posta Shqiptare, 300 koli ndihma në Shkodër

Posta u angazhua me shërbim falas për të gjithë qytetarët, që do të çonin ndihma apo të holla në drejtim të zonave të përmbytura. Mblidhen dhe rreth 900 mijë lekë të reja, të cilat do kalojnë në llogarinë e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Veç qytetarëve dhe punonjësve të Postës Shqiptare, japin kontribut dhe postat homologe të disa vendeve, si ajo e Italisë, Malit të Zi, ajo gjermane, daneze, holandeze, sllovene, si dhe Posta e Maltës
Kontributi i dhënë nga qytetarët nëpërmjet Postës Shqiptare është mbledhur dhe është nisur në destinacion. Dikush ka dhënë një ndihmë në veshje, apo objekte që mund t’iu vijnë në ndihmë banorëve, një tjetër aq të holla sa ka pasur, të gjithë me një dëshirë, për t’iu ardhur pranë banorëve të Shkodrës në një moment të vështirë. Posta Shqiptare vazhdon misionin e saj në ndihmë të banorëve të përmbytur në Lezhë dhe Shkodër. Dje kanë mbërritur në Shkodër në dispozicion të Shtabit të Emergjencave Civile 300 koli me ndihma, të cilat do t’iu shpërndahen banorëve të zonave të përmbytura, të cilët tani më shumë se kurrë kanë nevojë për mbështetjen tonë, megjithëse situata po shkon drejt normalizimit të plotë. Veç kontributit financiar të institucionit dhe solidaritetit të punonjësve, drejtuesit e kompanisë vendosën që të vazhdonin misionin e tyre për të qenë sa më pranë të përmbyturave. Ishte nisma e kreut të drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptarë, Arqile Gorea, i cili nuk nguroi që ditët e para të përmbytjeve të vendosë për të vënë në dispozicion falas rrjetin e shërbimit postar për çdo qytetar, në çdo skaj të vendit, i cili do të dëshironte të kontribuonte për banorët e zonave të përmbytura në Lezhë dhe Shkodër. Në këtë mënyrë jo vetëm u vu në dispozicion e gjithë infrastruktura për transportimin dhe transferimin falas të çdo lloj ndihme me destinacion Shkodrën dhe Lezhën, por kreu i Postës Shqiptare të njëjtën gjë e kërkoi dhe tek homologët e tij ndërkombëtarë, si dhe dy drejtuesve të organizatave më të mëdha ndërkombëtare në botë, Post-Evropës dhe UPU (Unionit të Përmbotshëm Postar) me anë të një letre ku kërkohej prej tyre të solidarizoheshin duke vënë në dispozicion rrjetin postar për të mbledhur, transferuar dhe transportuar ndihmat nga bashkëkombësit tanë në botë dhe cilido që ka dëshirë të solidarizohet dhe të kontribuojë sadopak për lehtësimin e kësaj situate. Thirrjes së Postës Shqiptare për t’u solidarizuar për të prekurit në Shkodër i janë bashkuar dhe shumë administrata të tjera postare ndërkombëtare, ku mes të cilave mund të përmendim Postën e Italisë, Malit të Zi ajo gjermane, daneze, holandeze, sllovene si dhe Posta e Maltës. Statistikat flasin se deri të enjten ndihmat e mbërritura nga qytetarët janë 200 koli me veshmbathje, si dhe rreth 900 mijë lekë të reja kontribut financiar. Qytetarët nga anë e kënd vendit si: Tirana, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça, Gjirokastra dhe Saranda etj., janë paraqitur në sportelet e kompanisë lider në treg, Posta Shqiptarë, për të ofruar ndihmën e tyre për Shkodrën. Ndërkohë pjesës së kolive të mbledhura në zyrat e Postës Shqiptarë, ku duhet të theksojmë se mes kontribuuesve ka pasur dhe punonjës të shërbimit postar, do t’i bashkëngjiten dhe 114 kolitë me ndihma të ardhur si kontribut nga Posta e Maqedonisë pas apelit të Postës Shqiptare. Nga ana e saj, Posta Shqiptare ka marrë të gjitha masat për të garantuar transparencë maksimale të donacioneve të qytetarëve, duke theksuar se çdo lloj ndihme do të shkojë në destinacioinin e duhur. Veç këtij kontributi, Posta Shqiptare ishte ndër të parat që dha kontributin e saj financiar prej 20 mijë eurosh nga buxheti i Postës Shqiptare, 1.9 milion lekësh solidaritet i 2.234 punonjësve, si dhe vuri në dispozicion dhe 10 automjete në dispozicion të Shtabit të Emergjencës ditët e vështira të përmbytjeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›