E Diel, 1 Nëntor 2026

Spital, kosto më e lartë, kirurgjia dhe neurologjia

Përllogaritet shpenzimi për çdo pacient të shtruar në spital, sa kushton shërbimi dhe ditëqëndrimi për secilin

Spitale me infrastrukturë moderne apo demode, aty ku jepet shërbimi që lë për të dëshiruar apo edhe special, shteti paguan kosto për çdo pacient, i cili vizitohet, ekzaminohet apo edhe shtrohet. Në vitin 2009, administrata e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” ka përllogaritur kostot e disa shërbimeve shëndetësore që jep ky spital, ndërkohë që bashkë me koston për secilin pacient të trajtuar, është “matur” edhe shpenzimi i nevojshëm për të mbajtur të shtruar një pacient gjatë 24 orëve. Kështu shteti paguan shërbimin shëndetësor, por edhe shërbimin teknik për çdo pacient që kërkon ndihmë të specializuar. Konkretisht, brenda kostos, janë të përfshira medikamente, analiza, paga e personelit, pajisje shëndetësore, kontratë servisi, rehabilitim, energji elektrike, ujë, si dhe shërbime të tjera teknike apo profesionale.
Ndërkohë që brenda kësaj kostoje, llogaritet edhe shpenzimi që i kushton shtetit çdo hallkë dhe çdo procedurë për të cilën duhet të paguhet nga administrata, duhet të përllogaritet në mënyrë që t’i jepet pacientit në momentin e nevojës. Disa prej shërbimeve nuk kanë kosto tepër të lartë, sidomos kur bëhet fjalë për konsultat apo shërbime rutinë, por të tjera kapin shifra tepër të larta, në mënyrë specifike për medikamentet e sëmundjeve të vështira.
Kosto
Në spitalin e sëmundjeve të brendshme, apo siç quhet ndryshe edhe “6-katëshi”, për trajtimin e një pacienti, kosto kap shifrën e 37687 lekëve të reja, ndërkohë që për një ditë shtrim në repartet e këtij shërbimi, shteti paguan 6205 lekë të reja.
Kirurgjia rezulton të jetë edhe një nga shërbimet më të shtrenjta. Konkretisht sipas përllogaritjeve të specialistëve të ekonomisë, rezulton se për një pacient në shërbimin e kirurgjisë spitalit i duhet të shpenzojë 87864 lekë dhe për një ditë shtrim në këtë pavijon, shpenzimi kap shifrën e 10242 lekëve të reja.
Në shërbimin e onkologjisë, në pavijonin e tumoreve, për një pacient kostoja është përllogaritur të jetë 42975 lekë, ndërkohë që për një ditë shtrimi, kostoja shkon në 18943 lekë. Pediatria, shërbimi ku trajtohen fëmijët nga 0-13 vjeç, për një të sëmurë kostoja është 46482 lekë dhe për 24 orë shtrim, një ditë shpenzimi është     8002 lekë.
Reparte të tjera
Në shërbimin e infektivit, kostoja për një pacient shkon në 79080 lekë dhe për një ditë shtrim, shpenzimi shkon në 13023 lekë.
Shërbimi i neurologjisë, një tjetër pavijon që trajton sëmundje të shpeshta në radhët e shqiptarëve ka kosto të larta. Konkretisht, për një pacient që shkon në neurologji, financimi është 89389 lekë dhe një ditë shtrimi     10713 lekë.
Sakaq, në neurokirurgji, kosto për një pacient kap shifrën e 59103 lekëve dhe për një ditë shtrim, fatura është     7833 lekë të reja.
Psikiatria, një tjetër shërbim në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” e ka koston për një pacient 35230 lekë dhe për një ditështrim    3122 lekë.
Përfundimisht, në total, shpenzimet për një pacient shkojnë në 66362 lekë për shërbim, ndërsa për ditë shtrim në 10471 lekë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›