Itali, Monti fiton votëbesimin, PDL e Berluskonit bojkoton seancën
Kryeministri teknokrat italian, Mario Monti, ka fituar dje një votëbesim në Dhomën e Lartë të Parlamenti italian, në Senat. Monti e fitoi votëbesimin, edhe pse partia e ish-kryeministrit Silvio Berlsukoni bojkotoi votimin. Berluskoni po përpiqet të garojë sërish për postin e kryeqeveritarit në Itali dhe një nga taktikat që po përdor është sulmi ndaj Montit, i cili përkundër tij, ka një kredibilitet të fortë mes liderëve ndërkombëtarë. PDL e argumentoi vendimin për të mos marrë pjesë në votim, me faktin që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Korrado Pasera, ka kritikuar hipotezën se Silvio Berluskoni mund të kandidohet sërish në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Monti dhe ekzekutivi i tij morën mbështetjen e 127 senatorëve. Shtatë të tjerë votuan kundër dhe 23 abstenuan.