Itali, adoleshentja italiane aborton fëmijën që priste nga i dashuri shqiptar
Historia e adoleshentes italiane shtatzënë me një djalë shqiptar ka marrë drejtimin që kërkonin prindërit e saj.
Ajo ka abortuar fëmijën pas takimit me gjykatësit, një takim të cilin prindërit e vajzës e kishin kërkuar me këmbëngulje, pasi kishin hasur në vendosmërinë e vajzës për ta mbajtur fëmijën.
16-vjeçarja italiane, që priste një fëmijë nga një i ri shqiptar ka abortuar, kanë raportuar sot mediat italiane.
Familja italiane i është drejtuar Gjykatës së Të Miturve me kërkesën për të detyruar të bijën të abortojë, ose të paktën ta ndalojë të takohet me të dashurin e saj shqiptar.
Familja e vajzës e ka ndërmarrë këtë hap me justifikimin se djali që dashuron vajza e tyre nuk mund ti garantojë asaj dhe fëmijës së tyre një të ardhme normale.
Historia e publikuar në mediat italiane paraqitet më shumë si një konflikt fëmijë-prindër sesa një mosmarrëveshje me sfond racist.
Dashuria mes dy të rinjve ka lindur dy vjet më parë në Trento, ku adoleshentja italiane ndjek shkollën. Por prindërit e saj, pavarësisht faktit se janë të divorcuar, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për ta penguar lidhjen e së bijës. I ati e shoqëronte çdo ditë në shkollë, ndërsa e ëma i kontrollonte telefonin. Por kjo ka bërë veçse efektin e kundërt.
Vajza u ka treguar prindërve se është shumë e dashuruar me djalin shqiptar, prej të cilit pret edhe një fëmijë. Në këto kushte, prindërit i kanë kërkuar të kryejë një abort, por janë përballur me refuzimin kategorik të të bijës.
Ata u janë drejtuar gjyqtarëve që merren me të drejtat e minoreneve, të bindur vendimi i së bijës nuk ishte i lirë, por i imponuar nga djali.
Prindërit e vajzës i kanë kërkuar gjykatës të imponojë abortin, ose në pamundësi ti ndalojë djalit takimet me të dashurën.
Përgatiti: G. Ndoja