E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, arkeologët zbulojnë një ‘vampir’

Romë - Studiuesit italianë besojnë se kanë zbuluar eshtrat e një "vampiri" femër në qytetin e Venecias, e varrosur me një tullë të futur mes nofullave, për të mos e lejuar të ushqehej me viktimat e një murtaje, që përfshiu qytetin e njohur në shekullin XVI. Matteo Borrini, një antropolog nga Universiteti i Firences, tha se zbulimi në ishullin e vogël Lazzaretto Nuovo në Venecia provonte dogmën mesjetare, se pas murtajave dhe ndëshkimeve të tjera, si "Vdekja e Zezë", qëndronin vampirët.

"Kjo është hera e parë kur arkeologjia arrin të rikrijojë ritualin e ekzorcizmit të një vampiri" tha Borrini për agjencinë Reuters përmes telefonit. "Kjo ndihmon në gjetjen e fillesave të krijimit të mitit të vampirëve". Skeleti u zhvarros nga një varrezë masive të murtajës veneciane të vitit 1576, kur ka vdekur edhe artisti Titian, në Lazzaretto Nuovo, që shtrihet afro tre kilometra në verilindje të Venecias dhe që përdorej si sanatorium për të prekurit nga murtaja.

Seria e murtajave, që rrënuan Evropën gjatë periudhës mes viteve 1300 dhe 1700, ushqeu bindjen në ekzistencën e vampirëve, kryesisht pasi në atë kohë nuk kuptohej ende procesi i dekompozimit të trupave të vdekur, u shpreh Borrini.

Varrmihësit, që rihapnin varret masive të asaj kohe, shpesh përballeshin me eshtra të thara me gaz, me flokë të kufomave që ende rriteshin dhe gjak që rridhte nga goja e tyre, duke dhënë përshtypjen se ishin akoma gjallë. Qefinët e përdorur për të mbuluar fytyrën e të vdekurve shpesh kalbeshin nga bakteret në gojë, duke zbuluar dhëmbët e kufomës, dhe vampirët u bënë të njohur me emrin "qefin-ngrënës".

Sipas teksteve fetare dhe mjekësore të mesjetës, "të pavdekurit" besohej se përhapnin murtajën me qëllim për të fituar jetë nga të vdekurit e tjerë dhe për t'u rikthyer sërish në rrugët e qyteteve.

"Për të vrarë një vampir duhej t'i hiqje qefinin nga goja dhe t'i fusje diçka që nuk hahet midis nofullave" tha Borrini. "Është plotësisht e mundur që më parë të jenë gjetur skelete të tjerë me një tullë midis nofullave, por kjo është hera e parë kur pranohet një ritual i tillë".

Ndërsa legjenda e vampirëve gjakpirës është krijuar mijëra vjet më parë, figura moderne e vampirit u krijua nga romani "Drakula" i shkrimtarit irlandez Bram Stoker në vitin 1897, që bazohet në rrëfenjat popullore të Evropës Lindore të shekullit XVIII.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›