E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, arrestohet bosi i mafias napolitane

Bosi i një prej klaneve që formojnë mafian napolitane të Kamorës, Michele Zagaria, u arrestua ditën e mërkurë, bënë të ditur burimet zyrtare policore.

Ai figuronte prej 16 vitesh në listën e të shumëkërkuarve në Itali. Policia zbuloi se Zagaria jetonte në një bunker të fshehtë të nëndheshëm, në qytezën e tij të lindjes, Kasapeneza, pranë Napolit.

Drejtuesit i klanit të fuqishëm të “Casalesi”-t, Zagaria është dënuar me disa dënime të përjetshme në mungesë, për akuzat e vrasjes, trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit dhe kanosjes ndaj bizneseve.

Mediat italiane kanë përshkruar si “të entuziasmuara” forcat policore, që arritën të kryenin një operacion model. “Fituat. Më në fund shteti fitoi”, u shpreh ironik Zagaria, përpara një prokurori që e mori menjëherë në pyetje.

Ndërkohë, Ministrja e Brendshme e Italisë, Anna Maria Cancellieri, e cilësoi arrestimin e tij si një “sukses të madh për shtetin” dhe “një goditje e rëndë jo vetëm për klanin Casalesi, por edhe për organizatën e Kamorës në përgjithësi”.

Klani i “Casalesi” është një prej disa rrjeteve kriminale që formojnë organizatën e Kamorës, dominuese në krahunën e Napolit dhe përreth.

”Zagaria i ka kaluar vitet e arratisë pranë shtëpisë së tij pasi bosët e mafias mund të ushtrojnë ndikimin e tyre vetëm në një mjedis që i mbron ata”, u shpreh prokurori Piero Grasso.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›