E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit e Eva Vishajt: Ago e vrau me të tjerë

Prindërit e Eva Vishajt e kanë pritur me ankth ekstradimin e vrasësit të vajzës së tyre. Ata shpresojnë te drejtësia dhe kanë besim se tani do të zbardhen të gjitha detajet e atij krimi të 23 marsit 1997, kur Albenc Ago torturoi dhe më pas vrau me një plumb në kokë Eva Vishajn, nënën e këngëtares së njohur Elsa Lila.

Prindërit e Evës, Shaban dhe Dallëndyshe Vishaj, jetojnë në Vlorë. Ata tregojnë se ditën kur kanë marrë lajmin se vrasësi i vajzës po ekstradohej nga Italia janë ndjerë më të lehtësuar.

Dhimbja nuk është larguar, por të paktën kanë ngushëllimin që tashmë vrasësi i vajzës së tyre do të vuajë dënimin për krimin makabër që ka bërë. Dallëndyshja, nëna e Evës, shprehet se ia kanë lënë drejtësisë në dorë që ta zbardhë këtë ngjarje shumë të rëndë dhe të vërë para drejtësisë përgjegjësit. Dallëndyshja thotë se tani do të mund të prehet i qetë shpirti i Evës, që nuk gjente qetësi. "Më 23 maj mbushen 11 vjet nga dita e vdekjes së vajzës, ndërsa në fillim të marsit përkujtuam ditëlindjen", tregon me lot në sy Dallëndyshja. Babai thotë se, për ta dhimbja nuk do të largohet kurrë, por të paktën arrestimi i vrasësit u bë i mundur dhe njëkohësisht ekstradimi dhe tashmë shteti shqiptar nuk duhet të ketë mëshirë.

"Gjithsesi, tashmë mund të them që plaga na është lehtësuar disi, pavarësisht se Evën nuk na e ngjall dot njeri", thotë nëna e saj, Dallëndyshja. Ajo tregon më tej se kanë qenë në shtëpi kur i kanë telefonuar dhe u kanë thënë se Albenc Ago ishte duke u ekstraduar nëpërmjet Rinasit.

"Për mua ishte hera e parë që e shikoja foton e atij njeriu që u shfaq në televizione. Dinim që ishte shofer i Partisë Socialiste, por asgjë më tepër. Ne nuk e kemi lënë për asnjë çast në harresë këtë ngjarje, kur dora makabre na vrau vajzën tonë, Evën, e cila nuk i kishte bërë askujt keq. Jemi interesuar në çdo vend, në çdo institucion drejtësie dhe falënderojmë të gjithë ata që e zbardhën këtë çështje. Vajza ime ishte një njeri që nuk prishte qejf me njeri. Pavarësisht se jetonte në Tiranë, ajo kujdesej vazhdimisht për ne. Pengu i vajzës do të na shoqërojë deri sa të vdesim, si mua, si bashkëshortin tim. Tashmë ia kemi lënë në dorë drejtësisë që ta zbardhë të gjithë ngjarjen dhe t‘u japë personave përgjegjës atë që meritojnë".

Tashmë, prindërit e Eva Vishajt ndihen më mirë, pasi kërkesa e tyre e vazhdueshme për ekstradimin e vrasësit u bë e mundur.

"Më 5 mars të këtij viti, Eva kishte 50-vjetorin e lindjes dhe në shtëpinë tonë ka pasur shumë të afërm e miq për të na ngushëlluar", tregon Dallëndyshja. Ajo thotë më tej se vajza e saj i kishte dhënë edhe bukë vrasësit, por pabesia e tij ia shpërbleu me plumb kokës. Ndërkohë, prindërit e Eva Vishajt thonë se drejtësia shqiptare duhet të hetojë më thellë për këtë ngjarje, tani që Albenc Ago është ekstraduar. "Ai nuk ka qenë vetëm në momentin e ekzekutimit të Evës dhe dënimi me 20 vjet që ka dhënë drejtësia është shumë pak për këtë krim", thotë nëna.

Albenc Ago u ekstradua dy ditë më parë nga Italia, ku ishte arrestuar përpara disa muajsh, me kërkesë të Interpol Tiranës. Ago është dënuar me 20 vjet burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, me një vendim të Gjykatës së Tiranës, të dhjetorit 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›